Edhe një roman i Eqem Bashës në frëngjisht!

Libra

Edhe një roman i Eqem Bashës në frëngjisht!

Nga: Bajram Sefaj Më: 26 maj 2018 Në ora: 12:21
Kopertina e librit

Romani i shkrimtarit tonë të mirënjohur, Eqrem Basha, në gjuhën shqipe titullin e ka “Lakorja e Ik’sit”. Është botuar në Prishtinë në vitin 2011, në bibliotekën “Oda” të Kohës ditore, kurse në frëngjisht, në përkthim të  shkëlqyer të Sébastien Gricourt, ky roman merr tjetër emër: “La Ligne de fuite”. Pasi ka bërë dhe bën jetë intensive te lexuesit (gjithë)shqiptarë, duke marrë kritika të favorshme e plotë lavd, ditë më parë, këtë roman, e nxjerr në dritë (në treg), Shtëpia botuese “Non Liieu” e Parisit. Suksesit të madh dhe admirimit që kishte të lexuesi shqiptar, ja se tash ai është edhe në duart e lexuesit francez kur i nënshtrohet gjykimit dhe vlerësimit të tij. Të gjithë lexuesve frankofonë bashkë, e, që pak nuk janë!

Duhet përkujtuar se ky s’është kontakti i parë i E. Bashës me lexuesin francez. Jo, përveç që edhe vetë, nga kjo gjuhë e madhe, përkthen në shqip, ai është përkthyer, shumë më herët dhe shumë herë më parë, në frëngjisht.

Pasi që, me pak fjalë të kursyera dhe tejet të thukëta, sa të goditura që shënohen në kapakun mbyllës, që kanë të bënte me temën që shtjellohet në romanin  “La Ligne de fuit”, botuesi francez, lesuesit të vet, autorin Eqrem Basha, ia prezanton me një informatë të shkurtër (telegrafike),  duke e cilësuar atë si intelektual, botues dhe njeri të letrave kosovare. Është lindur në Dibër, në Republikën e Maqedonisë, autori ka bërë studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Paralelisht me punën e tij si shkrimtar, ai ka përkthye në shqip tekste dramaturgjike të Eugène Ionesco, Giuseppe Ungaretti dhe Samuel Beckett. Që nga viti 1971, datë kur publikon përmbledhjen e tij të parë me poezi “Shëtitje nëpër mjegull”, ("Promenade dans le brouillard"), ai ka botuar një dyzinë librash të tjerë.

Pas “Hijeve të natës dhe rrëfimeve të tjera nga Kosova” (Fayard, 1999), ja edhe një libër i ri nga Eqrem Basha, më në fund, në dispozicion në gjuhën frënge!

Jo për revansh, as qëllimi tjetër, pos fisnik dhe, më parë për baraspeshë (vlerë) e mirënjohje ndaj tij, për lexuesin tonë shqiptar, japim një letërnjoftim të shkurtër (telegrafik), mbi përkthyesin e romanit të E. Bashës, në gjuhën frënge. Sébastien Gricourt. Është një shqipfolës i mrekullueshëm. Ai e flet e shkruan aq mirë në gjuhën shqipe, sikur ta kishte pasur atë gjuhë amtare. Me talent të dëshmuar në shumë fusha të punëve letrare. I diplomuar në INALCO (Institute National des Langues et Civilisations Oriental), në Paris. !Ishte nxënës (student) i profesori të njohur të gjuhësisë shqipe. Z. Remzi Përnaska i cili qëmoti jeton dhe krijon në Paris.  Ndërkohë, z. Gricourt ka ushtruar dhe krye shumë funksione të niveleve më të larta, në raportet reciproke midis shtetit Francez dhe Ballkanit, të përfshirë në vorbullën e luftës se atjeshme, të fundit,  gjakderdhëse, veçmas të Kosovës, të cilës, në bashkautorësi me bashkëkombësin e tij, z. Gilles Pernet, në vitin 2014 botoi librin publicistik me titull “Kosova – rrëfime mbi ndërtimin e një shteti”, që pasoi fill pas vizitës së Kosovës dhe artikullit-analizë, “Kosova shikuar nga Prishtina”, botuar në gazetën prestigjioze Koha ditore të Prishtinës. Sébastieni, pos që është autor i mpreftë i shumë artikujve satirikë, analizave dhe publikimeve të tjera, me tema e motive nga Kosova, deri me tash, ka përkthye e botuar, gjithandej në hapësirën e kësaj gjuhe të madhe, tregime, poezi dhe sajime të tjera letrare të autorëve shqiptarë.

Tash u vjen rendi dy-tri fjalëve të botuesit mbi romanin e E. Bashës, “La Ligne de fuit”.

“Personazhi anonim i këtij romani merr vendim të ngujohet në heshtjen komplete kundruall (vis-à-vis) mjedisit të vet në shoqëri. Mirëpo, duke vendosur që të mos merr pjesë më, as në më të voglin diskutim, të mos të përgjigjet në asnjë provokim dhe në asnjë shkelje, ai nuk është aspak aktiv as në luftë me vetën e vetë. Mjedisi gjeografik i pa definuar, mbi te cilin bën fjalë rrëfimi, është  universi i tij i fundit. Në fakt, kontesti narrativ i gjendjes se keqe në pyetje, mund që përnjëherë ngatërron mbarë bashkësinë shoqërore ose individin e thyer shpirtërisht nga mjedisi bosh, në kuptim me plotë fjalë të papeshuara, përfundon me marrjen e vendimit të azilit, të ikjes, të mbyllës në heshtje.

Kapitull pas kapitulli të këtij romani, testi na bën të gjallë dhe me vlimin dramatik  që protagonisti përjeton gjatë kalimit nëpër një të vërtetë të situatës dhe të  perspektivës, gjersa kulmon në të pa shpresë pa fund dhe me shije absurde. Mirëpo, nga ky presion i brendshëm, çështja që përshkon rrëfimin gjithashtu ka kapacitetin e individit për ta luftuar kundër së padrejtës, aberimive dhe të realitetit agresiv të botës që e rrethon”.

Romani i E. Bashës “La Ligne de fuit”, përbëhet nga njëzet kapituj, një prelud dhe një postlud, merr dyqind e njëzet e shtatë faqe libri formati pak më të zgjatur (25 më 13 cm.) dhe kushton 13 euro, që për tregun francez s’janë shumë.

Lexim të këndshëm!                                  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat