Udhëtim në kohën fizike dhe metafizike, midis kujtesës dhe ëndrrës - Bota Sot
Udhëtim në kohën fizike dhe metafizike, midis kujtesës dhe ëndrrës

Libra

E hënë, 23 korrik 2018

Udhëtim në kohën fizike dhe metafizike, midis kujtesës dhe ëndrrës

Nga: Dukagjin Hata Më: 19 qershor 2018 Në ora: 11:33
Ilustrim

Në një rrëfim alla Izabel Aljende, me nuanca të holla lirike dhe dramatike, shkrimtarja me banim në Selanik të Greqisë, ku jeton prej njëzet e pesë vjetësh, Kristina Demiri Dojçe, na sjell një prozë të ngjeshur e të shkruar me një stil vështrimi në thellësi, plot ndjesi dhe emocion. Ashtu sikurse Aljende tek romani “Paola”, Dojçe merr shkas nga sëmundja e saj për t’u lidhur në një raport narrativ me kujtesën dhe përditshmërinë, duke zbuluar lidhjen mes tyre dhe urat që lidhin njerëzit dhe kohët. Por “prekjet” e saj janë prekje në truallin shqiptar, në kohën e një brezi të keqkuptuar, ku traditat, zakonet, kodet psikike dhe morale, tabutë dhe klishetë kanë një fytyrë tipike ballkanike.

Lufta për jetën dhe dashurinë njerëzore është tema e këtij romani, ku ngjarjet e subjketit, të fragmentizuara hap pas hapi e faqe pas faqeje, të çojnë në kthina të panjohura të kujtesës së autores, e cila njëherësh është dhe protagonistja e romanit.

Në romanin e saj të porsa botuar “Fal dashuri”, Kristina na përcjellë ajzergun e një jete plot trazime, ku dhimbja ndërkallet me shpresën dhe realiteti i dhënë në gjithë thellësinë e tij, të ngjet me një triller plot befasime.

Pas dy librave, njëri me poezi dhe tjetri me tregime, që kanë prekur telat e brendshëm të lexuesit, veçanërisht ato të gjinisë femërore, të cilës dhe i drejtohen më së shumti, Kristina Demiri Dojçe i dhuron lexuesit një roman, me rrëfime të ngrohta e të sinqerta, me grimca të qëmtuara nga jeta e saj dhe e brezit të saj, me një gjuhë të latuar bukur, të ëmbël e të hidhur njëherësh, njësoj si rrugëtimet e saj drejt shpirtit njerëzor. 

Ajo ka shumë për të rrëfyer, di të rrëfejë dhe rrëfimin e saj e mbështet në themele të një gjuhe të sigurtë, me një stil të përpunuar e lakonik, plot figura të gjalla mbresëlënëse.

Nëse në poezitë e Kristinës lëvrin një botë femërore pasionante, ku kureshtja dhe kërkimi në botën e gjërave, që e rrethojnë, përzihet me ndjeshmërinë e hollë, aftësinë për të vëzhguar në prerjet më të imëta e më të holla të realitetit, që nis nga uni i saj e rrugëton në dhjetëra e qindra pore të jetës së gjallë, të kohës dhe historisë, në prozën e saj ka tablo narrative plot kolorit, ku lubrifikohet rrëfimi, ndjenja, aksioni dhe emocioni.

Ajo që e bën të veçantë autoren dhe i vesh asaj petkun e prozatores, është rrëfimi i saj i shtruar, sponatan, pa sajime dhe artikulime të sforcuara, pa retorikë dhe klithje; ku sundon lirizmi poetik, përshkrimet e imëta, që shkrihen në botën e brendshme të protagonistes, e çila në pjesën më të madhe të gjendjeve identifikohet me vetë autoren.

Përditshmëria jonë, me mungesat, vetminë, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe filmike, e bëjnë prozën e Kristinës të lexohet me një frymë dhe të pasprihet tek lexuesi me një kohë reflektimi.  

Në prozën e saj një vend kryesor zë puna, raportet shoqërore, familja, një botë feminile e trazuar nga situata e ndjesi që përthyhen në marrëdhëniet burrë- grua, bir -nënë, raportet në çift të të dashuruarve etj.

Autorja mban një qëndrimi të qashtër dhe pa paragjykime ndaj objektit rrëfimtar, pra ndaj të ndodhurës, duke i mëshuar idesë së saj rrëfimtare, për një familje të shëndoshë, të motivuar nga përkushtimi dhe pasioni human, për të mbajtur në mënyrë dinjitoze peshën e jetës. 

Të gjitha këto cilësi të shfaqura në përmbledhjen e saj me tregime, bëhen më të prekshme e më të gjalla me praninë e tyre në këtë roman, ku ajo fokuson një botë emocionale të trazuar nga përditshmëria dhe kujtesa.

Të ecësh në zgrip të ekzistençës, e rrethuar me dhimbje, privime, frikë, ankth e vetmi dhe, mes vorbullave të një dileme hamletiane, të gjeshë kurajë për të rrëfyer e mbi të gjitha për të falur dashuri, kjo të mbërthen në faqet e këtij romani të shkrimtares Kristina Demiri Dojçe.

Në sprovën e saj kurajoze për të na dëshmuar një realitet që nuk është aspak poetik, përkundrazi është ankthioz, lexuesi gjen megjithatë një frymë të përndezur lirizmi dhe poetike, që autorja na i sjell me anë të një rrëfimi të “situr” hollë, ku shpalosen të ndodhurat e saj në kohë dhe të cilat i lidh filli magjik i dashurisë.

Të falësh dashuri, edhe kur brenda teje “fati” të ka falur dhimbje, dhimbje fizike e shpirtërore, edhe kur e rrethuar nga stresi, ngutja gjer në alarm, që të dikton një sëmundje e rëndë, ora duket sikur shkon në të kundërt të akrepave të saj, kjo është vetëterapia e Kristinës në rrugën drejt shërimit dhe shpresës.

“Fal dashuri” është një roman i shkruar me nerv, me një stil të zhdërvjellët, ku përzihet lirizmi me dramën e protagonistes, me një gjuhë të latuar dhe plot mesazhe të thella filozofike, etike, njerëzore dhe estetike.

Heroina e romanit nuk na përcjellë një dramë sentimentale e melankolike të vuajtjes dhe rënkimit, por një sagë qëndrese, që merr kuptim në udhëtimin e saj drejt vetvetes, drejt kujtesës, drejt historisë së saj dhe të brezit të saj, në raport me kohën dhe bashkëkohësin.

Romani përshkohet nga një narracion i beftë, i çliruar nga proliksiteti, nga rëndomësirat, nga truket dhe recetat, nga moralizimet dhe shtampat agjustive, me të cilat është mbushur dëng romani shqiptar, edhe pse jetojmë në një epokë të çlirimit të madh të estetikës nga jashtëestetika.

Aftësia e saj e pazakontë për të rrëfyer përfundimet e vëzhgimeve, soditjeve, përsiatjeve të mjediseve, njerëzve, ndodhive, por mbi të gjitha të thellësive të unit, e bëjnë romanin tërheqës deri në befasim, duke na zbuluar një botë të pasur shpirtërore dhe një temporitëm të thyer emocional.

Tonaliteti lirik, vëzhgimi i hollë, i ndjeshëm, i imët në përshkrime, thellësisht realiste dhe transhendente, duket se janë produkte të një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën, me frymëzime nga lufta për të triumfuar mbi dhimbjen, mbi rënien dhe zvetënimin, mbi fatin që duket si fatalitet, por që heroina e romanit, që me gjasa është vetë autorja, e çliron nga çdo dozë pesimizmi dhe fataliteti.

Autorja udhëton në kohën fizike dhe metafizike të ëndrrës së kulluar, ku në rrekjen e saj për të mbledhur pikë pikë nektarin e kujtesës, ndeshet me baticat dhe zbaticat e një jete të jetuar për të tjerët, emëruesi i përbashkët i së cilës është dashuria.

Psikanaliza e fakteve, detajeve, gjendjeve të trajtuara me aq realzëm, me nota lirike dhe poetike, kapërcimi i çdo kornize trajtimi bardhë e zi të situatave narrative, të gjitha këto e cilësi të tjera të procedimit estetik të tregimtares, e bëjnë romanin e saj aq të gjallë dhe komunikuese në vetëdijen e lexuesit të çdo moshe.

Autorja rrëfen shtruar, sikur po flet me veten apo me një grup fëmijësh para oxhakut me zjarr, në vatrën dimërore; është një rrëfimi i ngrohtë, lirik, me penelata të holla nuancash e kundrimesh stilistike, të cilat e bëjnë prozën e saj të lexohet me një frymë, duke na bashkëshoqëruar gjatë këtij leximi, nënvizimi nëntekstual, midis rreshtave, që autorja iu bën rrethanave dhe fatave ku mplekset protagonistja, e cila siç thamë është vetë shkrimtarja.

Kristina shkruan lehtë, sikur hedh me një dorë të shpejtë shenja mbi tealajo; ajo di të zgjedhë e të selektojë me kamerën e saj vëzhguese, prej shkrimtareje shijehollë, të veçantat e produktit artistik, duke ia nënshtruar ato një analize të imët, tekstore e nëntekstore, të drejtpërdrejtë dhe poetike.

Ajo nuk kërkon të bëjë “filozofira të mëdha”, me të cilat janë mbushur dëng mjaft autorë e që shpesh, ngaqë bëhen për t’u dukur, kthehen në shtampa deklarative dhe ilustrative; ajo është një rrëfimtare e sinqertë, e ngrohtë, spontane, me gjithëfarë ritmesh e ngjyrash jete e ku rrinë në bashkëjetesë të plotë elementët klasikë e modernë, duke na përvijuar trajta dhe peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe përditshmërisë.

Kur lexon romanin “Fal Dashuri” të shkrimtares Kristina Demiri Dojçe, lexuesi ndjen thellësi, ngrohtësi, realizëm, fiksion, trill, rezistencë, shpresë dhe kupton se ka të bëjë ë me një autore që ka një përvojë të thellë jetësore, çfarë kërkon ta përpunojë në filtrin e saj estetik, me një qartësi dhe thjeshtësi tronditëse, gjë që mendoj se është edhe ana më e veçnatë e vlerave të këtij romani.

E thashë në krye të herës, në këtë rrrëfim të Kristinës ka diçka prej shkrimtares së shquar Izabela Aljende, por vetëm në përkimin e kërkimit në skutat e kujtesës, në stilin plot kolorit gjuhësor e semantic, në rrjedhën si gurgullimë të fjalës, pasi në gjithë narrativën e vet, Kristina është krejt vetvetja; me një gjuhë të thjeshtë e të dëlirë ajo na shtyn të kërkojmë në thellësitë tona dhe  ta çlirojmë kujtesën nga ngërçet e të kaluarës.

Romani “Fal dashuri” i shkrimtares Kristina Demiri Dojçe lexohet me një frymë dhe pas leximit të pare, ke dëshirë t’i kthehesh rishtas një leximi më të thellë e më reflektiv, duke zbuluar kështu pas çdo rreshti e pasazhi një botë femërore plot emocion, që përcjell mesazhin e dashurisë, si kryemesazhi, për të cilin kishte dhe ka më shumë nevojë se kurrë bota, veçanërisht shqiptaria jonë, për dje, për sot dhe për nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test