Preshevë: Përurohet libri monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj”

Libra

Preshevë: Përurohet libri monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 8 maj 2018 Në ora: 08:07
Përurohet libri monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj”

Në sallën solemne të Asamblesë komunale të Preshevës, gjatë javës së parë të muajit maj, nën organizimin e  Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, u bë përurimi i librit monografik  “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj”, të autorit prof. Xhemaledin Salihut, në të cilin morën pjesë dashamirë të shumtë të librit nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.

Për rolin dhe rëndësinë e librit foli recensenti  Dr. Veton Zejnullahu, i cili theksoi se  ky është libri i tij i tretë monografik  i autorit Xhemaledin Salihut, pas atij për Bujanocin me rrethinë, pastaj për fshatin Raincë, tash së fundmi edhe për Preshevën, duke e pasuruar kështu edhe më shumë krijimtarinë e tij të çmuar, por edhe duke na dhënë neve informacione të reja dhe të vlefshme për këtë pjesë të trungut tonë kombëtar”.

Në vijim Prof. dr. Nebi Islami, në fjalimin e tij rreth këtij përurimi, tha se ky libër shkencor popullarizues, praqet librin më të kompletuar monografik për Preshevën me rrethinë.

Ndërkaq, Sevdail Hyseni nga Bujanoci, në vështrimin e tij letrar rreth librit u shpreh:” Në librin monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, trajtohen tema të rëndësishme nga aspekti gjeografik,toponimik, historik, gjatë kohërave të ndryshme, luftërat dhe rezistenca e Shqiptarëve të Preshevës për liri e drejtësi, trashëgimia kulturore, trashëgimia natyrore, trashëgimia shpirtërore, Karadaku i Preshevës, arsimi, kultura dhe informimi i saj.”

Po ashtu, Bilall Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Preshevë, lexoi shkrimin e gazetarit nga Gjilani, Tefik Selimi, në të cilin thuhet:”Ky intelektual nuk hezitoi të shkruajë apo të mbledhë të dhëna më të ndryshme për ta ndriçuar Preshevën si pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare shqiptare nëpër shekujt. Andaj, në projektin e tij madhorë “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare nëpër shekuj”, është monografia më e plotë gjer më sot”

Publicisti nga Belgjika, Skender Latifi, u përqendrua me një qasje tjetër, duke e quajtur librin njësi etno-kulturore dhe kartë identifikimi për Preshevën.

Me nga një fajlë rastit u paraqitën: Banush Ymeri, profesor i pedagogjisë nga Prishtina, Agron Isa Gjedian, kryetar i Shoqatës Kombëtare “Bytyçi”, nga Tirana, Orhan Rexhepi e Demush Berisha nga Presheva.

Në fund autori i librit monografik “Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj”, prof. Xhemaledin Salihut, falënderoi pjesëmarrësit e këtij përurimi dhe gjithë ata, që e ndihmuan në mënyra të ndryshme hartimin dhe botimin e kësaj monografie.

Vlen të ceket se madhështinë e këtij përurimi e shtoi edhe prania e Shaban Aliut, profesor i muzikës dhe djemtë e tij, Shkodran dhe Gentian Aliu, profesor violine u kujdesën për pjesën muzikore –artistike të programit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat