Një përkthim me vlerë i teksteve biblike

Libra

Një përkthim me vlerë i teksteve biblike

Nga: Isak Ahmeti Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 17:19
Kopertina e librit

(Përkthimi mi i ri i teksteve biblike, i teksteve të Psalmeve, në shqip,vjen me librin:PSALMET (shqipërimi dhe Parathënia) nga Anton Nikë Berisha, një figurë poliedrike në letrat shqipe-Giuseppe Napolitano).

Librit:Psalmet në shqipërimin e Anton Nikë Berishës(botues Arqipeshkvia  Metropolitane Shkodër-Pult,Shkodër 2017), kushtuar kujtimit të Dom Gjergj Gjergjit Gashit,nxitës dhe përcjellës i pjesës më të madhe të këtij përkthimi të Psalmeve, i paraprin parathënia e thukët me titull:

PSALMET-QENËSI E BIBLËS DHE"KOPSHT I SIMBOLEVE DHE I PËRFYTYRIMEVE, nga Anton Nikë Berisha.

Pas Parathënies vjen edhe shkrimi me titull:Disa fjalë për përkthimin e Psalmeve.

Në Parathënie(fq.7-30), autori shkruan se Psalmet janë jo vetëm dëshmia më e mirëfilltë e rëndësisë së besimit të njeriut në Hyjin dhe besëlidhjes me të , por ato, Psalmet,bashkë me Këngën e këngëve dhe Jobin janë ndër krijesat më poetike të Besëlidhjes së Vjetër që kanë zgjuar,me vlerat shumështresore që kanë, interesimin e jashtëzakoshëm të një varg teologësh dhe studiuesish të periudhave e të moshave të ndryshme dhe teksti i tyre përligj një rrafsh të lartë të vlerave poetike shprehëse dhe të komunikimit poetik, të pasura me simbole dhe të shtjelluara mirëfilli.Libri i Psalmeve, sipas Shën Tomë Akuinit, në universalitetin e vet përfshin gjithë materien e teologjisë.Arsyeja pse ky libër biblik është më i përdoruri nga Kisha është se përmban në vete gjithë Shkrimin(e Shenjtë).Veçantia e tij është ajo që përsërit , nëpërmjet formës së lavdërimit,

gjithë atë që librat e tjerë e shtjellojnë nëpërmjet mënyrave të rrëfimit , të këshillimit e të shqyrtimit.Qëllimi i tij është të nxit të lutesh,ta lartësosh shpirtin deri tek Hyji nëpërmjet të kontemplimit të madhërisë së tij të pamatur , nëpërmjet meditimit të përsosmërisë  së lumturimit të amshuar, nëpërmjet komunikimit  me shenjtërinë  e Hyjit dhe imitimin e vijueshëm  të përsosmërisë së tij.

Psalmet nuk janë vetëm dëshmi e besimit në Hujin dhe mistereve të dashurisë , por edhe krijesa poetike, art i fjalës, ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme , ato shqiptojnë dukuritë përmes strukturës tekstore poetikisht të lartësuar. Kjo e shton vlerën e tyre si mesazhe si mundësi ndikimi në marrësin, domëthënë kushtëzojnë një komunikim shumëfish më të qenësishëm e më gjallërik.Vlerën dhe rëndësinë e shumëfishtë të Psalmeve e ka konstatuar edhe Andre Chouraqui, te vepra: IL CANTICO DEI CANTICI E INTRODUZIONE AI SALMI, Roma 1980(të cilit i është referuar mjaft shpesh edhe autori i parathënies), kur shkruan se është vështirë të imagjinohet një intensiitet më i madh i mendimit, një koherencë më e fortë e të shprehurit,e përcjell(e bartur-A.N.Berisha) me një shkëlqim më të lirshëm se sa në këtë burim të pashtershëm të jetës.

Rëndësia e shumëfishtë e Psalmeve  përligjet edhe nga këto fjalë të Andre Chouraqui "Dy mileniume e disa shekuj na ndajnë nga autorët e Psalmeve; ata, pa pikë dyshimi , nuk do ta kishin njohur botën në të cilën jetojmë;ne ende nuk reshtim të gjendemi në këngët e tyre; koha nuk i ka shthurur(prishur) përfytyrimet e tyre dhe mesazhet e tyre nuk pushojnë të jenë aktualë (A.Chouraqui,vep.e cit.fq.192).

Thuhet se në Psalme, siç ndodh edhe në librin e Proverbave , është njeriu që flet , që nënkupton vetë të Shuguruarin dhe e bën këtë në formën e këngës , të poezisë e të lutjes.Kënga, vlerëson autori i Parathënies (fq.25), nuk është vetëm një modalitet praktik i përdorimit të Psalmeve, po është një fjalë që shpreh dhe komunikon në mënyrë të gjallë, të formësuar, ndjenjat njerëzore.Kënga duhet të merret si një ilaç kundër indiferencës, sipërfaqshmërisë me të cilën zakonisht e përballojmë jetën.Për më tepër,edhe sipas Thomas S.Eliot , Psalmet janë, si tekste poetike, "kopsht i simboleve dhe përfytyrimeve" që dëshmohet nga vetë tekstet e Psalmeve,ku është përligjur shkathtësia dhe aftësia poetike të lartësuar e autorëve të tyre si: Davidi, Asafi, Solomoni, Moisiu, Etani, Hemanini etj.

Vlerat poetike të mëdha e të shumta të Psalmeve, sipas autorit të Parathënies, kanë kushtëzuar që ato të bëhen burim i rëndësishëm  frymëzimi i shkrimtarëve dhe i kompozitorëve të brezave dhe të kohëve të ndryshme , jo vetëm pse shqiptojnë ngjarje nga historia shekullore e Izraelit , si popull i zgjedhur i Hyjit , por para së gjithash pse shprehin ato përmes një sistemi të pasur shprehës poetik dhe për shumësinë e mesazheve që dalin prej tyre.

Krejt në fund le të theksojmë se , përkundër vështirësive të shumta që ka hasur gjatë procesit të përkthimit të Psalmeve , A.N.Berisha , në bazë të përvojës dhe bagazhit kulturor që ka , ka arritur ta ruajë tekstin e Psalmeve, kuptimin qenësor të fjalëve, të vargjeve dhe të tekstit në përgjithësi; teksti i Psalmeve, në këtë libër, është thënë me shqipe të mirëfilltë që i bën ato më të afërta dhe të kuptueshme për lexuesin shqiptar.Ky libër , përkatësisht Psalmet  në shqipërimin e Anton Nikë Berishës , sipas një krasimi që kam bërë me përkthimet e deritashme në shqip,na dalin më të bukura,artistikisht më të arrrira  se çdo përkthim tjetër i deritashëm.Është ky përkthim një kontribut i paçmueshëm në fushën e përkthimeve të teksteve biblike në shqipet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat