Atdhedashuria- lajtmotiv i poetit Abdullah Blakçori

Libra

Atdhedashuria- lajtmotiv i poetit Abdullah Blakçori

Nga: Zymer Mehani Më: 2 qershor 2018 Në ora: 19:54
Vëllimi poetik “Aromë lulëkuqesh”

Edhe pse për atdhedashurinë, për dëshmorët dhe heronjtë,  mund të kemi lexuar dhe dëgjuar shumë, kur e lexojmë vëllimin poetik “Aromë lulëkuqesh” me poezi dhe poema përkushtuese për bijat dhe bijtë më të denjë të Llapit, të Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, çdo gjë të duket e re, e fuqishme dhe interesante, që vërtet na emocionon duke na shkaktuar dhimbje, por pa dyshim duke na e rritë edhe më shumë krenarinë kombëtare.

Në çdo poezi, varg e fjalë të vëllimit në fjalë, dashuria dhe sakrifikimi për atdhe  tingëllon dhe qëndron aq njerëzore dhe e vërtetë, sa s’ka zemër shqiptari që të mos preket dhe të mos ndjehet krenare, por edhe të ngashërehet.

Dridhjet e zemrës gjatë leximit të kësaj përmbledhjeje, magjia e fjalës, ritmi, notat poetike, të gjitha këto e ngrenë përmbledhjen në lartësinë e veprave të mirëfillta poetike, duke e shndërruar në monument letrar për atdheun dhe dëshmorët.

Në këtë vëllim poetik, poeti Abdullah Blakçori na ka treguar me mjeshtëri të lartë artistike dhe me thellësi të madhe atdhedashurie historinë e një qëndrese shumëshekullore ndaj okupatrit, që nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri te epoka e viganit, heroit të kombit Zahir Pajaziti:

Atdheut stuhinë ia ndalën

Frymën e shpirtit ia falën

Me gjak e shkrujtën historinë

Me zjarr flakëruan përjetësinë

(Nga poezia “Dëshmorët”)

Sa të gëzojnë dhe të shtojnë krenarinë fitoret në luftën heroike të dëshmorëve,  aq të rëndon dhe të lëndon rënia e tyre për liri.

Zahiri, Hakifi, Edmondi, Adem Jashari, Tahir Sinani, Ismet Jashari-Kumanova e një vargan i tërë heronjsh e heroinash vërtet janë trima dhe të ndershëm, por ata nuk dëshiruan që të shkëputeshin asnjëherë nga normat dhe idetë për çlirim përfundimtar të atdheut tonë, me të cilat ishin edukuar që në fëmijëri. Në çdo poezi, madje edhe në çdo fjalë e varg ne ndjejmë kudo heroizmin dhe dashurinë e tyre, që kishin ndaj popullit prej atdhetarësh të vërtetë, por edhe revoltën, që siç tregon edhe vetë vepra e heroizmi i tyre, ishte karakteristikë e tyre, sa herë që është fjala për çlirimin e vendit.

Sado vend të madh që zë Kosova dhe Shqipëria në këtë vëllim, figura qendrore, prapëseprapë, siç tregon vetë titulli, janë dëshmorët dhe heronjtë e kombit tonë, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Marigona Pozio, Isa Boletini, duke vazhduar me Jasharët legjendarë (Shabanin, Ademin e Hamzain), me Zahirin, Hakifin e Edmondin, me Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun, Ilir Konushevcin e Bahri Fazliun, Elfir Behramin e Sami Plakollin, Mirsad Gashi-Shpicin, Agim Ramadanin, me heroinën Ylfete Humolli, Jetulla Islamin, Mustafë Llapashticën, Ali Ajetin, Shaban Shalën, Fadil Tallën, Besnik Restelicën, me Hyzri Tallën, Ilir Durmishin e Afrim Maliqin,me Shkëlzen Haradinajn, Isë Havollin, Hasan Ramadanin, Ali Ajetin, Fadil Tallën, Bajram e Murat Muratin, me Jusuf Gërvallën, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Me Isë Havollin, Mehmet Visokën e Bedri Ahmetin, me simbolin e rezistencës sonë kombëtare, bacë Adem Demaçin, Ukshin Hotin e Xheladin Rekaliun, si dhe me një galeri të tërë heronjsh e dëshmorësh të atdheut, portretizimi i figurave të të cilëve na jep shkas dhe frymëzim çdonjërit prej nesh për të përjetuar çaste krenarie për atdheun, që lindi dhe rriti bijat e bijtë më të denjë të tij-heronjtë dhe dëshmorët.

Heroizmi dhe atdhedashuria, qëndresa dhe sakrifica që gjejmë për dëshmorët në këtë vëllim janë tipare të shqiptarit të vërtetë që me asnjë çmim s’i braktis interesat e popullit, madje as me çmimin e gjakut dhe të jetës, të cilën edhe ua dhuruan lirisë së atdheut. Në vargjet poetike të kësaj përmbledhjeje motivi atdhetar të tërheq dhe të bën të ndjehesh krenar për të qenit shqiptar.

Heronjtë janë madhështorë në veprimet ndaj armikut, por tejet të thjeshtë me bashkëluftëtarët e tyre besnikë. Brumosja që nga prehri i nënës me atdhedashuri, sinqeriteti i thellë, ashpërsia kundrejt armikut shekullor, i bëjnë këta trima e trimëresha prore të pavdekshëm dhe i ngrehin ata në Altarin e Madhështisë.

Rënia heroike e këtyre atdhetarëve është nga çastet më të dhimbshme të historisë së Kosovës. Një dhembje gjithnjë të përzier me krenari e hasim në shumë poezi të këtij vëllimi.

Ata s'kishin fjalë, sall vepra kishin

Stuhisë së Veriut prore n'ballë i rrishin

Nuk duronin mjegull e as re të zeza

Kur përmbi Atdhe errësonte krahneza

Kur korbat e zinj na rrinin mbi krye

Ata n'qiellin tonë ndritën sikur yje

Korbat e Veriut me martina i pritën

Me plumba lirie në kokë i goditën

Me barot t'Zahirit i mbushnin martinat

Nga breshëri e tyre jehonin kodrinat

Me gjakun e tyre njomën tokë e gur

Që t'valojë n'Atdhe i yni flamur

(Poezia “Dëshmorët”)

Vëllimi poetik “Aromë lulëkuqesh” është një përmbledhje poezish që të josh me magjinë e fjalës poetike dhe me mendimet të skalitura bukur në çdo fjalë e varg. Duke lexuar këtë përmbledhje, ne çmojmë pa masë humanizmin e autorit të kësaj vepre, diapazanin e gjerë të ndjenjave dhe mjeshtërinë në nivel artistik.

Jeta dhe veprimtaria luftarake e heronjve dhe e dëshmorëve të atdheut po gjen një reflektim gjithnjë e më të gjerë në letërsinë tonë të sotme, veçanërisht në poezi.

Brezi i ri i sotëm, që nuk e ka njohur nga afër luftën e lavdishme të UÇK-së, është i etur të dijë e të mësojë për rrënjët dhe për zanafillën e kësaj rezistence të armatosur kundër shtypjes shekullore serbosllave. Prandaj, edhe poezia atdhetare është burim njohurish i llojit të vet, që lexuesi i ri e fiton në mënyrë të këndshme. E një kontribut tepër të madh në kultivimin e poezisë atdhetare (përkushtuese për dëshmorët) prej kohësh është duke e dhënë edhe poeti ynë i Besianës ilirike, z Abdullah Blakçori, që tani po e kurorëzon me përmbledhjen poetike “Aromë lulëkuqesh”.

Në qendër të vëllimit poetik “Aromë lulëkuqesh” janë figurat madhështore të luftëtarëve të lirisë. Poeti Blakçori, heronjtë na i paraqet të fuqishëm, atdhedashës dhe tejet luftarakë:

Ju, shqipe, prijëse të UÇK-së

Pamjen e Grykës e vigjëloni nga Bregu

Dhe i buzëqeshni blerimit të pranverës

Që me flatrat tuaja e sollët për ne

Rrezet e lirisë i ndriçojnë shtatoret Tuaja

Sipër të cilave ngroh dielli i lirisë

Edhe nga heshtja Juaj ndalet stuhia

Ajo vritet nga emrat Tuaj hyjnorë

Nga emrat Tuaj të pavdekshëm

Që vesojnë sytë e yjve

E shohin me dritën tuaj

Shtatorja e heronjve, çati e lirisë

E mbron Atdheun nga rrebeshi i stuhisë

(Nga poezia”Shtatorja e heronjve”)

Është e pranueshme mënyra e përshkrimit dhe e portretizimit të dëshmorëve. Figurat e tyre sikur gjallërohen nga vargu në varg, nga poezia në poezi dhe nga faqja në faqe të këtij vëllimi dhe kështu e vazhdojnë pavdekësinë e tyre pa andralla dhe shqetësime në këto poezi.

Me stil të pasur e me ngjyrime epiko-lirike poeti Abdullah Blakçori arrin për ta gjetur rrugën e komunikimit me mendjen dhe zemrën e lexuesit.

Mendojmë se përmbledhja “Aromë lulëkuqesh” në tërësi shquhet për vlerat artistike. Ndjenjat e atdhedashurisë, të thurura bukur në vargun poetik, shpërthyen nga zemra e poetit dhe kanë diçka të përbashkët me bardhësitë e atdheut dhe janë vetë ritmet e jetës sonë.

Njeriu është i lidhur me truallin e vet që nga gërvishtjet e gjunjëve, kur mëson të ecë dhe gjatë gjithë jetës së tij. Ai gjithmonë ka jetuar në tokën amtare. I ka kënduar dhe ka qarë, është prerë e vrarë gjatë jetës së kaluar me shtypje e përbuzje të vazhdueshme. I afrohej asaj në ditë të mira e në luftë, shtrihej mes saj si për ta qafuar, si për t’i pëshpëritur ato fjalë të fundit që mbyllin një jetë tragjike, por plot lavdi, se njeriu binte për tokën, për rrënjët e jetës.

Kështu vepruan edhe heronjtë e heroinat e kombit tonë, të cilët me heroizmin e tyre kaluan në përjetësi.

Me këtë dashuri për trollin e të parëve, sapo të hasin në këto poezi, do të edukohen dhe brumosen edhe fëmijët e të rinjtë tanë, që sot po rriten në liri.

Dashtë Zoti që brezit të ri t’i vigjëlpjnë sytë dhe t’i ndrisin plot shkëlqim drejt së ardhmes, sepse tek e fundit, dëshmorët dhe heronjtë u flijuan për lirinë e atdheut, në të cilin të rriten fëmijët tanë krejt të lirë.

Poeti Abdullah Blakçori i shkruajti këto vargje me gjithë zemër, sepse ai është shpirt poeti i vërtet, prandaj mburrje s’njeh, as di të mburret. Këtë fakt më së miri do ta kuptojmë sapo t’i lexojmë vargjet e para të autorit tonë të talentuar, të cilit nga zemra i urojmë suksese të mëtejme në krijimtarinë e tij letrare…

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat