Vërtetë më mallëngjeve, babush!

Libra

Vërtetë më mallëngjeve, babush!

Xheladin MJEKU Nga Xheladin MJEKU Më 8 qershor 2018 Në ora: 07:06
Murat Z. Gecaj: “GJURMË, NËPËR UDHË”, botues “EDLORA” – Tiranë, 2018

U botua libri i 17-të me radhë, përkatësisht libri i dytë Jetëshkrimor me biseda, portrete, poezi e mesazhe, i Prof. Murat Z. Gecajt “Gjurmë, nëpër udhë”, për të cilin po i sjell lexuesit këtë recension, në shenjë të Informacionit për daljen në dritë të kësaj monografie. 

1. Shpalosje kujtese…

Kaherë, kisha provuar të shkruaja pak fjalë për njeriun, që më së shumti meriton ta portretizojmë me

fjalë zemre, me dashurinë që nuk mbaron kurrë dhe me ndiesinë prej urtaku, njeriun që frymon me ëmbëlsinë shpirtërore në çdo takim, nga çdo organizim vetanak ose institucional të krijuesve të artit dhe letërsisë.

Gjithnjë, kam ndaluar së shkruari nga pasiguria se nuk do t’ia dal ta shpreh me fjalë gjithë atë, që meriton të thuhet e të kujtohet për Profesor Murat Gecajn, që pastaj të ndihem i qetë, pa mos e trazuar imagjinatën në vazhdimësi, për ta plotësuar e rishkruar së dyti, së treti, … Në fakt, puna më e vështirë, që mund të ndodh, është ta portretizosh e ta përmbyllësh me fjalë vlerësimin për këtë erudit të letrave tona, meqë nga çasti në çastin tjetër, nga dita në ditën tjetër, në çdo kohë, ai vjen me diçka të re, me shkrime e informacione nga zhvillimet kulturore; sjell portrete krijuesish nga çdo vend, gjithnjë në kërkim dhe zbulim të talentëve e talenteve të reja, për t’i paraqitur sa më origjinal për opinionin lexues.

Në parim, Murat Gecaj mund të vlerësohet ndër më të veçantit, që i është qasur një pune poaq të veçantë, për të takuar e bashkuar në një sofër të madhe kombëtare krijuese të artit pamor, të dramaturgjisë, të letërsisë e historisë, të fushave të ndryshme të kulturës e shkencës sonë kombëtare gjithë botën krijuese të gjinisë së bukur. Askund më mirë e më të sigurta nuk ndihen këta emra e personalitete, sa në librat e Profesor Murat Gecajt.

Është emër i përveçëm Profesor Murati. Prandaj nuk është vështirë ta takosh e ta njohësh nga larg, gjithnjë në ngarendje, si bleta herake në pranverën e bukur, ku gjen nektarin nga çdo skaj i fushave të bleruara, për ta ëmbëlzuar pastaj çdo lexues e adhurues të botës letrare dhe artistike. Këtë nektar e kam shijuar prej vitesh dhe vazhdoj ta shijoj nga fjala në fjalën tjetër, nga botimi, në botimin e radhës dhe me kënaqësinë më të madhe i mbaj në vendin më meritor të bibliotekës sime vetjake, libër-dhuratatë nga Profesor Murati, për t’i lexuar e rilexuar në çastet kur më duhet të çlodhem e të relaksohem. Dhe sa më gjatë të jesh në shoqëri me Profesor Muratin, me fjalën dhe këshillat e tij, aq më i çlodhur e më I relaksuar do të ndihesh, padyshim!

2. Pak fjalë, që prekin “Gjurmë, nëpër udhë…”

Edhe tash, kur po shfl etoj librin jetëshkrimor “GJURMË, NËPËR UDHË…” nr. 2 (Biseda, portrete, poezi e mesazhe) kam po atë ndjenjë sa të gëzueshme, poaq edhe të pasigurtë se do të them sadopak një fjali a mendim që e shpreh përafërisht atë, që meriton emri dhe vepra e tij madhore; ta përshkruaj gjithë rrugëtimin e tij të pandalur në trajtimin e ngjarjeve dhe portretizimin e krijuesve të profi leve të ndryshme letrare dhe kulturore.

Derisa po kaloja nga faqja, në faqen tjetër të këtij libri, takova shumë dëshmi e argumente të pafund, që pasqyrojnë rrugëtimin e Profesor Muratit, portretizimin e të cilit e sjellin të skalitur saktësisht, me fjalë e vargje shumë krijues e bashkëveprimtarë të tij, duke pasqyruar një pjesë të mirë të jetës së tij, plot vlera e suksese të panumërta. I tillë ishte Profesori edhe në vitet e hershme, të tillë e njohim edhe nga shkrimet dhe librat e parë e këtej.Dhe, asnjëherë, nuk mund ta gjesh të fragmentarizuar veprimtarinë e tij, sepse zinxhiri i veprimtarisë së pandalur daton nga rinia e hershme, për të vazhduar, pashkëputshëm gjithnjë, deri në këto çaste, kur po sjell edhe pjesën e dytë të jetëshkrimit të tij.Por gjithnjë në bashkëveprim me miq e kolegë, nga gjithë bota shqiptare.

Lirisht, mund të them se, kujtesa e mirë, rrjedhshmëria e ngjarjeve dhe paraqitja kronologjike e veprimtarive të Profesor Murat Gecajt e bëjnë këtë libër shumë tërheqës për lexuesin, prej nga pamje e tabllo jete të tij vijnë të paraqitura si nga celuloidi fi lmik. Aty, numër i madh krijuesish, regjisorësh e aktorësh me përvojë do të kenë luajtur episode të panumërta, në pasqyrimin e jetës së bujshme dhe plot veprimtari të këtij personaliteti.

Është kënaqësi ta kalosh kohën me “rrugëtimin” e këtyre ngjarjeve, ku asgjë nuk mbetet për t’u zbërthyer më vonë, meqë lidhja spontane e tyre krijon një botë të paimagjinuar, plot art, kulturë dhe jetë, që shpërfaq realitetet kohore, kur janë shkruar e publikuar

3. Në vend të epilogut

Një stërzgjatje rreth këtij vlerësimi do të krijonte monotoni për lexuesin, kur kam parasysh mundësinë e prekjes dhe përjetimit shpirtëror të kësaj materje kaq burimore dhe plot jetë, me daljen në dritë të librit “Gjurmë nëpër udhë”, simbolika e të cilit shpërfaq, që në nismë, botën e vërtetë të jetëshkrimit të Prof. Murat Gecajt. Besoj që po këtë mendim do ta përqafojnë edhe lexuesit tjerë, dhe me kënaqësinë e pashembullt do të dëshirojnë ta kenë ndër librat e veçantë, në bibliotekat e tyre vetjake e familjare.

Në mbyllje të këtyre pak fjalëve, për librin e një personaliteti, që shpërndan rreze diturie gjithandej në breza e gjenerata, një emri që kaq fuqishëm qëndron në piedestalin e vlerave të pakontestuara të cultures sonë kombëtare, vërtetë ndihem shumë i lumtur që njoha dhe kalova kohë me veprat e tij, u frymëzova dhe përjetoj vëllazërisht çdo fjalë, bisedë e komunikim të ndërsjellë, që vijnë si mesazh i fuqishëm për jetë, krijimtari, punë dhe vlera…! Në çdo çast, kur qendroj në Prishtinë, edhe atëherë kur ndaloj në Tiranë dhe, padyshim edhe nga Nju Jorku i largët, do ta kem në shoqërim, do ta ndiej mesazhin e fjalës së Prof. Muratit, si një forcë e pandalshme motivuese për rrugëtimin drejt vlerave në krijimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera kulturore. Vërtetë e tillë është puna dhe vepra e tij, ndonëse i shtyrë në moshë, plot elan për punë e frymëzime, për të gjithë ne!

-Më mallëngjeve, Profesor Murati!– do të ishte fjala pëmbyllëse, për këto çka thash më lart, duke zbrazur sadopak atë ndryrje dashurie, në shpirtin tim për një temë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat