Promovohet romani "Psycho” - Bota Sot
Promovohet romani "Psycho”

Libra

E premte, 17 gusht 2018

Promovohet romani "Psycho”

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 22:47
Promovimi i romanit "Psycho”

Në Panairin e Librit, që është duke u mbajtur në Prishtinë, sot është promovuar romani problematik “Psycho” i shkrimtarit Ilir Muharremi. Ky roman tërhoqi vëmendje të madhe nga lexuesit. Për librin foli studiuesi nga Shqipëria Elvi Sidheri i cili tha: “Kur nis të lexosh romanin Psycho të shkrimarit Ilir Muharremi, gjëja e parë që të bie në sy është thellësia në të cilën përnjëherë zhytet lexuesi porsa kapërdin faqen e parë të këtij libri. Do pranuar se termi “Psycho” qysh në titull ta ofron një sintezë të vetë përmbajtjes së librit, duke shërbyer si udhëzues mjaft i mprehtë për vijimin e lexueshmërisë së këtij romani, dhe qëllimisht edhe titulli është lënë në versionin anglez, për të ushtruar një efekt më të fuqishëm mbi kërshërinë e lexuesve, një element ky tepër me vend në mbarëvajtjen e këtij romani.” Sipas tij, pija, seksi, shtytjet epshore, joshjet dehëse, gotat e zbrazëta, lekët nën dorë, karrierat e stisura nga favore të mugëta, shndërrohen në këtë libër deri në një kanibalizëm aspak metaforik apo retorik, që nuk është asgjë tjetër veç një impulsi kafshëror që e shtyn njeriun drejt ekstremit, pasi shoqëria ia ka shteruar forcat me pafytyrësinë dhe ligësinë e saj. “Prandaj ky libër do të zërë vendin e merituar në bibliotekën tuaj, bashkë me ngarkesën e origjinalitetit që ia karakterizon çdo faqe, mendim e ngjarje.”

Vilson Culaj para të pranishmëve theksoi: “Libri ,, Psycho ‘’ është sfidant për tu kuptuar dhe i lehtë ( shije ) për tu lexuar. Ta mbarështrosh një vepër letrare me fundament psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, ( si diskurs e fiksion letrar ) është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike, vetënjohjeje e rigjetjeje të vetvetes përmes kulturës së gjerë të leximit.” Ai vazhdoi: “Libri ‘’Psycho’’ është libër për veshët e shurdhër e mendjet e hapura. Duhet kulturë leximi për ta lakmuar e durim për ta shijuar këtë libër unik. Lexuesi i rëndomtë dhe pa gjeografi të mendimit, ndoshta këtë libër do ta trajtonte si , Libri i ërrët i ndërdijes autoriale ‘’, por në fakt ky libër është gjakim për ta larguar errësirën dhe iluzionin e tyre sociologjik, psikologjik e të traditës pa përmbajtje të kolektivitetit që shpeshherë në mënyrë të verbër, dinë t’u besojnë edhe ligjeve të Asurdit. Shëtitja nëpër ngjarje përmes politekstit letrar, por edhe psikoanalitik të autorit Muharremi, është aftësi e tij e rrallë intuitive, por ndonjëherë me pak çalime estetike dhe me mungesë të një plasimi të një doze të optimizmit të duhur tek lexuesit. Intertekstualiteti i tepruar, arbitrariteti, fiksioni, nihilizmi, mbiracionalizmi i tepruar, por edhe rrëfimi psiko – romanor pa mbushje me personazhe tjera përcjellëse, e zbehin pak dhe e dyzojnë strukturën e këtij libri multi disiplinar.”

Autori Muharremi para të pranishmëve tha: “Ky është një libër problematik, dhe duhet të kihet kujdes se si lexohet sepse njerëzit imitojnë dhe mund ta imitojnë jetën e protagonistit, e kjo është rrezik i madh”.

Pasi përfundoi promovimi, të pranishmit kishin mundësi të marrin nënshkrime nga autori Muharremi.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test