Prozë mes imagjinatës dhe reales

Libra

Prozë mes imagjinatës dhe reales

Nga: Saip Grabovci Më: 9 gusht 2018 Në ora: 14:16
Fatmire Duraku, “Zana në dhomën e Deas”, roman, botoi Shtëpia Botuese “Fad” Prishtinë, 2018

Shkrimi i romanit të Fatmire Durakut “Zana në dhomën e Deas” është  ndërlidhje e reales dhe ireales, riprodhim i përpiktë i një dorëshkrimi,  i një tabloje, që bëhet duke e fotografuar ose duke e shtypur dorëshkrimin,  në të njëjtën kohë është dhe hija e  riprodhuar në këtë mënyrë, për ta paraqitur një ngjarje, e cila nis e lidhet me imagjinatën e bujshme, të Deas, njëra nga krye personazhet e librit. Ngjarja ka rrjedhë  të përrallës dhe ndodhitë e saj fillojnë të hënën e përshkruhen deri të hënën tjetër. Gjatë tërë një jave, lexuesi i vogël dhe ai i moshës së re, duke e ndjekur këtë ngjarje do të ketë rast të njihet me shumë çaste, rrjedha dhe personazhe, do të kalojë shumë vende e njësi territoriale, lugina e brigje, male e dete të Ilirisë së hershme, në ato copëza të shkëputura nga tërësia e saj dhe në ato ende të mbetura brenda shtetit shqiptar.       

Ky romani për fëmijë, “Zana në dhomën e Deas”,  i autores Fatmire Duraku, të dëshmuar deri tash në prozë, në poezi dhe në kritikë letrare, është një roman – përrallë, ngjarja e të cilit – shumë interesante dhe dinamike, do të zgjojë pa dyshim kërshërinë e lexuesit dhe është me interes për të . Në radhë të parë kjo prozë ofron  mundësi  që lexuesi ta njeh nga të gjitha aspektet trevën në të cilën jeton dhe vepron me mija vjet. Autorja – me invencion, krijon rrjedha të tilla të prozës së lehtë, të afërt dhe mbresëlënëse, duke i krijuar udhë kryepersonazhit ta përshkojë cep më cep tokën e Dardanisë, sipërfaqen e saj me qiellin e kaltër dhe nëntokën e saj, në të cilën rritet lulja e argjendtë. Atë lule ai duhet ta gjejë me çdo kusht, ngaqë ai i ka premtuar të dashurës së tij Alzanës, që ta fitojë unazën dhe zemrën e saj, por – e njëjta lule është dhe ilaç për shërimin e një sëmundjeje të çuditshme.

Kryepersonazhi - bariu, i paepur, udhëton, bie në gracka, ia del të lirohet... të vazhdojë udhën me plot kurthe e pengesa, që i bëhen nga krijesa të ndryshme, që dalin nga përrallat, për t`ia pamundësuar realizimin e misionit të tij – gjetjen e lules së argjendtë. Kjo prozë, padyshim, e dëshmon dhe një herë seriozitetin e angazhimit të autores në letërsi, këtë herë në roman për fëmijë. Ajo, me imagjinatë të bujshme, krijon çaste, ngjarje  dhe skena dramatike, të cilat  lexuesin asnjëherë nuk do ta lënë të qetë. Herë – herë madje e lënë dhe pa frymë, e cila gjë është mjeshtri e krijuesve të njëmendtë në letërsi. Përveç kësaj, lexuesi mes rreshtash të prozës do të ketë mundësi edhe të mësojë për shumëçka, për lugina, kroje, për miniera dhe bimë nga më të ndryshmet, për udhë dhe kulla, me të cilat është e njohur Dardania.  Si çdo prozë e mirë, edhe kjo,  i shërben mësimit, hapjes së horizonteve të reja të dijes dhe të jetës, i shërben zhvillimit të imagjinatës, ngaqë  lexuesi nga faqja në faqe, duke u futur në botën e ngjarjes së romanit, bëhet edhe vetë pjesë e tij, i përjeton situatat me emocione dhe kështu merr pjesë aktive në ngjarjet e shumta të prozës, sidomos duke i ndjekur skenat e artit, të pikturës – të gdhendura në faqe shpellash, në të cilat janë skalitur  trimat-kreshnikët, që në shumë periudha të kaluara e mbajtën gjallë ndjenjën atdhetare dhe dashurinë për lirinë në secilin cep të tokës së Arbrit,etj.

Romani do të krijojë një rrjedhë të re në kuptueshmërinë e shumëfishtë të përrallës moderne shqiptare. Kjo është një prozë me shumë degëzime, është një nga llojet më të njohura të krijimtarisë gojore popullore, që ka formën e një tregimi të gjatë, zakonisht me përmbajtje fantastike  e  me personazhe të trilluara nga bota e njerëzve, e kafshëve dhe e forcave të mbinatyrshme. Rrëfenjë e imagjinuar dhe e trilluar, por që brenda saj gjendet dhe damari i së vërtetës, gjendet udha që  ka për  bazë jetën e një Bariu, i cili i dashuruar ne një bareshë, që për të kurorëzuar dashurin e tyre duhej të sjell Lulen e argjendtë nga një shpellë diku ne malet në trevat e Arbrit. I shkruar në këtë frymë e me mjeshtri të të rrëfyerit, autorja ia del të arrij qëllimit, duke reflektuar me eseistikë e vështrim, koncept e logjikë, imagjinatë e realitet, në lidhjet mes njësive, duke i evidentuar lidhjet e ndërsjella, duke mos e kufizuar hapësirën jetike. Kështu, ajo krijon ngjarje a veprim që ka ndodhur në të vërtetë; diçka që ekziston objektivisht e realisht, diçka që është e vërtetë.

Një libër i mirë, i afërt dhe i ngrohtë, një libër i shkruar me ndjesi dhe me plot ritëm, një libër i veçantë, një roman jo i rëndomtë për fëmijë dhe të rritur, do të zë vend dhe do të jetojë në hapësirën tonë letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat