Leja për lexim

Libra

Leja për lexim

Nga: Gëzim MUÇOLLI Më: 24 prill 2018 Në ora: 21:53
Foto ilustrim

Nuk e di pse po ju ngucin e po ju qortojnë për punë librash.

Nuk dojnë njerëzit me i këqyrë punët e veta. Ani po ju shkruajnë e po ju thojnë se sot qenka Dita botërore e librit.

Ata harrojnë se ai që s’prekë libër me dor? 365 ditë nuk i ka askujt asnjë borxh me e mësue se sot po u dashka me ble ose me lexue ndonjë libër.

Dikur ata që ia kanë pasur mërzi shkollës shqipe pa kurrfarë dyshimi thojshin se librave mundesh me ia pa sherrin.

I merrnin shembull shkrimtarët si Bacin e disa të tjerë bile edhe lexuesit e librave të tyre që i kanë kalue kushedi sa vite në burg vetëm pse e kanë lexuar një libër për gjarpinj.

Shteti i marshallit i pat ndaluar shumë libra edhe shefat e udbës dhe komandirat i porositnin njerëzit se po e ruanin popullin nga librat e ndaluar.

Sot edhe një profesor kosovar që ka studiuar diku larg, edhe andej ku po vrahen vëllezërit duke luftuar mes veti në emër të zotit, po çuditej pse klerikët bile sot aty ku punojnë nuk u paskan folur për leximin dhe librat duke mbajtur ders atyre që u flasin përditë.

E more profesor, po lyp shumë edhe ti! Po harron se ata gjithëherë ju flasin për libër, vetëm për një libër. E ngritin lart me famë sepse e nxjerrin ekzistencën duke iu thënë gjynahqarëve se vetëm ly libër është hallall.

Eh librat na shtynë efhe sot të flasim për dijen. Është vështirë të jesh i ditur kur të gjithë sot duke e luajtë gishtin mbi një xham të vogël janë bërë pothuajse akademikë të “guglit” dhe të “fejsbukut”.

Këta ta bëjnë sabah edhe ty që e ke trashur xhamin e syzave duke lexuar mbi libra.

Unë i kam dashtë librat e nuk e di pse ende po më kalojnë nëpër duar. Të fundit ma dhuroi dje një folës militant në një takim të diasporës kosovare në Itali me njërin nga zëvendësit e kryeministrit.

Nuk e di se a ma fali pse e pa që nuk isha dakord me militantizmin folklorik apo pse politikani i madh nuk dha përgjigjje në ato pyetje të padëgjuara për mungesë të idesë së formatit nga ana e organizatorit.

Rrallëherë pranoj të më falin ose dhurojnë libra. Libri duhet të shitet nëse ka vlerë sepse vlera dhe malli kanë çmim. E sot nga libri fitojnë vetëm shtëpitë botuese dhe shtypshkronjat, sepse autorët harruan udhën e shkronjave dhe shtegun e dritës dhe me navigator po sorollatën nëpër faqet e rrjetit social si nëpër labirint. Edhe po duket se deridiku po iu pëlqen. Që ti dëshmosh kooerencën nuk duhet harruar t’ua bëjmë Like.

Nuk e di pse edhe unë sot u bëra si ata që i bezdisin të tjerët dukë iu përmendur libra dhe autorë. Ndoshta edhe nuk kam faj gjithaq. Ndoshta-ndoshta krejt fajet i ka Pjetri, ai Pjetri Bukëdhani që s’ di pse nuk ia gjetën të gjitha germat në alfabet dhe e shkruajtën Bogdani. Ai erdhi nga Kosova arbërore e u end rrugëve të qytetit tim të mërgimit 400 vite para meje dhe e botoi librin e parë me poezi shqipe . Eh more Pjetër ç’ tu desh të shkruaje libër shqip në atë kohë kur sulltanët arrinin lavdi e famë duke shtypur popujt që mund të shtypeshin e duke mos u rehatuar kurrë në tokat e gjuhës shqipe.

Prej 1685 më duket se fillova të lexoj saherë kaloj rrugëve të Padovës ku ti e botove te Barbarigo librin “Çeta e profetënve”. Pa harruar se të njëjtat rrugë i pat shkelur edhe i madhi Dante Alighieri kur lypi azil në Padova duke gjetut dritën e mendimit dhe horizonte lirie që diku tjetër ishin nën shenjën e “ Index librorum prohibitorum”.

Sot askush nuk ta ndalon librin as leximin. Halli yt, nëse nuk e do mendjen e hapur. Nuk janë librat për gjithkënd por gjithsecili ka të drejtë të lexojë libra. Edhe ato që i blen për ta zbukuruar sallonin apo zyrën.

Lexo për inat të tjerëve . Edhe për inatin tim.

Shqiptari për inat të tjerëve bënë mrekullira.

E ku ka mrekulli më të madhe se libri i lejuar shqip?!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat