Vlerat letrare dhe mprehtësia e mendimit krijues

Libra

Vlerat letrare dhe mprehtësia e mendimit krijues

Nga: Sejdi Berisha Më: 21 maj 2018 Në ora: 13:53
Sejdi Berisha

Krijuesi Ryzhdi Baloku, i cili kryesisht i takon krijuesve të veprave historiografike, të romaneve po ashtu letraro-historik, kësaj radhe publikut dhe opinionit lexues i prezantohet me një libër me titull mjaft karakteristik, “Në fronin e shkrimit”, me të cilin pretendon dhe ia ka arritur, që fjalën e shkruar jo vetëm ta veçojë por edhe ta vë në piedestalin e skenës së afirmimit, gjë e cila, ende na mungon sa e si duhet. Dhe, po ashtu ia ka arritur që atë, pra, fjalën e shkruar të përjetësojë, duke e vënë pikërisht në fronin e shkrimit, ashtu siç titullohet edhe vetë libri, të themi me trajtesa, respektivisht, me eseistikë, kritika, analiza dhe mendime. E gjithë kjo përshkohet edhe me pasqyrimin e mendimit e vlerave krijuese, për çfarë dëshmon edhe thënia latine “Fjala ikën, e shkrimi mbetet”, të cilën e ka spikatur në fillim të librit, si moto filozofike dhe këshillë, peshën e së cilës duhet kujtoj se bartur me vete secili krijues, secili lexues dhe secili njeri.

Këtë mesazh thelbësor dhe intelektual, sikur me qëllim e vë si dritërrëfim për të na bërë me dije se në librin “Në fronin e shkrimit”, ka për synim, aq sa për vete, edhe më shumë me qëllim për ta afirmuar punën, dhe  vlerat e larta krijuese në përgjithësi, mesazhin dhe, po ashtu mënyrën e trajtesave letrare.

______________

Afirmimi i peshës së fjalës dhe i madhështisë shpirtërore “detyrim” intelektual dhe kombëtar

Për këtë arsye, në hyrje të librit, autori Ryzhdi Baloku, thekson: “Në këtë libër i kam përmbledhur përsiatjet dhe shkrimet e mia për veprat letrare të disa autorëve, si dhe shkrimet e krijuesve të cilët kanë shkruar për krijimtarinë time...”. Andaj, “Në fronin e shkrimit”, autori, pothuaj se është ndër të rrallët që në këtë formë dhe në këtë mënyrë, ka reflektuar respektin dhe kujdesin intelektual krijues ndaj vlerave krijuese, dhe se shkrimet e tij, jo vetëm se hedhin dritë afirmimi dhe shprehin mprehtësinë e mendimit të tij krijues, por, autori shumë kujdesshëm na prezanton në mënyrë gjithëpërfshirëse peshën e shkrimit, rëndësinë e tij tek lexuesi dhe opinioni gjerë. Po ashtu, përmes kësaj, ndoshta “fshehurazi” apo edhe detyrueshëm imponon edhe domosdonë për ngritjen e zërit për respektimin e shkrimit, të temave që shtjellon ai, mbase edhe të, po ashtu respektimit të peshës së vlerave të përgjithshme dhe shumëdimensionale, për të cilat nuk jemi mësuar që të flasim sa duhet në mënyrë respektative, e pse jo edhe për afirmimin më meritor dhe më të madh të vlerave shpirtërore, kulturore, letrare, historike, shkencore dhe historiografike.

Për titullin e librit “Në fronin e shkrimit”, me siguri se autori nuk është përcaktuar pa shkas, apo vetëm sa për të qenë një titull libri. Jo. Vetë ky titull shndërrohet në detyrim e qortim për ta çmuar edhe vlerën, peshën e fjalës, peshën dhe madhështinë shpirtërore dhe krijuese të shkrimtarit. Sepse, kështu çmohet puna, vlera dhe krijimtaria, e cila, sot, për shumë arsye është bukur e nëpërkëmbur pothuaj se në të gjitha trevat shqiptare.

Duke qenë i vetëdijshëm se vlera krijuese, shprehja dhe shtruarja e mendimit dhe shtjellimi i temës kanë rëndësi themelore dhe të shumëfishtë, autori i këtij libri i vë në spikamë ato shkrime të tija, të cilat, me shumë tituj e nëntituj, e provokojnë lexuesin për “ndërgjegjësimin” e qasjes ndaj shkrimit, leximit përkushtues dhe ndaj veprës përgjithësisht, kuptohet, pa prejudikime për peshën e titullit të veprës apo edhe të emrit të autorit. Kujtoj se edhe kjo çështje, në kushtet e sotme është shumë me rëndësi dhe domethënëse.

Duke pasur parasysh këtë dëlirësi krijuese të veten, autori i ka përzgjedhur disa nga shkrimet e tij më pikante të cilat i ka bërë për disa vepra të krijuesve të ndryshëm, na bën për të kuptuar se ai është tejet i kujdesshëm se si i qaset shkrimit dhe krijimtarisë. Andaj, si me qëllim edhe na i “servir” shkrimet, si: “Estetika e shkrimit dhe vlera e mendimit filozofik”, gjatë të cilit pasojnë mes titujt: “Shkrim me peshën e fjalës që dhemb, që ndërgjegjëson, që trazon e vetëdijeson” etj. Kështu, R. Baloku, në këtë rast, nuk na del vetëm si afirmues i vlerave të veprave të krijuesve të ndryshëm letrarë, por edhe si intelektual i thekur për t’i rrahë kambanat për njerëzoren, për mendimin e thellë, për mesazhin i cili duhet ta ketë peshën e meditimit “përtej” shkrimit dhe, përtej vetë mendimit krijues.

Image
Ryzhdi Baloku

Të gjitha këto dhe veçori të tjera, e arsyetojnë dhe e respektojnë “Fronin e shkrimit” të R. Balokut, si përgjegjësi të lartë krijuese dhe intelektuale e njerëzore, dhe se, me këtë vepër dëshmon se ai di dhe ka sens për të shkruar e për të lëruar edhe si krijues, edhe si vrojtues, edhe si kritik, edhe si eseist, e që përmes veprave të tij i hedh dritë letërsisë, historisë dhe historiografisë kombëtare dhe më gjerë.

Duke e lexuar këtë vepër, kuptojmë dhe mësojmë, se autori di ta shpjegojë e ta shprush simbolikën, ironinë dhe rrugëtimin, elemente këto, që janë si katalizatorë jete e historie tek veprat për të cilat shkruan, Ryzhdi Baloku. Kështu që, ai, veprës i japë peshën e merituar intelektuale por edhe afirmative, kur kemi parasysh se aty zënë vend shkrimet e tij për veprat e të tjerëve, dhe atë, jo vetëm të një fushe, të një kategorie apo edhe të një zhanri.

Përkundrazi. Ai shkruan edhe për librat që trajtojnë “konglomerat” temash, të cilat ngjajnë si vulë, apo janë “dëshmi kohe”. Shkruan edhe për veprat e shumta që janë me nektar e këndim poetik, që autorët e tyre, poezinë, vargun dhe mesazhin e kanë edhe si këndim, edhe si përjetim shpirti, gjëra të cilat padyshim se e fisnikërojnë por edhe lexuesin e bëjnë të lumtur, e bëjnë njeriun të di ta përjetojë mallin dhe dhembjen...!

Image

Cilësia krijuese dhe nevoja për “fronin e shkrimit”...!

Derisa në pjesën e parë të librit “Në fronin e shkrimit”, autori ka bërë dhe realizuar një tingëllimë drite e cila përhapet gjithandej vlerave letrare krijuese, ai, në pjesën e dytë të librit, në mënyrën më të sinqertë, lexuesit ia prezanton edhe mendimet dhe shkrimet e të tjerëve, të cilat janë botuar përkitazi me krijimtarinë e tij. Por, gjithashtu i vë në spikamë edhe shkrimet e tija, që u ngjajnë vlerësimeve, reagimeve apo edhe sqarimeve përkitazi me shkrimet, për të cilat e ka parë ai të arsyeshme të thotë diçka apo të shprehet për ndonjë problematikë, si një njeri me bagazh intelektual dhe kombëtar, por edhe si lexues e krijues. Pra. edhe shkrimet e tilla, reflektojnë nivelin intelektual, krijues, e para se gjithash, nivelin e njeriut me veçori të larta njerëzore.

Ndërkaq, disa nga mendimet e të tjerëve për krijimtarinë e tij, R. Baloku, me modesti por edhe me krenari i ka veçuar: “...z. Baloku, jeni duke bërë një punë të mirë, me peshë dhe me vlera që i nevojitet studimeve historiografike (Sejdi Berisha)”; “...Studim që ndihmon të dalin në dritë fakte të rëndësishme historike...( Ksenofon M. Dilo); “...Je i bekuar nga Hyji për dizajnimin me sukses të kësaj “trilogjie” artistike, ashtu siç Ti di ta mbarështrosh skenarin që mund të jetë syzhe edhe për një film! (Flori Bruqi); “... pa marrë parasysh sa herë jemi pikëtakuar me shkrimet dhe analizat e Ryzhdi Balokut, dhe ky një emër kompleks i fushës së letrave,... ndjejmë se gjithnjë për ne është një ardhje e re, si në lexim dhe në ndjesi... (Fatmir Terziu).

Me qëllim i theksova këto opinione të disave nga krijuesit që janë prononcuar dhe që e çmojnë dhe e vlerësojnë punën krijuese të Ryzhdi Balokut, për të dëshmuar edhe me këtë shkrim, se autori i librit “Në fronin e shkrimit”, me këtë vepër e ka sforcuar themelin e vet krijues në të gjitha aspektet. Andaj, kjo vepër padyshim se është edhe një gur me peshë në rritën e themelit të fortë e të shëndosh dhe kurrë të pa rrënuar të letërsisë dhe të letrave tona kombëtare.

Ryzhdi Baloku, deri me tash ka botuar këto vepra: “Si u themelua ilegalja, Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”-2004(në bashkautorësi me të vëllanë, Remzi Baloku), “Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare”-2007, “Kur barra e kohës rëndon”-2015, dhe tash, librin “Në fronin e shkrimit”-2018. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat