Bujanoc: Përurohet libri monografik “Vrenezët e Pribocit dhe të Novosellës” - Bota Sot
Bujanoc: Përurohet libri monografik “Vrenezët e Pribocit dhe të Novosellës”

Libra

E premte, 21 shtator 2018

Bujanoc: Përurohet libri monografik “Vrenezët e Pribocit dhe të Novosellës”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 5 gusht 2018 Në ora: 15:35
Pamje nga promovimi

Në Pallatin e Kulturës në Bujanoc, të shtunën e 4 gushtit, u përurua libri monografik “Vrenezët e Pribocit dhe të Novosellës”, të autorit Xhavit Selmani, një histori gjenealogjie e vrenezëve, duke filluar nga trungu familjar, tradita, zakonet, toponimet, të trashëguara brez pas brezi.

Në këtë manifestim letrar, morën pjesë personalitete nga jeta politike, arsimore e kulturore, duke filluar nga kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, deputeti popull Fatmir Hasani, kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” nga Presheva, Bilall Maliqi, si dhe drejtorë nga institucionet shkollore, profesorë dhe dashamirë të artit nga Bujanoci, Presheva dhe Gjilani.

E veçanta e këtij manifestimi letrar është se, ai, u zhvillua me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-të vjetorin, e vdekjes së heroit kombëtar, si dhe në kohën e shënimit të ditës së Diasporës e cila për komunën e Bujanocit është kthyer në një manifestim tradicional.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë përurim, redaktori i librit Hysen Këqiku, nga Gjilani, dërgoi një letër përshëndetëse nga Kanada, në të cilën thuhet: “Shtëpia Botuese “Kurora”, është e nderuar që iu dha rasti ta botoj një libër shumë të mirë, me rëndësi historike e faktografike. Një libër e cila do të shërbej si një vepër e cila do të lexohet dhe do r’i nxisë hulumtimet e më tutjeshme nga studiues të tjerë të kësaj fushe si sot si në të ardhmen”.

Image
Kopertina e librit

Ndërsa, recenzenti i librit Sevdail Hyseni, drejtues i Shoqërisë civile “Perspektiva”, nga Bujanoci, duke folur për vlerat letrare të librit, tha, mes tjerash se “Lexuesi i kësaj monografie, për Lagjen e Vrenezëve të Pribocit, pa lënë anash as vrenezët e Novosellës dhe gjithë ata vrenezë të tjerë, gjithandej trojeve tona etnike dhe diaspora, do të entuziazmohet dhe madhështohet për luftën heroike të këtyre malësorëve, për guximin, bujarinë dhe mikpritjen  e tyre. Gjithashtu, do të jetë shumë kurioz të dijë edhe për Lagjet e tjera të Pribocit, për pozitën e saj gjeografike, mrekullitë e natyrës dhe fisnikërinë e pribocasve, të përmendur për shumë vepra me interes shoqëror e kombëtar”.

Gjithashtu, recenzenti tjetër i librit monografik Ismet Tafili, publicist, shtoi se “Libri  ka dy  kapituj apo dy pjesë.  Kapitulli i parë apo pjesa e parë, të them se, përfshin ndjekjen shqiptarëve nga tokat e të parëve dhe të dhëna të ndryshme  për fshatin e lagjen e Vrenezëve, gjenaologjnë e lagjes; dhe kapitulli i dytë është kapitulli i vjershave, që unë i kam quajtur vjersha për fëmijë”.

Ndërkaq, autori i librit monografik “Vrenezët e Pribocit dhe të Novosellës”, Xhavit Selmani,  gjatë fjalimit të tij, tha se në mënyrë kronologjike, ka ofruar të dhëna për një pjese të Pribocit të Hashanisë, gjegjësisht vrenezëve të Pribocit dhe të Novosellës, të cilët nga Serbia të përndjekur me dhunë erdhën nga fshati Vranovc të Leskocit, prej nga edhe emri vrenjesh-vrenez-vranez, që edhe sot ruhet prej nga erdhën në trojet e sotme.  Prandaj, “me gjasë se ky libër do të ruhet në duart e vrenezëve, si një doracak për gjenealogjinë e tyre, kujtoj se  me të do të ngritet vetëdija dhe dashuria te brezat e rinj, për vendlindjen e të parëve të tyre, që pas vetes po lënë një histori të bujshme të veprimtarisë njerëzore”, tha Xhavit Selmani, autor i librit monografik.

Në fund të këtij përurimi u dha një reportazh filmik nga Malësia e Bujanocit, përkatësisht nga fshati Priboc.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test