Në bedenat e vëllimit poetik “Kështjella e poezisë”

Libra

Në bedenat e vëllimit poetik “Kështjella e poezisë”

Nga: Kujtim Mateli Më: 21 gusht 2018 Në ora: 22:36
Kopertina

Poeti Tyran Prizren Spahiu ka një prurje të  gjerë poetike. Poezia e tij lartëson gjuhën e bukur shqipe, njeriun e përkushtuar që është në lëvizje të pandërprerë në kërkim të dijes. Ajo u kushtohet njerëzve që u flijuan për atdheun, të cilët lartësohen mbi njerëzit shpirtvegjël që ua ka mbuluar ndërtesën ku banojnë errësira e padijes. Pushtuesit serbë, i krahason me lukuninë e ujqve, të cilët shumë kobe e gjëma i sollën truallit të Kosovës deri në vitin 1999,  ku shënohet dhe fundi i robërisë për këtë pjesë verilindore të trojeve shqiptare.

Në poezinë e Tyran Prizren Spahiut i këndohet natyrës së bukur që përcjell aromën dhe freskinë e jetës që rrjedh si burimet e maleve tona, u këndohet flladeve pranverorë që na përshëndesin nën dritëzat e yjeve dhe kënga e poetit përcillet deri në pafundësi . Aty gjen gjithë dinamizmin me të cilën shoqëria ecën përpara, aty gjen detaje nga më intimet në jetën e përditshme, aty gjen prindërit që janë të rënduar nga jeta dhe mosha, por gjen pranë tyre dhe  fëmijët e përkushtuar  për t`ua bërë dhimbjen sa më të lehtë. Në poezinë e Tyran Prizren Spahiut zhndrit si gur diamanti vendlindja e tij, Prizreni historik, vatra  dritëpashuar e kombit tonë që ka ushyer ndjenjën e lirisë. Në vëllimin poetik “Kështjella e poezisë” poeti godet me vargun e tij, mbledhur kamzhik, ata që qeverisin me premtime boshe. Kritikon ashpër politikanët që kanë harruar dhimbjet e të sëmurëve dhe miqtë e dikurshëm të punës.

1

Tek Poezia “Kosovë më merr…”, poeti i këndon me dashuri dhe dhembje atdheut të vet, i këndon Kosovës për të cilën i lutet asaj fuqisë hynjore që ankthin, frikën, terrorin, dëbimet, eksodin, t`i zëvendësojë me mirësinë. Edhe pse e vuajtur, edhe pse në shekuj e robëruar, ajo mbetet: “bukuroshja e Europës, magjistarja kuqezi”.

 Kosova është këngë që zbret nga gjithësia për të plotësuar shpirtin njerëzor, për t`i dhënë atij përmasat e lirisë, mesazhe të dosmosdoshme për kohën në të cilën jetojmë. Që njerëzit të jetojnë në harmoni dhe miqësi duhet që çdo njeri të ushqehet nga:  “dashuria shekullore, lënë amanet nga shqiptarët” (Poezia “Kosovë më merr…”)

Poeti ngre një problem të rëndësishëm para atyre që kanë marrë detyrën e vështirë të shkruajnë. Realiteti nuk duhet zbukuruar, nuk u duhen dhënë njerëzve merita të nuk i kanë sepse, nëqoftëse nuk i meritojnë, do të jenë jetë shkurtër dhe do të humbasin në stuhitë e historisë.  Poeti i porosit ata që e kanë marrë përsipër këtë detyrë të vështirë:

“Mos e ngrini njeriun lart në yje,  e panjohura mund ta kapërdijë”. (Poezia “Shkronjat e shenjta të poezisë”)

 Poeti na kujton gjithashtu se nuk duhet të nxjerrim gjoksin për punën që bëjmë, duhet të jemi të sinqertë, të respektojmë njëri-tjetrin. Vijmë nga thellësitë e shekujve, me fise të dëgjuar në histori që nga koha e ILIRISË. Luftëtarë dhe heronj që presin vargun e poetëve, sepse:

“Artistët e fjalës gjendur mbi kohën, jetëgjatësinë e atdheut kurorëzojnë”.  (Poezia “Pena kujton”)

2

Tek poezia “Nuk kam kohë” autori e vështron jetën njerëzore në këndin filozofik. Vitet përsëriten në të njëjtën mënyrë dhe i ngjasojnë njëri-tjetrit, kurse njeriu është  ai që e bën ndryshimin: rrudhat tregojnë se koha ka ikur dhe qënia njerëzore ka pësuar ndryshime. Në trupin e çdo njeriu ndjehet tik-taku i orës njerëzore. Njeriu i planetit Tokë ndjehet zot jo vetëm aty ku jeton, por dhe i kozmosit, sepse gjithë kjo hapësirë i përket atij, pavarësisht se ku jeton dhe sa jeton, pavarësisht se e ka mundësinë të vizitojë ndonjërin prej planeteve ose jo. Bota ka krijuar njeriun të ndihet zot dhe të eksplorojë gjithë hapësirën e Universit.  Kënaqet apo jo me botën ku jeton, njeriu duhet të lërë të shkruar diçka, si dëshmi e ekzistencës së tij në botën ku jetoi. Në këtë botë ne i lëmë dëshmi botës dhe brezave që vijnë atë që krijuam, në fushën ku çdo qënie njerëzore derdhi kontributin e saj. Nuk ka kohë për të humbur. Çdo qënie njerëzore duhet të bëjë detyrën për të cilën ka ardhur në jetë: të ruaj vazhdimësinë biologjike dhe kulturore. Autorin e mundon mendimi se a lamë gjëra të vlefshme për brezat që vijnë? A i ndryshuam hapësirat e ngushta që trashëguam dhe a u dhamë frymëmarrje? Më tej vazhdon: “Kohë nuk kam të humbas pa mëshirë,  në jetë të çoroditur, fjalë pa kuptim,  me biseda shterpe të begatoj ditën e gjorë, veshur i llastuar, i humbur në jetëgjatësi të endem”. (Poezia “Nuk kam kohë”)

3

Poezia e Tyran Prizren Spahiut na përcjell mesazhe respekti e dashurie, ta duam fort njëri-tjetrin, sepse jetojmë në tokën e etërve tanë dhe i kemi të përbashkëta si: dasmat, ceremonitë fetare e gjithçka tjetër. Jetojmë nën qiellin tonë dhe jemi të vendosur t`i qëndrojmë besnik tokës së etërve tanë. Mes nesh nuk ka vend urejtja :

“ jo më, themi ndalu, nuk do ndodhë Roma e djegur, vëllazëruar jemi me drejtësinë, nisur shtegut të shtet-përjetësisë, dhe një ditë... do ngjallemi në tokën e Etërve”. (Poezia “Ndaluni dhe kujtoni”)

Poeti i këndon dashurisë. Ajo e pushton fort dhe jeta kthehet në simfoni nga përshpëritjet ledhatuese dhe ngrohtësia e trupit të saj. I këndon dashurisë dhe ruan prej saj përjetimet më të bukura, buzëqeshjen e shpirtit dhe botën e bukur të fjalëve të cilat tingëllojnë magjishëm dhe duket sikur kanë një origjinë qiellore.

  Poeti u këndon me vargje ndjenjave që ndridhen posi telat e jetës, ndjenjave të dy njerëzve të dashuruar. Por ndodh që kjo dashuri të ndodhet para të papriturave, kur çifti nuk e ka zgjedhur njëri-tjetrin mbi një dashuri të pastër zemrash. Atëherë mëkatet e pushtojnë jetën në çift, edhe natyra e ndien trishtueshëm këtë që po ndodh, edhe cicërimat e zogjve: “humbën melodinë, u zbeh bukuria, dielli u dorëzua, zymtësia u derdh në parajsën tonë, me perde gri peizazhi u mbulua...”. (Poezia “Perde gri”)

4

Për poetin Prizreni dhe kështjella janë të lidhura si binjakët mes tyre, kur kujton njërin patjetër do të vijë në përfytyrim dhe gjysma tjetër. Qyteti dhe kështjella e frymëzojnë dhe poeti derdh vargje nga gurra e shpirtit të tij. Nga rrugët e qytetit, nga dritaret e shtëpive vështrojnë:

“Magjinë nxitëse të muzgut, mbi bjeshkët e Sharrit, rrëmbej madhështinë, të nënshtrohem i etur, me dashuri të pashuar, të dorëzohem agut” (Poezia “Jetë”)

Poeti i këndon asaj ditës së shënuar për shqiptarët, të 10 qershorit 1878, që në Prizrenin legjendar, do t`u thoshin fuqive evropiane: largoni duart nga trojet shqiptare. Në vargje vijnë dhe fjalët lapidare të Abdyl Frashërit në takimin e tij me Bismarkun. Kjo përplasje i kujtoi arenës botërore se shqiptari dhe Shqipëria do të bëheshin si qëmoti, në motin e madh të Skënderbeut. Me gjithë vështirësitë që kapën hapësirën e një shekulli e gjysmë, shqiptarët e fituan edhe këtë betejë. Tashmë dhe kjo pjesë verilindore e trojeve shqiptare ndodhet e lirë dhe siç thotë poeti:

“Në lartësitë marramendëse shpresë,  rron fuqia e pamposhtur qëndresë”. (Poezia “10 qershor 1878”)

Dimensioni poetik i Tyran Prizren Spahiut e ka begatuar letërsinë shqipe, e ka pasuruar atë me motive që shprehin aspiratat e shqiptarëve në rrjedhë të historisë sonë të gjakosur nga pushtues të egër dhe barbarë. Poezia e tij, nga pikëpamje kohore, u thur himne  përpjekjeve të shqiptarëve në dy periudha të rëndësishme historike: atë të luftës për liri dhe pavarësi që i mbarojnë kufijtë në vitin 1999, si dhe atë të pas këtij viti, ku vërehen përpjekjet e shtetit dhe shoqërisë për t`i dhënë dritë dhe hapësirë evropiane kësaj pjese të çmuar të trojeve shqiptare. Poezia tregon për lidhjet e ngushta të poetit me popullin e vet: trishtohet kur sheh se ecuria e vendit të tij nuk është në atë lartësi për t`u bërë ballë sfidave ekonomike e politike me të cilat përballet kjo pjesë e rëndësishme e trojeve tona dhe gëzohet e brohoret fort, kur sheh që edhe Kosova po bëhet pjesë e rëndësishme në këtë hapësirë juglindore të Evropës së Bashkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat