Poezia e poetes Lumturije S. Drenica

Libra

Poezia e poetes Lumturije S. Drenica

Nga: Zymer Mehani Më: 19 korrik 2018 Në ora: 07:57
Kopertina

Vëllimi poetik “Ah, Shqipëri” është i pari i poetes Lumturije S. Drenica. Në të vërtetë ajo si bashkautore, vitin e kaluar (2017) botoi edhe përmbledhjen “Veç një atdhe”.

Përmbledhja “Ah, Shqipëri…” është dëshmi e bukur se poetja po përparon dhe ka çfarë të na thotë. Ky vëllim poetik tregon dhe na bind se poetja Lumturije S. Drenica ka prirje, dridhje shpirtërore, vibracione mendimesh e lakueshmëri shprehjesh, të cilat i përshkojnë të gjitha poezitë e vëllimit në fjalë, dhe si të tilla, këto poezi na duken si deskripcion i një ndjenje (atdhedashurie), por edhe si metaforë, që në vetvete përmbajnë shumë më tepër se sa duket në shikim të parë.

Edhe përkah vetë motivet dhe variacionet e tyre, e deri diku edhe përkah transponimi, variabiliteti i kualiteteve etj, poetja Lumturije S. Drenica arrin të shprehet shumë bukur. Madje në këtë përmbledhje kemi një dëshmi të fortë se poetja vërtet me zërin e këtyre poezive dëshiron të trokasë në ndërgjegjen e secilit prej nesh.
Fuqia e ndjenjave dhe trajtat interesante janë karakteristike kryesore e kësaj përmbledhjeje, me të cilën poetja Drenica u nis dhe bëri hap serioz drejt shtegtimit të sigurtë nëpër shtigjet poetike. Ajo përmes vargjeve të veta na sjell kënaqësi me përmbajtje, motive, tematikë dhe me shprehje të zgjedhura, gjithnjë besnike e frymëzimit artistik, që shumë mirë lidhet me traditat e krijimtarisë sonë letrare. Ajo e ka pasuruar mjaft shprehjen e vet lirike dhe është duke e zgjeruar e ngritur deri në pohim a paralajmërim se në poezinë e saj, në trajta të shumëngjyrshme ka elemente që janë më të natyrshme për t’i pritur, e që do të mund t’i quanim sukses në poezinë e saj.

Lirizmi është element karakteristik dhe i veçuar, ngase poetja Lumturije S. Drenica më shumë është në vetvete, në botën e vet subjektive, e brengosur, dhe ndonjëherë, e pikëlluar deri në zhgënjim nga dukuri dhe vese, që ajo i vëren te njeriu ynë, si brenda në atdhe, ashtu edhe në mërgatë.

Mes rreshtash lexojmë se autorja brenda në atdhe, në ditët e errëta të diktaturës, pati të njëjtin fat si të popullit të vet, duke përjetuar ditët e varfërisë, gati deri në shkallën e mjerimit dhe të urisë, vrazhdësitë dhe kataklizmën e epokës së komunizmit. Si e re, po me rini të këputur, të dërrmuar, ka ëndërruar shpeshherë çlirimin e atdheut dhe të popullit dhe ka shpresuar rilindjen e vet dhe të popullit, që i takon. Prandaj, poezia e saj është e përshkuar edhe me melankoli, por edhe me krenari. Ajo është thuajase e tëra heroike, shpesh e përshkuar prej nostalgjisë, por tejet e vrullshme, shumë e gjallë në thelbin e saj krijimtar dhe në formimin e koncepsioneve dhe të vlerave të veta artistike.

Me të gjitha vlerat që ka, poezia e poetes Lumturije S. Drenica mbetet jo vetëm kontribut i çmueshëm dhe i bukur, por edhe premtim se shpirti poetik i kësaj autoreje është i pasur dhe burim i pashtershëm frymëzimi.

Atë që duhet thënë tash, pas përmbledhjes “Ah, Shqipëri…” është fakti se poetja Drenica ka gjetur mënyrë të përshtatshme për t’i zbatuar dëshirat e veta duke i shfrytëzuar fuqitë intelektuale në zgjedhjen e të gjitha elementave më të vlefshme poetike, duke i shkrirë në trajta të harmonishme të thurjes poetike, duke u nisur nga parimi i caktuar dhe i qartë se çfarë është dhe ç’kërkon poezia e saj prej jetës dhe si shprehet në të si funksion.

Ndonjëherë e kemi përshtypjen se poetja Lumturije S. Drenica vargjet e veta i ka shkruar me forcë, e ndonjëherë si me qëllim e ka bërë këtë gjë, sepse ajo ka eksperimentuar dhe me, apo pa qëllim e ka lënë të errësuar deri diku mendimin. Sidoqoftë, fjala e saj poetike meriton një kujdes serioz, sepse përmban në vete mjaft elemente karakteristike.

Nganjëherë në poezinë e Drenicës hasim edhe elemente të epikës, kur kemi të bëjmë me përshkrime të ngjarjeve, ndonjëherë me motive, që më tepër i takojnë botës objektive se sa subjektive. Përshkrimet janë të pasura, të dendura, por kompleksi i ndjenjave është modest.

E ripërsërisim se poezia e poetes Lumturije Drenica është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë dhe identifikohet si e tillë. Poezia e saj është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike.

Poezia e poetes Lumturije S. Drenica, në të vërtetë mund të themi se është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore.

Në ndërtimin e vargut, poetja kryesisht është përpjekur që metrika të jetë e rregullt dhe origjinale. Vargjet po ashtu janë të rimuara (rimash të ndryshme). Gjuha është kryesisht letrare, e në dy-tri poezi, dialektore (në gegërishte).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat