Avokati Sylë Arifi boton një libër publicistik

Libra

Avokati Sylë Arifi boton një libër publicistik

Nga: Sylë Arifi Më: 3 korrik 2018 Në ora: 10:53
Kopertina e librit

Libri i nëntë me radhë, “Diplomacia ndërkombëtare dhe shteti i Kosovës”, i publicistit Sylë Arifi, botuar nga gazeta “Epoka e re”, sapo ka dalë nga shtypi.

Ky libër është vazhdimësi e krijimtarisë publicistike të autorit. Në këtë libër janë analizuar përpjekjet dhe kontributet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj bërë nga populli shqiptar, por dhe përkrahur nga disa shtete dhe qarqe ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA-ja).

Duke parë ngjarjet historike në këtë libër, shohim edhe sakrificat e shumta të shumë veprimtarëve shqiptarë, të cilat rezultojnë me luftën çlirimtare, të nisur nga UÇK-ja dhe e ndihmuar nga NATO-ja, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb. Pa dyshim, heronjtë dhe dëshmorët, që u flijuan në fushëbetejat e përgjakura kundër forcave ushtarake-policore serbe për çlirimin e Kosovës, janë gurët themeltarë të shtetit tonë. Në këta gurë historikë kontribute të mëdha kanë dhënë edhe ShBA-ja, BE-ja dhe disa shtete të tjera demokratike, të cilat në këtë libër përmendën shpesh.

Në këtë libër janë vlerësuar angazhimet dhe sakrificat atdhetare të popullit tonë dhe të mërgatës shqiptare. Janë vlerësuar përpjekjet e subjektit politiko-institucional në Kosovë nga hapësira etnike shqiptare. Po ashtu, kontributet e diplomacisë ndërkombëtare për vendosjen e statusit final të Kosovës.

Në disa kapituj të librit janë bërë analiza specifike duke iu referuar fakteve të shumta dhe rrethanave se çfarë kemi mundur të bëjmë më shumë duke i kryer shumë detyra tonat si shtet dhe si do t’i forconim mekanizmat institucionalë nga tri pushtetet sipas Kushtetutës. Si rrjedhojë e mosrespektimit të shumë akteve demokratike, bazuar në rendin kushtetues dhe konventat ndërkombëtare, lidershipi ynë shtetëror, në mungesë të njohurive dhe praktikave shtetformuese, pa pasur guxim politik dhe shtetëror, është gjykuar dhe ndëshkuar për vonesa, të cilat i ka regjistruar publicisti Sylë Arifi në këtë libër qindra faqesh.

Në disa pjesë të librit janë vlerësuar përpjekjet e qarqeve pseudopolitike dhe intelektuale për ta ndryshuar vlerësimin ndaj shtetit dhe institucioneve tona, duke iu nënshtruar shumë kushteve dhe kërkesave për ta bllokuar afirmimin e sovranitetit shtetëror. Sidomos, vazhdimi shumëvjeçar i dialogut me Serbinë ka shkaktuar vonesa dhe pengesa për të funksionuar si shtet sovran, pasi që nga bisedimet e deritashme të Kosovës me Serbinë ka përfituar vetëm Serbia, e cila kudo i është paraqitur botës si shtet miqësor dhe si viktimë në raport me Kosovën. Por, e vërteta është ndryshe. Është sikurse është shkruar në këtë libër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat