Prishtina gati për Panairin Ndërkombëtar të Librit

Libra

Prishtina gati për Panairin Ndërkombëtar të Librit

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 16:14
Ilustrim

Nesër fillon Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë. Sipas organizatorëve, gjithçka është gati që ky vit jubilar të organizohet në mënyrën më të mirë. Madje për këtë vit janë paraparë edhe risi, të cilat nuk kanë qenë më herët.

Anëtari i bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, në një intervistë për KosovaPress tha se edhe botuesit janë përgatitur mjaftueshëm që përveç shitjes të ofrojnë edhe takime me lexues dhe shkrimtarë.

Ai theksoi se e veçanta e këtij panairi është edhe pjesëmarrja e shkrimtarit francez François-Henri Désérable, vepra e të cilit vjen në shqip pikërisht në vigjilje të panairit.

Zeneli: Është pikërisht një panair jubile

“Është pikërisht një panair jubile. Ka shënuar rritjen e vet, qoftë me botuesit pjesëmarrës, me aktivitetet shoqëruese që karakterizojnë një panair të mirëfilltë të librit. Natyrisht janë ditë që grumbullojnë botuesit, autorët, përkthyesit, por e veçanta e panairit janë lexueshmëria ose vizitueshmëria e madhe që tregon se kemi një lexues të mirë në Kosovë... E veçanta e krejt këtij panairi është edhe pjesëmarrja e shkrimtarit francez që vjen në kuadër të këtij panairi, François-Henri Désérable, një shkrimtari i ri 30 vjeçar, i cili vitin e kaluar ka bërë bujë me romanin e tij ‘Njëfarë Z. Piekielny’ që vjen në shqip pikërisht në vigjilje të këtij panairi. Vet pjesëmarrja e autorit, ardhja e tij në Kosovë dhe përkthimi i shpejt i atij romani në gjuhën shqipe është një privilegj dhe nder që i bëhet letërsisë shqipe, duke krijuar edhe lidhje të letërsisë shqiptare me letërsinë franceze dhe botër ore”, tha ai.

Zeneli bëri të ditur se në kuadër të Panairit  do të mbahen rreth 50 aktivitete të ndryshme që koincidojnë me përvjetorët këtij viti.

Teksa shtoi se edhe këtë vit do të shpallet shkrimtari i vitit nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, si dhe stenda më e vizituar.

Zeneli: Do të shënohen shumë përvjetorë të rëndësishëm  

“Siç e dini është viti i Skënderbeut, pastaj është 200 vjetori i Jubanit, nga rilindësit tanë të hershëm, është 100 vjetori i Tajar Hatipit që ka kontribuar shumë për librin në Kosovë dhe lidhjet e librit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe pastaj përvjetorë të tjerë, bie fjala 100 vjetori i Solzhenicinit sikundër që është edhe përvjetori i Migjenit. Të gjitha do të shënohen dhe përgjatë panairit do të ketë edhe folës që do të flasin rreth veprave të tyre dhe natyrisht është dita kur do të ketë ndarje të çmimit”, tha Zeneli.

Drejtori i shtëpisë botuese “Buzuku”, sqaroi se nga 100 botues sa pritet të ketë panairi, rreth 40 shtëpi botuese janë nga Kosova dhe 60 nga shtetet tjera si Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora. Derisa potencoi se është shteti ai që duhet të mbështesë më shumë librin.

Zeneli: Shteti duhet të jap kontributin e vet për librin

“Përafërsisht janë rreth 100 botues, aq është potenciali i forcës së botuesve sot në botën shqiptare, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, dhe natyrisht kemi një vërshim të përkthimeve dhe kjo është shumë e mirë sepse krijon ura të bashkëpunimit me letërsinë botërore. Sot në shqip botohen shumë shpejt ajo që për sot është më e mira në botë dhe kjo tregon që libri, faktikisht botimi, është shndërruar në industri të vërtet duke i falënderuar edhe botuesit dhe institucionet relevante që merren me librin. Dhe natyrisht, në këtë drejtim duhet edhe shteti të japë pak kontributin e vet, të mbështes më shumë librin”, tha Zeneli.

Sa i përket infrastrukturës që aktualisht Kosova ka, edhe pse sipas tij nuk është për t’u lavdëruar, Zeneli u shpreh optimist se ambientet ekzistuese krijojnë  mundësitë minimale që libri të shndërrohet në një festë të vërtetë, gjë që do të mundësojë të ruhet tradita dhe të rritet konkurrenca mes botuesve.

Ai foli edhe për prurjet në panairin e sivjetmë, ku bëri të ditur se do të dominojë proza dhe poezia.

Zeneli: Proza është më e rëndësishmja

“Po sigurisht proza është më e rëndësishme, duke përfshirë edhe përkthimet nga gjuhë të huaja edhe prurjet nga letërsia shqipe, por pa munguar edhe poezia. Ne shqiptarët e duam shumë poezinë. Ka një vërshim të madh të poezive, por kjo është e mira... Natyrisht kemi edhe kujtimet që janë interesante dhe praktikohen në botë. Kështu që panairi do t’i shpalosë të gjitha këto vlera, të gjitha këto zhanre dhe 5-6 ditët e këtij panairi do të ketë një festë e vërtetë”, u shpreh ai.

Zeneli shprehet optimist për jetën e librit në Kosovë, derisa theksoi se ka filluar të ketë lëvizje, pasi që Ministria e Arsimit nga 30 mijë sa janë ndarë vitin e kaluar për librin, këtë vit ka ndarë 100 mijë euro. Sipas tij, pritet që edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të mbështesë librin.

Panairi i Librit hapet nesër në orën 18:00 ndërsa vazhdon deri më 10 qershor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat