Roman që në çdo lexim ‘zbulon’ minierën e diamantëve

Libra

Roman që në çdo lexim ‘zbulon’ minierën e diamantëve

Nga: Ajete ZOGAJ Më: 9 korrik 2018 Në ora: 00:10
Kopertina

S’ke se si të mos e lexosh e ta rilexosh romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës, sepse në çdo rilexim ‘zbulon’ diçka të bukur, që i ngjason të madhërishmes...Duke lexuar atë të duket se ke hyrë në një ‘minierë diamantesh’ dhe, sa më thellë që futesh në galeritë e kësaj ‘miniere’, mahnitesh, stepesh...nga bukuria e këtyre gjetjeve artistike, këtyre ‘diamanteve’ që aq bukur i ‘qëndis’ me penën e tij, autori Berisha.

Leximi i kujdesshëm i krijimtarisë shkencore dhe letrare artistike të Anton Nikë Berishës, doemos të sforcon bindjen se kemi të bëjmë me autorin poliedrik dhe ndër më prodhimtarin në letrat shqipe.

Studimet e tij shumëdimensionale, sidomos ato për letërsinë e arbëreshëve të Italisë, për Buzukun, Budin, Fishtën, Azem Shkrelin etj., janë një taban vlerash shkencore, po dhe një gurrë frymëzimi e motivimi për studiues të brezave të ardhshëm.

Po aq e arrirë, mbase, shumë e veçantë e tejet e realizuar na shpërfaqet dhe krijimtaria e tij letrare e artistike, në prozë dhe në poezi, të vlerësuara jo vetëm nga studiues shqiptarë, por edhe të huaj, meqë disa nga librat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja, sidomos në italisht.

Derisa në rrafshin e studimeve, numërojmë me dhjetëra libra, në rrafshin artistik, sikur ndalon, bën përzgjedhje fjalësh, mendimesh, idesh, temash e motivesh... I ngjanë atij skulptorit që dalë-ngadalë laton gurin për të nxjerrë figurën...dhe e nxjerr bukur, mahnitëse...ngase, arti i mirëfilltë synon t’i arrijë majat... Dhe, me gjuhën e artit, me ‘gdhendjen’ e fjalës, ia ka dalë!

S’ke se si të mos e lexosh e ta rilexosh romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës, sepse në çdo rilexim ‘zbulon’ diçka të bukur, që i ngjason të madhërishmes...Duke lexuar atë të duket se ke hyrë në një ‘minierë diamantesh’ dhe, sa më thellë që futesh në galeritë e kësaj ‘miniere’, mahnitesh, stepesh...nga bukuria e këtyre gjetjeve artistike, këtyre ‘diamanteve’ që aq bukur i ‘qëndis’ me penën e tij autori Berisha.

Romani vendoset në një hapësirë gjeografike të arbëreshëve të Italisë, më konkretisht të Maqit, vendlindjes së poetit të madh arbëresh, Jeronim De Radës, por që gjatë shtjellimit zgjerohet në një ‘areal’ arbëror deri tek vetëflijimi i vashave nga shkëmbi në mbrojtje të nderit, gjë që t’i kujton vashat ilire e Ilirinë e dikurshme, i përcjellë në një kohë tjetër, atë të Skënderbeut në Krujë, apo tek ura me një krah, që nënkupton pafundësinë e kohës.

E gjithë ngjarja e romanit ka një bazë sa reale aq edhe imagjinare e ngjizur përmes personazhit kryesor, Gjin Bardhelës, me të cilin ndërlidhen personazhe të tjerë. Janë këto disa nga tiparet që tërheqin atë ‘vijën e hollë’ afrinë mes narratorit dhe autorit që është një veçori konceptuale e romanit modern dhe letërsisë bashkëkohore.

Romani është i strukturuar në gjashtëmbëdhjetë pjesë,të cilat autori i quan ‘rrëfejza të brejtura’, apo copëza rrëfimesh që ndërthurin elemente të shumtë me një galeri të kufizuar personazhesh që në vete dhe në rrëfimet e tyre bartin fatin kolektiv të një populli, rrugëtimin e mugët përtej detit që autori e quan qëllimisht Dejti Jonë; rrugëtim që gërshetohet me doke, zakone, valle, besën, dhimbjen, krenarinë, historinë e dhimbshme, traditën... është shtegtimi i kojrrilave me ‘rënkimin e tyre të lodhur e lotues’, dhe Gjin Bardhelës i vjen vazhdimisht ajo jehona që i përcolli arbëreshët ndër vite e shekuj...

“Atjeeeee kaaaam....

të mbuluar 

të mbuluar

në dhéé...”

se varret e të parëve ishin larg përtej valëve të trazuara të Dejtit Jonë.

Anton Nikë Berisha, duke qenë njohës i letërsisë gojore shqipe, ia ka arritur që në mënyrë shumë artistike t’i paraqesë në roman disa nga copëzat e këtij thesari letrar të pasur dhe të veçantë.

Përmes rrëfimeve të Gjyshes Mri, autori rrëfen për gjarprin si roje të shtëpisë dhe roje të njeriut, për simbolikën e shenjave të vendosura e të gdhendura në kaptyell të djepit, që dëshmon se tregimet tona janë të lashta dhe autoktone, e me to është rritur fëmija që nga djepi. Kjo është ajo linja filozofike që në mënyrë artistike përcillet përmes rikujtimeve të gjyshes së Gjin Bardhelës, domethënë, këto tregime janë ruajtur dhe bartur ndër breza të shumtë.

Brenda botës reale dhe joreale, në rrëfejzat e Gjinit ndërlidhen edhe disa personazhe e familje të njohura arbëreshe si: e Matrangajve, Markianojve, Korenejve, Darajve, Andonin e Filomenës ose rrëfimi për grupin e këngëtarëve. Edhe në këtë rrafsh, spikasin këngët e lashta (rapsoditë) që sipas autorit janë qenia e popullit, janë shpirti i shpirtit të tij.

Rrëfejzat në roman vijnë si jehonë kohe ndër vite, duke sjellë mall, sakrifica, etje për vendin e të parëve...që janë etja e gurëzuar.

“I mbulojnë me kujtimet, me atë që ka bërë shtegtimin e tyre jetësor, të tyre e të pasardhësve. Pa të kaluarën njeriu është si pema pa rrënjë” (faqe 75).

A nuk e dëshmon ky citat i librit atë thënien e Lukrecit se “Ata që nuk e njohin të kaluarën, janë si foshnja, nuk dinë asgjë”?

Në përfytyrimet e Gjin Bardhelës ravijëzohet dhe portreti i poetit arbëresh, Jeronim De Rada, sidomos në rrëfejzën “Takim me poetin ose Lumi që nuk vdiste”. Përshkrimi që u bëhet rrënojave ku kishte jetuar De Rada,  paraqet ato mizanskenat e një skenari filmi: ‘Ato kishin hapur gojën thuajse donin t’i gëlltisnin kalimtarët. – Kjo është zakonisht fatkeqësia e të mëdhenjve, që u takojnë popujve të vegjël!...’ (faqe 55).

Rrëfimet e Gjin Bardhelës përligjin, siç u tha,  përfytyrimin e botës reale dhe asaj imagjinare, të kaluarën dhe të tanishmen; kemi një gërshetim kohe dhe hapësire, ndërkaq, në disa nga rrëfejzat, jepen dhe poezi si: “Vallja e harlisur”, “Stina e gurëzuar” që e pasurojnë përmasën poetike të romanit.

Dialogët e zhvilluara ndërmjet Gjin Bardhelës dhe Poetit, janë gjetje të bukura e tejet të realizuara:

- E keni shkruar këtë poezi më herët ose kohëve të fundit? - e pyeti ai Poetin më tepër për ta nxitur të thoshte diçka.

Muaj më parë. Po vijimisht heq ose shtoj diçka. Arti i madh do flijim krijues...” (faqe 64) dhe ” Unë shkruaj, po Tanët lexojnë pak, fare pak. Ata bëjnë punët e veta të mbijetesës. Po pa lexim njeriu është i varfër shpirtërisht, shumë i varfër. Mendojnë se ne mund të mbijetojmë kështu, vetëm me kulturën gojore!?...”.

E thashë edhe më lart se në roman sikur njësohet narratori me autorin dhe me rrëfimin. Kjo më së miri dëshmohet në këtë rast nga fjalët e Poetit (autorit) i cili duke jetuar dhe punuar në ato vise arbëreshe, ka depërtuar thellë në shpirtin e tyre, dhe njëkohësisht shpreh brengën se kështu nuk mund të mbijetohet...

Romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” spikatë për gjetje të shumta artistike, për përshkrime vendesh e ambientesh, ngjarjesh e ndodhish, që në vete mbajnë jehonën e historisë, të dashurisë ndaj atdheut (ata e ‘mbjellin edhe dheun’ që ta hedhin nga një grusht mbi varre; apo, djegia e pyllit dhe mos ikja e gjarprit, se donte të vdiste aty ku kishte lindur), janë skena vërtet të realizuara me mjeshtëri.

Një vend të rëndësishëm zë edhe portretizimi i femrës shqiptare dhe dashurisë së saj të pafund për pjellën e vet, e cila është në gjendje të flijohet për ta mbajtur amanetin e të ‘qëndisë këmishën me fijen e flokëve....me gjakun e faqeve e me lotët e syve...” në mënyrë që ta përmbushë amanetin e të birit...(faqe 31) ose “E drejta zakonore thotë se gruaja ka tagrin e jetës dhe të nderit... Ajo është ora e fisit dhe e shtëpisë sonë” (faqe 135).

Në rrëfejzat e Gjinit spikatë dashuria si vlerë njerëzore e universale...”Dashuria nuk ka lindur as sot as dje, por bashkë me njeriun...(faqe 41), apo: “Mos gruaja kishte ardhur ta merrte? Po, pse ta merrte?! Të rrinte e të bënte dashuri me të? Po në qoftë se shpirti ndahet nga trupi dhe shkon në qiell, çka i duhej Gjini asaj!...E si mund të bëhej dashuri pa shpirt? Vetëm me trup, thua ti...?”(faqe 21).

Ngritja e Konstantinit nga varri për ta mbajtur besën, është një gërshetim i bukur i motivuar nga legjendat, i rrëfyer nga i ati i Gjinit, që i ngjason një episodi të veçantë filmi, me ambientin e veçantë, me klithjet, thirrjen e largët për ta mbajtur besën... e në një rëfejzë tjetër që flet për “Gjakësorët ose vëllaminë e burrërisë”: Mata i Mazrekut vranë djalin e Balë Gjon Ukë Shtjefnit të Kolë Ndrecës, sepse shkel nderin e gruas së hasmit të tij (hasëm po, po jo t’i cenohet e t’i përmbyset nderi), që tregon atë vlerën e qenësishme që e kishte cilësuar njeriun tonë.

Ajo që duhet vlerësuar te ky roman është kujdesi që autori tregon ndaj gjuhës dhe shtjellimit të fjalisë. Romanit i japin gjallëri shumë forma e shprehje të veçanta, fjalë të reja si: bulon, gjallërike, kjasonte, kuvendim, firoi, shtjellën e mendimeve, lëbyrosur, lenuar, etj; apo figurat stilistike: mbillet edhe dheu; në shkëmbësinë e lotit ose Përmbytja për besën mund të rrënonte gjithë botën e Arbërit.

Romani “Gjin Bardhela i arbëresh& Etja e gurëzuar” është ndër romanet më të realizuara artistikisht në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Vlera e tij është e shumanshme: artistike, gjuhësore, edukative dhe si i tillë vepra e meriton të jetë pjesë e çdo biblioteke dhe e çdo familje.

Gjatë gjithë kohës sa lexova e rilexova këtë roman më sillej në kokë ajo thënia e filozofit anglez Bertrand Rasel, i cili thoshte se ka dy arsye për të lexuar një libër: një të shijosh leximin; tjetra mund të mburresh rreth tij!

E ne mund të mburremi me këtë roman poetik të Anton Nikë Berishës.

Së fundmi, mund të them se romani “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” edhe pse jo voluminoz (183 faqe tekst) flet e thotë shumë. Një teksti të tillë mbase mund ta krijojë vetëm një autor i aftë, i rryer dhe i ngulmues që i kushton kujdes çdo shkronje e fjale të ‘mbjellë në fletën e bardhë’ për t’ua lënë si vlerë të patjetërsueshme brezave të sotëm e të nesërm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat