Botën e brendshme, sakrificat ndaj familjes dhe atdheut...

Libra

Botën e brendshme, sakrificat ndaj familjes dhe atdheut...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 1 qershor 2018 Në ora: 11:08
Kopertina e librit

Në librin që doli nga shtypi në vështrimin e redaktores të librit Mevlyde Mezinit Saraçi me titullin “Burime jete” kushtua autores Afërdita Strellci në me tjerash thuhet: Afërdita Strellci vjen para lexuesve me librin e saj të dytë me poezi, me titull “Burim jete”, libër ky që i dedikohet të dy prindërve të saj me rastin e shtatëdhjetë e tre vjetorit të lindjes. Autorja, në librin e saj me poezi “Burim jete”, të shtrirë në katër kapituj, ka shkrirë vargje të veçanta me përkushtimin e saj që e dëshmon edhe vet titulli, duke gërshetuar dashurinë, shqetësimet, mallin, humanizmin dhe në këtë mënyrë përmes krijimtarisë letrare ka arritur që lexuesit t’ia prezantojë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të saj kombëtar me dekada. 

Afërdita si atdhetare, veprimtare , intelektuale, profesioniste, tanimë e njohur edhe në botën letrare, paraqet ndjenjat e saj, frymëzimin e shpirtit përmes vargjeve të cilat i ka shkruar me vite dhe të cilat paraqesin botën e brendshme të saj me gjithë përjetimet, sakrificat, dashurinë ndaj familjes, atdheut, ndaj së bukurës dhe trishtimin e shpirtit në momente të caktuara. Kjo autore e librit tha në vazhdim Saraçi  nuk heziton të përshkruaj përmes vargut periudhat e vështira nëpër të cilat ka kaluar, rëniet dhe ngritjet me forcat e veta. Edhe Afërdita si shumë poetë e shkrimtarë të mëdhenj çdo ditë frymëzohet nga malli për atdheun nga mërgimi, duke shpalosur secilin moment, në mënyrën ashtu siç edhe e ndien. Ky fakt e bën vargun të rrjedh natyrshëm pa hiperbolizime, pa zbukurime, në mënyrë të thjeshtë dhe gjuhë të rrjedhshme për ta lidhur miqësinë me lexuesit e të gjitha moshave.

Poezitë e saj karakterizohen me dashurinë e madhe dhe qëndresën e autores nëpër rrugë të vështira nëpër të cilat ka kaluar ajo dhe vendi ynë dhe në fund kanë dalë fitimtarë. Në disa poezi hasim edhe në zhgënjimin e autores nëpër procese nga njerëz që dikur i ka konsideruar si miq të saj por në fakt i kanë dalë si mospërkrahës dhe mosmirënjohës. Ky fakt e bën edhe më të qartë guximin e poetes që të përballet me realitetin në çfarëdo kohe, qoftë edhe përmes vargut krijues. Ata që e njohin Afërditën – tha Mevlyde Mezini   dhe personalitetin e saj nuk habiten por pajtohen me qëndrimet e saj në botën reale edhe në atë letrare. Poetja e ka të ngulitur në shpirt dashurinë ndaj prindërve të saj për të cilët dërgon mesazhe të fuqishme nga largësia siç di të përshkruan bukuritë e atdheut në të njëjtën mënyrë. Autorja e këtij libri ka qenë e mishëruar me fatin e kombit ndaj edhe në këtë libër të saj, të dytin me radhë, nuk mund ti ikë temave që i përkasin atdheut dhe atdhedashurisë, prandaj mund të them lirisht se  shpirti i saj poetik nuk është i qetë derisa të sfidohen edhe padrejtësitë dhe problemet që paraqiten tek individi apo në shkallë vendi.

Ata që e njohin Afërditën dhe personalitetin e saj nuk habiten, por pajtohen me qëndrimet e saj në botën reale edhe në atë letrare

Afërdita Strellci, tani bën jetën e saj në mërgim, por në të njëjtën kohë ajo ndjen dhembje për plagët e hapura dhe ndjenjën që përjeton atje si një e huaj po ashtu në një vend të huaj. Mbase ashtu ndjehet jo vetëm ajo por secili që ka dhënë kontributin, mundin dhe djersën për ta çliruar vendin dhe sërish duhet të përballet me një luftë tjetër por kësaj radhe individuale me vetveten e pastaj me të tjerët në mënyrë që të mos dorëzohet. Të gjitha poezitë, pra shtatëdhjetë e tri sish, janë poezi që paraqesin larushi temash e që ngërthehen me përkushtimin dhe dedikimin e saj kushtuar, nënës dhe babait, të cilët i ka edhe burim jete, prandaj edhe libri pikërisht përmban këtë titull.

Afërdita Strellci si fëmija më i madh në familje, e shkolluar, e emancipuar, intelektuale, atdhetare, magjistra e shkencave të ekonomisë, një zonjë e papërkulur kohërave të trishtuara, një poete e re e cila po ecë me hapa të sigurt drejt ngritjes cilësore me poezitë e saj, dëshiron tu dalë borxh prindërve që i mban si sinonim dashurie e jete, por edhe t’ua ofroj lexuesve shpirtin e saj poetik që mishërohet me dashurinë.

Dashuria e autores për prindërit dhe familjen i ngjan dashurisë për atdheun dhe anasjelltas, shpirtin e autores e ngacmojnë edhe padrejtësitë e kohës dhe të individëve. Mbase përmes kësaj forme të komunikimit, Afërdita ka arritur ta përcjellë fuqishëm mesazhin për të gjithë ata që arritën të bëjnë zgjidhje për veten dhe familjet e tyre ndërsa ata që meritojnë, vazhdojnë të përballen edhe më tej me fatin e jetës.

Ballina përmban një foto të huazuar nga interneti, të punuar dhe përshtatur nga Shpresa Strellci Kryeziu, simbolikë e veçantë e librit e cila na bën të kuptojmë mesazhin e titullit dhe të brendisë së tematikës së poezive në këtë libër. Për njerëzit që e njohin Afërditën dhe shpirtin e saj human nuk ka nevojë shumë shpjegim por edhe për ata lexues që nuk kanë arritur ta njohin e kanë mundësinë përmes vargjeve të saj si kristal të shijojnë krijimtarinë e saj.

Shpirti poetik i Afërditës nuk është i qetë derisa të sfidohen padrejtësitë dhe problemet që paraqiten tek individi apo në shkallë vendi ...

Me këto vargje autorja i shtron pyetje vetes se cili është caku i saj. Mbase me bagazhin e saj ajo do të duhej edhe më tej ti printe proceseve nëpër të cilat po kalon vendi ynë për faktin se ishte në ballë të aktiviteteve në ditë e vite të rënda dhe të gjitha i përmbylli me sukses. Shpresoj se koha do ta tregoj të vërtetën dhe sërish gjërat do të bien në vendin e vet dhe autorja do ta gjej edhe cakun e vet. Këto vargje shprehin kulmin e dëshirës që ende nuk e ka realizuar autorja, Afërdita Strellci dhe dallon shumë nga njerëzit që kanë lakmi për paranë, përderisa kjo e peshon me peshën e shpirtit, pasurinë që i tejkalon të gjitha përmasat, ndjenjën e të bërit nënë dhe gjyshe.

Këtu autorja paraqet fuqinë e dashurisë së prindërve e cila e mban në jetë edhe pse ka mijëra kilometra që e ndajnë nga vendlindja. Pra shpirti poetik ligjëron dhe buron dashuri të ndërsjellë, prind fëmijë dhe anasjelltas për të gjetur shtegun e jetës. E kush është si nëna? Pra, Afërdita e përshkruan me emocion dashurinë për nënën, të cilën e krahason me dritën e diellit dhe valët e detit! Se dashuria është shumëdimensionale dhe njeriu gjatë jetës së vet gjen dashurinë e vërtetë, flasin edhe vargjet e kësaj poezie. Autorja nuk ngurron por me sinqeritet nxjerrë vargjet e shpirtit të cilat ia dedikon të dashurit, njeriut të saj të jetës, për çka poezia cilësohet si poezi lirike erotike që sjellë ndjenjat e pa dukshme në vargje.

Në këto vargje vërejmë shpërthimin e autores, e cila në rrugët e vështira të jetës ka krijuar bindjen se padrejtësia i bën njerëzit të vuajnë. Këto vargje janë edhe mesazh për ata që bëjnë padrejtësi. Konsideroj se lexuesi gjatë leximit të poezive do ta bëj vetë gjykimin, qoftë të tematikës, shtjellimit apo të ndërtimit të vargjeve. Edhe kjo tematikë është shumë aktuale ndër ne dhe rrënjët e saj janë futur diku thellë në shpirtin e njerëzve të këqij të cilët nuk ngopen duke përvetësuar gjëra të pa merituara. Mosdorëzimi është element tjetër i rëndësishëm në jetën reale por edhe në krijimtarinë letrare të autores së këtij vëllimi, Afërdita Strellci. Vetë fakti se autorja tani bën një jetë të re, mijëra kilometra larg vendlindjes e familjes dhe ende është në kërkim të reales, ajo nuk dorëzohet por qëndron e lidhur me vendlindjen përmes formës së shkruar duke sjellë para lexuesve tanimë dy libra.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat