Elaborim në botën e vlerave të një mendimtari dhe të historisë - Bota Sot
Elaborim në botën e vlerave të një mendimtari dhe të historisë

Libra

E enjte, 19 korrik 2018

Elaborim në botën e vlerave të një mendimtari dhe të historisë

Nga: Dukagjin Hata Më: 14 prill 2018 Në ora: 11:32
Foto ilustrim

Libri “Sabri Maxhuni, zbërthyesi i kodeve” i letrarit dhe piktorit të mirënjohur Demir Behluli ka pasur jehonë në qarqet historike-letrare dhe mediatike Prishtinë-Tiranë, jo vetëm se është një libër i shkruar bukur dhe me emocion nga një autor jo i zakontë, rreth veprës së një mendimtari dhe ideologu, që ka bërë aq shumë për shqiptarinë, por dhe për faktin se përtej ideve, qasjeve, kauzave të ngritura e të mbrojtura me aq dije e përkushtim, zbulohen realitete të panjohura ose gjysëm të njohura të shqiptarisë. Botime, qarkullime dhe promovime të tilla tentojnë ta bëjnë më të prekshme dhe më emocionale hapësirën e komunikimit me zemër në dorë për çështjet tona më të ngutshme dhe më kreative, në lëmin e vetëdijësimit atdhetar.

Botimi i një libri është një festë e shpirtërave të lirë dhe një ftesë për reflektim, në këto kohë të tejngarkuara, kur më shumë se aksion atdhetar, ka ngutje, stepje, huti e amulli dhe ku reflektimi duket si një qasje luksoze.

Në këtë këndvështrim, libri “Sabri Maxhuni, zbërthyesi i kodeve” i autorit të mirënjohur Demir Behluli është një shpalim analitik, psikoanalitik, filozofik dhe estetik i vlerave të një mendimtari si Sabri Maxhuni, që tash sa kohë, me librat dhe shkrimet e tij ka krijuar një hapësirë mendimi ndryshe, ku qarkullojnë ide, qasje, mesazhe dhe platforma, që janë aq të prekshme dhe aq komunikuese me realitetin panshqiptar në Ballkan.

Ndërmarrja e shkrimit dhe botimit të një vepre të tillë, nga një autor aq serioz dhe me një fytyrë të tijën në letrat tona kombëtare, si Demir Behluli, e bën këtë vepër sa të thellë e shteruese në qasje, aq dhe me hapësirë të gjërë komunikimi, ku idetë, kauzat, modelet e shpalosura përcjellin risi në trajtim dhe në formën e shkrimtarisë.

Demir Behluli e ka vështruar veprën e Maxhunit në një këndvështrim krejt origjinal, duke zbuluar fjali pas fjalie e pasazh pas pasazhi një botë të koduar komunikimi me lexuesin dhe më gjërë, në zinxhirin shkakësor të ngjarjeve, dukurive e protagonistëve historikë që bën objekt shqyrtimi Maxhuni dhe të cilat Behluli i rimerr sipas mënyrës së tij, duke i kthyer në ide dhe mesazhe gjithëkohore.

Në këtë vështrim esestik dhe filozofik vertikal, Demir Behluli zbulon një eldoradë të “fjetur” të kumteve të shqiptarisë, ardhur nga kohët e saj më të këqija e më të përndritura njëherësh, zbulon “zembrekun” e të ndodhurave, nën optikën e një mendimtari dhe ideologu të spikatur si Sabri Maxhuni.

Për Sabri Maxhunin është shkruar shumë dhe me sa duket ende dhe për shumë kohë do të vazhdohet të shkruhet. Por libri i Demir Behlulit ka disa veçanti, që e bëjnë atë të ketë një hapësirë më të sensibilizuar emocionale dhe mesazhuese me lexuesin. Të ketë më shumë hapësirë për të medituar dhe reflektuar rreth ideve, tezave dhe qasjeve, që përcillen në këtë vepër dinjitoze, e cila gjurmon dhe analizon shenjimet e një mendimtari mendjehapur e kurajoz si Sabri Maxhuni.

Demir Behluli depërton në thellësitë e veprës së Maxhunit dhe zbulon e deshifron kodet që ky mendimtar ka përdorur mjeshtërisht për të ndërtuar përvijimin e mendimit të tij antikonformist, në gjurmët e ideologëve më të shquar të popullit shqiptar, ku më për zemër ka Fishtën, këtë kolos të ndritur të shqiptarizmës.

Duke analizuar imtësisht qasjet maxhuniane, autori i këtij libri zbulon fuqinë dhe realizmin e një vepre shumëdimensionale, ku pika më e fortë është tentimi për të depërtuar në thelbin e historisë sonë të trazuar, në pikat lidhëse të saj me kohë-hapësirën ballkanike, evropiane dhe më gjërë.

Libri “Sabri Maxhuni, zbërthyesi i kodeve“ është një vepër që prek “thembrën e Akilit“ të këndvështrimit historik, politologjik dhe filozofik të Sabri Maxhunit, mosfunksionimin e një historie dhe të një ideologjie kombëtare, të bazuar tek e vërteta historike, për të gjetur derivatet e interesit të sotëm e të nesërm nacional, tek të ndodhurat e së kaluarës së afërt apo të largët.

Tash njëqind e ca vjet shtet i reduktuar i shqiptarëve në Ballkan, historia e tyre na ka ardhur e frustuar, e deformuar dhe e shantazhuar, sa prej armiqve tanë historikë, po aq dhe prej vetë shqiptarëve. Ky është një realitet paditës, i cili zë një vend të rëndësishëm në veprën e Maxhunit. Nga ana tjetër, e gjithë kjo qasje jepet me ngjyra të gjalla pikturale nga autori Demir Behluli, ndoshta dhe për hir të profesionit të tij prej piktori, ndoshta për shkak të fuqisë së tij imazhiniste prej letrari me përvojë, gjithësesi, në librin e shkruar me aq nerv e gjallëri prej tij, me një stilistikë të këndshme dhe ligjerim të rrjedhshëm, lexuesi do të hasë përshkrime dhe analiza mbreëlënëse.

Ashtu sikurse Maxhuni, edhe Behluli e denoncon idenë që sundon linjën zyrtare të historisë së popullit shqiptar,e cila ende vazhdon të ecë me patericat e internacionalizmit të ekskatetdrës dhe mjaft të ashtuquajtura “teza historike” vazhdon t’i “huazojë” nga pansllavistët ortodoks.

Është pikërisht ky keqinformim, ky keqorientim dhe ky devijim historik që na ka penguar ne shqiptarëve të jemi të orientuar prerë dhe saktë në përcaktimin e gjeostrategjisë globale, ku po tentojnë me ngulm të na vendosin aleatët tanë historikë, Perëndimi me SHBA_të në krye, falë të të cilëve ne shqiptarët kemi sot dy shtete në Ballkan.

Duke kërkuar në këto hullinj, Demir Behluli na jep një rezyme të gjërë e të thellë të veprës së Sabri Maxhunit, gjithë kompleksitetin e saj, idetë dhe mesazhet që gëlojnë në të, duke nënvizuar me forcën e detajeve dhe argumenteve të shumtë historikë dhe analitikë, se një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me krijimin e kultit të tjetrit, adhurimin e tjetrit.

Sabri Maxhuni, sipas Demir Behlulit, duke qenë një njohës i mirë i rrethanave nëpër të cilat ka ndodhur rrugëtimi ynë historik, di të depërtojë në palcën e të ndodhurës, di të zbërthejë esencën e të kaluarës së popullit shqiptar, duke na dhënë mesazhe të qarta me kohezion aktual dhe derivate ardhmërie.

Sipas Demir Behlulit, Sabri Maxhuni di të gjejë fijet e duhura në pështjellimin deri në lëmsh të historisë sonë, di si t’iu qaset kodeve, i zbulon dhe zbërthen bindshëm ata, duke na mësuar se “arsyeja duhet vënë në bazë të çdo perceptimi e gjykimi mbi historinë dhe përditshmërinë tonë”

Interesante janë jo vetëm idetë e Maxhunit mbi ekonominë, politikën, interesin nacional të shqiptarëve, aleancat historike dhe ato aktuale, mbi funksionimin e integrimit tonë kombëtar në gjeostrategjinë globale etj, por dhe këndvështrimi origjinal dhe me kolorit afektiv e zbulues i autorit Demir Behluli rrethy këtyre çështjeve.

Behluli analizon me një penë të hollë qasjet maxhuniane dhe zbulon se Maxhuni ka një këndvështrim krejt ndryshe nga gjithë historiografia zyrtare, por më ndryshe dhe nga shumë idealistë të historisë jo zyrtare, ai e vështron Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në rrjedhat e kohëve, Lidhjen e Prizrenit, Kuvendin e Taksimit, Shpalljen e Pavarësisë, Marrëveshjen e Mukjes etj”. Më tej, duke vështruar në thellësi të veprës së Sabri Maxhunit, autori ynë zbulon se” të gjitha kërkimet e Maxhunit të çojnë drejt burimit apo realitetit. Dhe, ky burim është çelsi që shkon drejt suksesit dhe zbërthimit të kodit të tij të dijes”.

Sonda depërtuese e Demir Behlulit si autor është e thellë dhe që andej ai nxjerr minerale mendimi të vyer, që janë mesazhe atdhetarie me vlerë, me rezonancë në kohë, për sot dhe për nesër. Duke e vështruar veprën e Maxhunit në shumë kënde e fushëpamje, deri tek shpërfaqjet tredimensionale të mendimit të tij, ai zbulon fuqinë e kodeve të zbërthyera nga ky deshifrues elegant dhe largpamës, freskinë e meszaheve dhe koherncën e ideve, të cilat pas-shoqërojnë një lexim të imët të gjithçkaje që përbën kontributin e tij të vyer në fushën e mendimit të ri shqiptar.

Në librin e tij “Sabri Maxhuni, zbërthyesi i kodeve” Demir Behluli iu referohet disa çështjeve thelbësore trajtuar në librat e Sabri Maxhunit, duke na përcjellë një esencë qasjeje në lidhje me tematikat më të mprehta të veprës së mendimitarit tonë, që lidhen me historinë e popullit shqiptar, me aleancat e gabuara dhe kauzat e humbura, me kombin, fenë, elitat kombëtare, defektet e shtet-formimit, luftërat për çlirimin e trojeve shqiptare, rolin e figurave historike në kapërcyll të epokave, të cilat kanë përcaktuar rrugëtimet tona të djeshme dhe ndikojnë në rrjedhat e sotme të fatit të shqiptarëve në sijudhesën e vjetër ballkanike.

Në një moshë të shtyrë e me probleme shëndetësore, ku ndodhet autori ynë i neruar Demir Behluli, ndërmarrja e shkrimit dhe botimit të një libri të këtyre niveleve eseistike, kulturogjike dhe historike, është më shumë se një kurajë, më shumë se një obligim. Na duhen libra të këtij soj, për të ndriçuar të kaluarën tonë, për të vlerësuar kontributet intelektuale të lëna në hije e harresë.

Libra të tillë janë më shumë se një këndvështrime analitike rreth veprës së një mendimtari të shquar të ideologjisë sonë kombëtare, siç është Sabri Maxhuni. Janë pjesë e mendimit të ri të elitës sonë intelektuale, që tentojnë të zgjojnë një vetëdije të fjetur gjithëkombëtare, për një rilindje të re të shoqërisë panshqiptare në Ballkan, një apel për të lënë pas një herë e përgjithmonë mitologjitë e stisura dhe përdorimin e historisë për nevoja të politikave dritëshkurtëra të ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test