Nxënësit e Kosovës të painteresuar të lexojnë libra

Libra

Nxënësit e Kosovës të painteresuar të lexojnë libra

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 13:09
Nxënësit e Kosovës të painteresuar të lexojnë libra

Nxënësit e shkollave të mesme lexojnë shumë pak. Nga një hulumtim që ka bërë organizata jo qeveritare ETEA del se 56 përqind e nxënësve të anketuar nuk kanë qenë në gjendje t’i dinë tre tituj librash.

Ky rezultat sipas drejtorit të ETEA-s Agron Ahmeti është alarmues.

Edhe në bibliotekat e qytetit tregojnë se numri i personave që lexojnë libra nuk është i mirë.

Janë studentët më shumë ata që i vizitojnë bibliotekat për të lexuar libra që u duhen për provime.

Gjatë hulumtimit të ETEA-s janë anketuar 604 nxënës nga 13 shkollat e mesme publike të Prishtinës, janë intervistuar mësimdhënës të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, si dhe është mbajtur  një fokus grup me lexuesit e rregullt nga këto shkolla.

Ahmeti: Rezultati alarmues

“Është një rezultat që është goxha alarmues. Në  mesin e të anketuarve, 56 përqind prej tyre nuk janë në gjendje t’i listojnë tre tituj librash. Kjo, pyetja ka qenë e tillë, saqë ka lënë të kuptohet se mund të listohen edhe titujt të librave qoftë që i kanë ndëgju diku apo thjesht që e kanë pa, e kjo nënkupton që ata janë krejtësisht jashtë botës së librit. Meqenëse hulumtimi nuk ka hyrë më thellë nëse vërtetë janë lexuar ato libra apo jo, por vetëm ka qenë një pyetje që të listohen  tre tituj të librave, edhe del se 56 përqind e nxënësve nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë”, ka treguar Ahmeti për kp.

Hulumtimi ka nxjerrë edhe të dhëna tjera, të cilat tregojnë se vetëm 1.8 përqind e nxënësve të anketuar i ndjekin aktivitetet që kanë të bëjnë me librin, kurse pjesa më e madhe e tyre nuk janë të informuar për këto aktivitete.

Në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në kryeqytet,  janë të regjistruar afro dhjetë mijë lexues. Vetëm vitin e kaluar, sipas drejtorit të kësaj biblioteke, Munish Hysenit, janë marrë në shfrytëzim afro 112 mijë  libra. Megjithatë, një pjesë e  madhe e lexuesve, sipas Hysenit  kryesisht e shfrytëzojnë bibliotekën për lexim.

Ai tha se sallat e leximit shfrytëzohen më shumë gjatë periudhës së provimeve, dhe numri më i madh i të regjistruarve janë studentë.

Hyseni ka thënë se përmes aktiviteteve dhe bashkëpunimeve me institucione të tjera, po punojnë për ta promovuar kulturën e leximit.

Hyseni: Shkollat e mesme më pak të aktivizuar

“Shkollat e mesme janë më pak të aktivizuara në këto aktivitete, ndërsa duke u nisur prej parashkollorëve dhe shkollave fillore, janë mjaft të organizuar dhe bëjnë vizita”, tha Hyseni.

Shkaqet që është ulur lexueshmëria tek të rinjtë i shpjegon shkrimtari Nazmi Rrahmani. Sipas tij planprogrami përmes të cilit nxënësve iu caktohen librat, si dhe mungesa e plot librave që nuk po ribotohen, janë shkaqe që kanë ulur lexueshmërinë tek të rinjtë.

Rrahmani: Planprogrami është gabim

“Për shembull të ipet ‘Këngët e Sibilave’ të lexohet në klasën e shtatë ose tetë në fillore, është e pamundur. Ose Jul Varibova për shembull të ipet për lexim si lektyrë shkollore, është e pamundur që nxënësit ta lexojnë”, tha Rrahmani

Sipas tij, këto mospërpudhje në planprogram, i largojnë nxënësit nga leximi. Rrahmani ka thënë se Ministria e Arsimit duhet t’i rishikojë dhe përpunojë planprogramet.

Edhe librashitësit tregojnë se kryesisht janë studentët ata që interesohen më shumë për libra.

Florim Beqiri tregon se qe 18 vjet që punon në shesh si librashitës ka thënë se kryesisht janë studentët që blejnë më shumë libra.

Beqiri: më shumë kërkojnë libra të përdorur

“Më shumë kërkojnë libra të përdorur. Për shkak se qysh e thashë edhe më herët, çmimi i tyre është shumë i lirë. Dhe me librat e përdorur nënkuptohet librat e shkrimtarëve të mëdhenj, dijetarëve të mëdhenj, d.m.th. letërsi klasike”, ka thënë Beqiri.

Ndërsa Xhejlane Kaçiu, studente e Gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë, thotë se bibliotekat i përmbushin nevojat e saj sa i përket literaturës, mirëpo ka mungesë të aktiviteteve edhe nga ana e të rinjve.

Kaçiu: Të rinjtë të pa interesuar për diskutim

“Jo. Jo. Nuk ka. Nuk e di, ndoshta janë disa aktivitete të cilat bahen detyrimisht janë obligative ose naj promovim të ndonjë libri të caktuar por jo aktivitete prej të rinjve që janë të interesuar me dalë me diskutu për librat që lexojnë”, ka thënë Kaçiu.

ETEA vazhdimisht organizon aktivitete të cilat synojnë nxitjen e kulturës së leximit, siç është Oda e Librit, dhe së fundmi  kampanja “Ambasadorët e Librit” që u lansua në kuadër të festivalit “Prishtina Lexon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat