Një perandori shkronjash që bashkojnë kombe me shekuj

Libra

Një perandori shkronjash që bashkojnë kombe me shekuj

Nga: Namik Selmani Më: 3 mars 2018 Në ora: 14:55
Kopertina e librit

Duke bashkëpunuar me bukureshtarin Baki Ymerin, shkrimtar, poet, publicist, eseist, studiues, filolog, albanolog, botues për disa vite me rradhë, e kam kuptuar bukur mirë se puna e tij i ka kaluar kufinjtë e një dite të zakonshme. Bakiu është perandori shkronjash. Duke komunikuar me të, më duket se jam bërë më i mençur, më human, më evropian. E kam kuptuar se nuk ka qenë dhe nuk është një kontakt i zakonshëm. Aq më shumë, nuk dua të vë këtë bashkëpunim në hullitë e një anonimati. E njëherësh tash, por dhe pak më lart, po bëj një pyetje që mbase e ka brenda përgjigjen: Në cilin hulli të shqiptarizmës nuk ka ecur ky rilindas i kohëve moderne?

Në rininë time mbaj mend një ngjarje të jashtëzakonshme të atyre viteve. E mbaj mend saktësisht atë ditë. Ishte një qershor i ngrohtë boboshticar, kur manat e kuqe që i sheh në cdo cep të fshatit zbukurojnë tavolinën dhe mbushin butet me raki të mrekullueshme ishin plot e përplot. Ishin ato mana të kuq që mbushnin degët në këtë fshat si në asnjë vend të Ballkanit ia kishin lënë vendin aroma e mollëve të vjeshtës e dardhave që aromizonin duart, tavolinat. E brezat e Boboshticës vajzat e reja që vinin erë mollë mollishteje të nxjerra nga sepetet e nënave e të nuseve kishin dalë në krye të fshatit, jo për të përcjellë vëllezërit e tyre për në emgrimin e zi të largët me një iso këngësh gati të përvajshme, por për të pritur burrin e mençur Viktor Eftimiu që po vinte nga Rumania e largët dhe e afërt. Në duar kishin vënë një pjatancë të madhe dasme dhe në të ishte vënë një kulaç i grunjtë i ngrohtë dhe në anë të tij ishte vënë një enë e vogël me kripë.

Zemrat nuk dukej si po këtë hare e shihje te sytë e gëzuar të dhjetra e qindra bashkëfshtarëve të tij që edhe pse nuk e kishin parë në jetën e tyre, i dukej si vëllai i tyre që kishte shkuar në ca vite mërgim dhe tash po vinte përsëri në fshat, në odën me oxhak. Bashkë me vëllain e tij, Stelianin, me nipin e tij, ai realizonte ëndrrën që e kishte që kur iku një ditë si një fëmijë 9-vjeçar mbi një tren që mbante brenda vetes në hambaret e tij të çeliktë, gurë Shqipërie për t’i dërguar drejt Bukureshtit. Ishte vera e vitit 1971. Saktësisht 21 qershor. Ishin emocione turbulluese që i përjetonin ata dhe mikpritësit e tyre të Boboshticës. Dhe vetëm një vit më vonë në nëntor të viti 1972, në ditën më të nderuar të tij më 28 nëntor ai do të ndërronte jetë duke lënë pas 60.000 vargje të botuara, një prozë të larmishme me romane, drama tregime, ese. Dhe në kohët që jetojmë ende ka një dilemë të madhe nga ato që ndodhin me shkrimtarë të mëdhenj. Nga njëra anë rumunët e mbajnë si shkrimtarin e tyre (që nga mosha 9 vjeçe e deri sa vdiq ai jetoi në Rumani), ndërsa shqiptarët e kanë si shkrimtarin e tyre se në dejet e tij ka gjak shqiptar e ai ka shkruar dhe shqip. Teatri i Bukureshtit ka folur me dhjetra herë me zërin e bukur të fjalës së Viktor Eftimiut.

E bëra këtë paralelizëm mes Baki Ymerit dhe Viktor Eftimiut për të treguar se lavdia e një kombi e ndjek njeriun, krijuesin e çfarëdo lloji letre qoftë këdo, pavarësisht se ku punon e jeton. Bakiu e ka bërë këtë prej shumë vitesh në një kohë kur edhe mundësia e komunikimit njerëzor letrar, kulturor është bërë më e lehtë e më e prekshme. Vetëm me një ndryshim të madh ai me kontributin letrar ka bërë që të sjellë në këtë gjuhë shumë vlera të kulturës shqiptare. Ka arritur që pa zhurmë e pa bujë t’u bëjë të njohur lexuesve të një kombi me shumë kulturë që kanë kontribuar jo pak dhe në kulturën tonë kombëtare shumë vepra të shkrimtarëve shqiptarë, të poetëve të prozatorëve, të kritikëve letrarë, etj. Atje në mjediset intelektuale të Bukureshtit e më gjërë ku ka shumnë ambicje të atyre që punojnë me letrat, ku shumë media Baki Ymeri jetoi lumturitë dhe trishtimet që të sjell shkronja e shkruar, ambicjen dhe zhgënjimin, mirënjohjen. Mbase mund të tregohej kjo jetë kjo vepër dhe në atë rrëfim shumë të sintetizuar që pat thënë dikur Akademiku Viktor Eftmiu kur e patën pyetur për aktivitetin e tij krijues.

Është një monolog që do t’i shkonte për shtat dhe vetë jetës së Bakiut “Unë jam si një rrënjë lisi e shkulur që tok me veten merr edhe plisin e dheut.”
Jeta dhe vepra e Baki Ymerit ka shumë pika të forta me ato të Viktor Eftimiut. E të shkruash për to duhet që të kesh një veprimtari personale shumë të begatë. Duhet një kohë e gjaë. Duhen shumë citime. Duhet që të lexosh me dhjetra e qindra mendime vlerësuese të miqve të tij në të gjithë botën që tregojnë për atë kontribut të madh. Edhe me këtë aktivitete, ai mund që ta merrte lavdinë, mirënjohjen e brezave shqiptarë të dijes. Pse jo, dhe të lexuesve rumunë që këtej e tutje me fjalën e saktë, mirëdashëse dhe me shumë rendiment të Baki Ymerit njohin në kulturë shumë vitale të paktën në 150 vitet e fundit. Kjo vazhdon dhe me letërsinë që prodhohet jo vetëm në trojet administrative të Shqipërisë. Tashmë janë mbi 100 autorë shqiptarë që e kanë gjetur veten në përkthimin e përsosur të Baki Ymerit në revista rumune, dhe mbi 50 poetë shqiptarë të prezantuar nga ana e tij me nga një vëllim bilingv (shqip-rumanisht). Ashtu siç  janë dhe shumë autorë rumunë bashkëkohorë dhe atyre të traditës që janë bërë të njohur në kulturën shqiptare.

Gjithsesi edhe kjo për të nuk është e mjaftueshme. Ai ka shumë kontakte me autorë të trojeve shqiptare sidomos ato të Kosovës, të Iliridës, të Luginës së Preshevës, të diasporës, që e kanë gjetur veten e tyre në bashkëpunimin shumë të rëndësishëm me të. E në çastet kur Kosova ishte në flakë luftë dhe fjala shqipe që dilte nga veprat e botuara ishte kaq e fortë sokëllitëse, piskuese, ëmbëltore, të tillë mund të përmendim Sali Bashotën, Basri Çapriqin, Sabile Bashën, Milazim Krasniqin, Sami Sherifin, Albina Idrizin, Luan Malokun, Drita Nikoliqi Binajn, Adem Zaplluzhën, Neki Lulajn, Ana Hoxhën, Namik Selmanin, Gentiana Muhaxhirin, Luan Kurtin, e qindra të tjerë. Këto dy fronte të rëndësishëm të fortë shkronjorë që janë provë për çdo krijues atdhetar, e kanë gjetur atë në rradhët e para të fitores. Baki Ymeri është autor i disa monografive mbi shqiptarët e Rumanisë, njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, i vlerësuar me dhjetra diploma e mirënjohje, madje, i vlerësuar edhe nga Instituti Biografik Amerikan: “Njeriu i Vitit 2001“.

Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistat Kosova dhe Shqiptari/Albanezul. Duke e mbyllur kete profil për Baki Ymerin, po theksojmë se ai ka bërë vazhdimisht përpjekje që me punën e tij si krijues dhe si një aktivist i atdhetarizmit shqiptar në Rumani, të japë kontributin e tij në krijimtarinë letrare, si dhe të kontribuojë edhe për afirmimin e çështjen shqiptare në veri të Danubir, punë e cila i bashkangjitet veprimtarisë atdhetare të mijëra krijuesve të tjerë, dhe intelektualëve shqiptare nga Kosova, Shqipëria si dhe emigracioni shqiptar, për të sjellë një paqe stabile në Ballkan, duke punuar për realizimin dhe harmonizimin e kulturave të vendeve të Ballkanit drejt një mirëkuptimi e paqeje të përjteshme.

Bakiu i bashkohet me krijimet e tij edhe një libri te ri mjaft modest që po krijojmë së bashku me disa autorë shqiptarë, poetë e prozatorë që gjenden në emigracion. Baki Ymeri është një urë e shëndetshme për afirmin e gjuhëve, të vendeve e të popujve. Sot e kah mot. Për vete dhe për ata që e njohin dhe bashkëpunojnë me të. Jo nga ato urat mitike për të cilat na rrëfejnë librat e folklorit dhe gojëdhënat për qumështin e gurëzuar, për bedenat e pangritura, për ura që ngrohen e prishen një rropamë kohërash që vijnë me tërsëllimë. Por, për ato vepra arti që i bëjnë jehonë identitetit kombëtar të një kombi. Që në kohërat moderne kurrë të mos ndodhë që të heshtin armët! E një betejë të tillë kërkon edhe luftëtarë të zot, njëri nga ta duke qenë bukureshtari ynë, Baki Ymeri, i vlerësuar nga pala rumune si „Ushtar Dardanie në tokë Rumanie.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat