Rrëfim për jetën, lumturinë, të mirën, të bukurën ...

Libra

Rrëfim për jetën, lumturinë, të mirën, të bukurën ...

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 20 mars 2018 Në ora: 09:21
Kopertina e librit

Pas disa librave të botuar gjer më tani me poezi, përralla e fabula autorja Eleni Mingu Birçaj, para lexuesve vjen me një libër të ri  në të cilin sjell një rrëfim të titulluar “Legjenda e liqenit”.

Edhe pse autorja gjithë këtë rrëfim e ka përfshi në një tregim ajo ka thënë shumë  dhe e ka shtjelluar mirë temën që do të pritet mjaft mirë  nga lexuesi, jo vetëm nga lexuesi i gjeneratës së re por edhe nga të tjerët.

Ngjarja e zhvilluar në këtë tregim e fut lexuesin në botën e fantazisë. Duke u lëshuar në ëndërrime dhe në mbretërinë e çuditshme  lexuesi gjendet në botën  ku sundojnë ligjet e ëndrrave dhe ku të gjitha qeniet pësojnë ndryshime duke u rritur dhe zvogëluar në një mënyrë  të çuditshme e të paparaparë por që imagjinata e autores i bënë këto.

Kështu gjatë leximit shohim se rrëfimi shquhet për larminë e fantazinë shumë të madhe. Aty rrëfehet për jetën, për lumturinë, për të mirën dhe të keqen, për të bukurën dhe të shëmtuarën për ëndërrimet etj.

Këtu na e përshkruan mjaft mirë kalimin e princeshës Zhaklinë ( protagonistja kryesore ) nga bota e vërtetë në një botë tjetër fantastike. Të papriturat që i ndodhin asaj e bëjnë rrëfimin shumë tërheqës për lexuesin.

Në tregim fantazitë dukshëm ndryshojnë, dhe papritmas mënjanohen dhe nganjëherë humbasin e nuk duken por sërish shfaqen herë në një formë e herë në një formë tjetër ashtu si dëshiron apo si i imagjinon autorja, në mënyrë që  për lexuesin  të jenë sa më të kapshme dhe më interesante .

Temën autorja pjesërisht e merr nga rrëfimet dhe përrallat e moçme por edhe nga jeta, ngase shumë mesazhe  përcillen tek lexuesi përmes rrëfimeve. Aty ka plotë këshilla dhe lëvdata për të mirën por edhe plotë përqeshje dhe qortime për të keqen dhe të pahijshmen.

Te rrëfimi “ Legjenda e liqenit” hasim shumë imagjinatë dhe sakrificë por që në fund ngadhënjen e mira që princesha e realizon ëndrrën e vetë për tu kurorëzuar me martesën me princin ndonëse babi i saj ishte kundër kësaj në fillim por ai tregohet zemërgjerë dhe për të mos ia prishur qejfin të bijës pranon që ajo të martohet me atë djalë që më vonë e sheh se ia ka vlejtur që të dëgjojë dëshirën e vajzës dhe ka qenë i kënaqur me trashëgimtarin që do ta lenë pas, ngase ai ishte një djalë shumë i zgjuar.

Këtu në mënyrë alegorike, ironike dhe satirike autorja ngrihet kundër dallimit të klasave shoqërore, kundër disa sjelljeve etike e morale dhe kohës së mbretërive.

Autorja i është përmbajtur rregullës që rrëfimi të ketë strukturën dhe vlerat estetike dhe didaktike.

Duke e njohur krijimtarinë e gjertanishme të autores Eleni Birçaj shpresojmë se ajo do të kënaq lexuesit edhe me vepra tjera të tilla qoftë tregime apo përralla që tashmë në këtë drejtim ka një përvojë të mirë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat