”Lulet e vendit tim” i autores Emine Hoti

Libra

”Lulet e vendit tim” i autores Emine Hoti

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 11 prill 2018 Në ora: 09:11
Kopertina e librit

Doli nga shtypi libri i titulluar ”LULET E VENDIT TIM” (Përmbledhje me poezi për fëmijë) i autores Emine Hoti - anëtare e kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI - Albani”, Suedi.

Një libër i mirë me vlera, patjetër se të nxitë t’a thuash kritikën tënde parimore. Kështu ndodhi me librin e titulluar ”LULET E VENDIT TIM”, të autores Emine Hoti, pasi e lexova me kujdes. 

Krijimtaria e poetes Emine Hoti është duke u pasuruar me botimet e saj, sidomos kohët e fundit. Është vepra e pestë me radhë e poetes Hoti, e që vërehet dukshëm se ajo nuk ka të ndalur së krijuari.

Në këtë përmbledhje me poezi  hasim vargje nga më të ndryshmet, që arrijnë skajshmërinë e dëshirës së poetes dhe atë në shkallë të lartë - kujtesën në fëmijëri, vendlindjen, atdheun, shqiponjën, flamurin, Skënderbeun, Beratin, Apolloninë, Elbasanin, mërgimin e poezitë e tjera me vlera artistike. Poezia e shkruar në këtë libër paraqet thelbësoren e poetes, që nëpërmjet vargjeve paraqet mirësi, dashuri dhe kujtime të pashlyera për të.

Përmbledhja me poezi me gjithsej 70 faqe, në syrin e lexuesit duket disi e vogël për kah vëllimi, por në brendinë e saj do të hasim poezi vërtet artistike, që të lënë përshtypje dhe të thellojnë në mendime. Poetja Hoti dëshmohet me këtë se është ambicioze e vërtetë për të krijuar vepra me vlera të përmasave të larta letrare.

Do të filloja me emërtimin e librit ”LULET E VENDIT TIM” nga autorja në fjalë. Ky emërtim është motivim i drejtëpërdrejtë i poetes, që ajo paraqet ndjenjën shpirtërore të përjetimit me lulet e vendit të saj. Këtu vërejmë aftësinë e poetes Hoti, që ka prirje poetike e cila ngadalë, por me kujdes, prek ndjeshmërinë e lexuesit dhe e ngacmon ”shpirtin e luleve” duke e zgjuar nga një amulli e kahershme, por jo edhe e harruar tërësisht. Vërtet artistike me mënyrën e kësaj ndërlidhjeje.

Poezia e autores Hoti vë në pah kujtesën e së kaluarës me ngjarje qysh nga mosha fëmijënore, që kanë një kuptim me përjetim të thellë e të paharruar.  

Në poezinë ”TË KUJTOJ” gjejmë vargje me ndikim për brezin e ri:

Sa herë kaloj afër shkollës

Kujtoj shokun e fëmijërisë

Kujtoj ato vite me shoqëri

N’vaj shkrehem ndiej mërzi

Poetja, jo rastësisht, cek në vargun e saj ”Sa herë të kujtoj afër shkollës”, që për lexuesin tingëllon shumë bukur e që secili mendon dhe mund ta gjejë veten, sidomos ditët fëmijërore. Apo vargu tjetër ”Kujtoj shokun e fëmijërisë”. Ky është një dedikim i poetes, kryesisht për lexuesin nostalgjik, dhe dëshmon se ajo ka njohuri të thella poetike, që krijon vargun me kuptim qysh nga ditët e fëmijërisë.

Poetja Emine Hoti, po aq artistikisht thur vargje ku përdor një rregullsi të ndërtimit të poezisë që përfshin rrafshin atdhetar me prirje të veçantë, e që lë mbresa të pashlyeshme te fëmija.

Këtë e hasim më së miri në poezinë e titulluar ”ATDHEU”, që autorja e ka vënë mu në fillim të librit, e cila në vargjet e strofës së parë të saj, shkruan:

Përherë të kam në mendje

Me nostalgji të kujtoj

Zërin e ëmbël të zogjve

T’atdheut tim e kujtoj

Poetja këtu dëshmon se i rri pranë atdheut dhe ka për obligim të shkruajë për t’i vetëdijesuar fëmijët si gjeneratat e ardhme: të mos e harrojnë vendin e origjinës së tyre, se prej kah kanë ardhur.

Poetja i përkushtohet kryesisht fëmijëve me këtë përmbledhje poezish, me të vetmin qëllim, se për fëmijët po shkruhet pak dhe duhet të shkruhet shumë më shumë. Këtu nuk fsheh fare mallëngjimin e ditëve fëmijërore, që për fëmijët janë kujtime të paharruara. Nuk lirohet nga përjetimi i ditëve të para shkollore. Këtë e hasim edhe në poezinë e titulluar ”MËSUESI IM I PARË” e përkujtimi të vjen te ditët e para në bankat shkollore. Në këtë poezi sjell këto vargje:

Të kujtoj gjithmonë

Mësuesi im i parë

Përherë këshilla tuaja

Për mua janë ar.

Çka paraqet poetja në këto vargje? Në secilin varg ajo gjen shprehje të kushtuara mësuesit të saj të parë, e që porosia e tij ka mbetur vlerë e çmuar, apo siç thotë poetja:

”Përherë këshillat tuaja, Për mua janë ar”. Është fakt se ideja e thurjes së këtyre vargjeve është motivimi nga mësuesi i mirë, i dashur, që nxënësi nuk e harron asnjëherë. Përkundrazi, e përcjell këshilla e tij gjithnjë. Po cilat ishin këshillat e mësuesit? Poetja këshillat e tij i shpalos në vargjet, që në lexim të parë janë tejet motivuese:

Të dashur fëmijë

Shkolla është e ardhmërisë

Mësoni sa më shumë

Ecni shtigjeve të diturisë

Se vetëm ai popull

Që në shkollim investon

Të ardhmen e ndritur

Brezave ua siguron

Këto poezi, që janë më se të kapshme, sidomos për fëmijët, janë të një stili të poezive moderne dhe nuk mund të harrohen lehtë nga fëmijët.

Aftësia e poetes Emine S. Hoti[2] për të krijuar dëshmon se ka një përvojë të hershme të saj në fushën e krijimtarisë, por që tani është koha për t’i vjelë përmes botimeve të saj. Ka një prirje të thukët në formulimin e strofave mbi bazën e realitetit të kohës së kaluar, por edhe me porosi për të ardhmen. Po ashtu, ka elemente të mjaftueshme dhe të përhershme, që poezinë për fëmijë, autorja Hoti e bën më autentike, më të dashur dhe këmbëngulëse, për t’ua dedikuar tërësisht fëmijëve. Si dëshmi e kësaj që themi, citojmë poezinë e autores, pikërisht kushtuar fëmijëve e që titullohet ”I DUA FËMIJËT”, (poezi e cila ndodhet në kopertinën mbrapa librit), ku po i zgjedhim dy strofa nga pesë sa i ka gjithë poezia:

Fëmijët i dua

Se më mbajnë në jetë

Fëmijët i dua

Ma bëjnë zemrën det

Fëmijët i dua

S’dua t’i lëndoj

Fëmijët i dua

Vetveten ua dhuroj

Me të tilla vargje ruhet ideja përkushtuar fëmijës, ngase kriter kryesor autorja ka përzgjedhjen e vargjeve për fëmijët në një nivel të realizimit artistik.

Kështu, libri”LULET E VENDIT TIM” i autores Emine S. Hoti, parë nga vështrimi kritik, është një libër me poezi për fëmijë, i realizuar shumë mirë dhe i shkruar nga pikëpamja e autores, që ka burimësinë e dashurisë për fëmijët. Ky libër, pa dyshim, do t’u shërbejë fëmijëve dhe gjeneratave që do të vijnë pas nesh në mërgim dhe në trojet etnike shqiptare.

E përgëzoj autoren për një libër me vlera artistike në fushën e poezisë për fëmijë, me shpresë se edhe në vijim do të na gëzojë me vepra të tilla të vlefshme.

Është edukatore-asistente e fëmijëve norvegjezë në kopshtin e fëmijëve të moshës 3-6 vjeç, kurse në shkollë punon si asistente e edukatore me fëmijët e klasave I-IV.

Është anëtare e kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI -  Albani”, Suedi.

Pjesëmarrëse aktive nëpër të gjitha aktivitetet kulturore, duke dhënë kontribut të çmuar në fushën e kulturës, artit, krijimtarisë dhe punëdore me veshje kombëtare, që u’a dhuron miqve tanë suedezë e norvegjezë në shenjë respekti për mbështetjen e tyre dhe për afirmimin e traditave tona kombëtare-shqiptare, por edhe për sfrimimin e veshjes tonë.

Deri më tani ka botuar:

”JETË FERRI” (roman), Prishtinë, 2014

”SHQETËSIM MËRGIMTARËSH” (ese), Prishtinë, 2015

”HIJA E HESHTJES”, (poezi), Prishtinë, 2016

”POEZITË E NËNËS”, (poezi), Borås-Suedi, 2017

”LULET E VENDIT TIM” (poezi për fëmijë), Borås-Suedi, 2018

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat