A gjenden ëndrrat, në gjurmët e mërgimit?

Libra

A gjenden ëndrrat, në gjurmët e mërgimit?

Nga: Kadri Tarelli Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 21:52
Kopertina e librit

Kisha kohë që e pata lexuar librin, “Në gjurmë të ëndrrave”, të shkrimtarit durrsak Vladimir Muça. Nuk di pse ju riktheva ta lexoj edhe një herë. Mbase plaga e pambyllur e emigracionit, që po rrjedh çdo ditë, mbase lajmet tronditëse që dëgjojmë pa ndërprerë, duke na cimbisur veshin, lidhur me boshatisjen e vendit, mbase nga drama e bashkatdhetarëve tanë, që s’po gjejnë derman, në atdheun tonë, që s’po i mban. Ka shumë “mbase”, që shqetësojnë cilindo, që ka pak ndjenjë shqiptarie në gjak.

Shkrimtari, piktori, kompozitori, apo poeti nuk pyeten pse zgjodhi këtë apo atë temë. Janë sinorët e tij dhe askush s’ka të drejtë të hyjë në to. Lexuesi zgjedh dhe pasi nis dhe e bitis leximin, ka të drejtë të shprehë mendimin dhe gjykimin e tij, nëse i pëlqen artistikisht, nëse u përmbush pritmëria estetike dhe, a e ushqejnë shpirtërisht mesazhet që përcjell autori?

Nuk jam shumë i etur ndaj letërsisë së “Emigracionit”, që me pa të drejtë, disa  e fusin në një kornizë të tillë. Edhe në ato pak që kam lexuar, gjej dhe ndjej letërsi. Bie fjala: “Lulja e Kujtimit” të Foqion Postolit, lexuar në adoleshencë, ku flitet për kurbetin e viteve 1900, “Drithërimat e yjeve”, të Viron Konës dhe “Ne ishim pesë shokë”, të Bashkim Saliasit, për emigracionin biblik të viteve 1990 e më tej, etj, etj. Libra që, pavarësisht kohës kur shkruhet dhe koha që përshkruhet, bëhet dhe përftohet letërsi, madje letërsi e mirë. Nuk kam ndërmend të rrah mendime, rreth një teme që ha diskutim dhe që, s’ia gjejmë dot fundin, duke mbetur secili në llogoren e vet, sepse libri që kam në dorë, i kushtohet mërgimit shqiptar dhe ka letërsi.

Lexuesi, që në faqet e para ndeshet me atë, që do ta shoqërojë gjer në faqen e fundit: shkakun dhe ëndrrën. Shkakun, kurdoherë edhe në rastin e Ermirit, nuk e zgjedh personazhi, ai është në rrethanat e kohës. Ne mund ta shajmë e ta mallkojmë sa të duam historinë dhe ngjarjet, por nuk e shbëjmë dot, vetëm mund ta përballojmë me një lloj zemërimi, atë shpërthim trishtimi, me dihatjet, vuajtjet, përlotjet dhe psherëtimat tona pa fund.

Këtu fillon drama: Si të gjejmë udhëzgjidhje? Dikush mbeti i ngulur këtu dhe u përpoq ta ndërtojë jetën me shumë mundim e sakrifica, dikush si Ermiri ndoqi fatin e qindra-mijëra shqiptarëve të tjerë, që zgjodhën mërgimin, si gomone shpëtimi. Askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë veprime e tyre, veç nënat, ato shamizezat, që i kullojnë sytë duke parë rrugën ku shkeli djali dhe, fundrrugën ku pret të duket i biri. Veç ato e ndjejnë, veç ato e dinë ç’vuajtje mbajnë brenda vetes, ndaj nuk pranojnë mëshirë dhe qarje halli, sepse nuk gjejnë ngushëllim në shpirtin e thërrmuar.

Pikërisht në këtë dramë, sa familjare dhe aq shoqërore, autori tregohet mjeshtër i përshkrimit të atyre çasteve, aq të vështira dhe prekëse. Që ndjehen aq të vërteta, aq brenda vetes, aq jetësore, sa cilido lexues do të përlotej. Është drama e jetës, e kahershme sa vetë bota, që thërret perëndinë, apo fuqitë e mbi natyrës, që t’i japin shpjegim, ngushëllim dhe zgjidhje. Këtu, secili ka të drejtë të pyesë: Mos vallë tek loti i nënave kanë lindur perënditë? Dhimbja të shtyn më tej drejt fantazisë: Nga loti i nënave deti u bë i kripur dhe lindi legjenda, si një figurë letrare me përmasa hiperbole? Çdo kundërshti do të tërhiqet, sepse del e humbur, kur të ndeshet me përmallimin dhe pikëllimin e nënës. Mjafton të kujtoj fjalët e të diturit Haxhi Aliaj: “Kurbeti, nënave u than gjinë, djemve u rrëmben rininë”.

Pjesa që ka më shumë vend në këtë libër është pa dyshim, peripecitë dhe mundimet që përballon Ermiri, heroi kryesor. Vetë skema është e thjeshtë: ndeshje me të pa pritura, sa nga natyra e egër, shpesh jo mikpritëse, aq edhe nga pengesat njerëzore, si nga repartet kufitare, ca më keq nga bandat e hajdutëve dhe kriminelëve, të cilat lindin e vrapojnë si hienat, që ndjejnë erën e gjakut. Çuditërisht, si të mbirë nga dheu, këto kafshë me fytyrë njeriu, kafshërisht turren drejt presë, kur nuhatin se mund të bëjnë para, duke grabitur dhunshëm, madje pa ju dridhur qerpiku dhe dora, të masakrojnë, të qëllojnë dhe vrasin mërgimtarë hallexhinj.

Ky kapitull është i bukur për moshat e reja, sidomos për adoleshentët që i kanë qejf aventurat, pasi edhe kjo ikje ishte një aventurë, që s’i dihej fundi. Shumë herë, të tilla veprime kanë përfunduar në tragjedi, madje edhe masive. Vetë Ermiri e kishte provuar disa vjet më parë, në malin e Gramozit. Kjo histori, nuk mund të themi, se është e bukur edhe për prindërit, që s’dinin se ç’ndodhte me fëmijët e tyre mërgimtarë. Kam përshtypjen, se lemerisen kur i dëgjojnë, në rastin më të keq, nga vetë të dashurit, se ç’kanë hequr, për të mbetur gjallë, më pas për të mbijetuar në një botë të panjohur, kur nuk kanë asnjë pikë mbështetje. Mesazhi i këtyre faqeve, duhet zhveshur nga tundim njerëzor i dashurisë dhe mëshirës. “Ligji është i ftohtë edhe kur është i pashkruar”, thotë i dituri: sepse “Fati ndihmon të guximshmin dhe të fortin”. Mësim i ardhur që nga zanafilla e racës njerëzore. Vallë e pranon prindi? - Askush nuk e beson, sidomos ata që e mbajtën mbi shpinë dhe ata që, edhe sot e vuajnë nën lëkurë.

Këtu gjej vend për të thënë, se Ladi, autori i librit, ka treguar mjeshtëri në përshkrimet e natyrës, me të gjitha bukuritë e mahnitshme të saj. Edhe kur është e qetë e paqësore, edhe kur është e ashpër dhe armiqësore, shpesh kërcënuese për jetën e hallexhinjve tanë. Ajo nuk pyet për ne, ndërsa ne, si pjesë e saj, përpiqemi ta njohim dhe ta adhurojmë, me të gjitha të mirat, tekat dhe të papriturat.

Autori ka një meritë, do të thosha të madhe, pasi rastësisht apo qëllimisht, e çon heroin drejt dy personazheve me rrënjë shqiptarie, në territorin e shtetit fqinj, në Greqi. Njëri me të kaluar të lavdishme, nga vatra e Kollokotronit të famshëm arvanitas, hero i “Revolucionit Grek”, këtu e dy shekuj më parë, ndërsa tjetri, bariu Kosta, njeri i thjeshtë, me prindër nga Çamëria, të mbetur në këto anë, si përfundim i ngjarjeve historike dhe politike të fillimit e vazhdimit të shekullit njëzet. Sido që të ketë ndodhur, autori me mjeshtëri, madje me fjalë të kursyera, nxjerr në pah karakterin e fortë dhe cilësitë fisnike e fizike të racës shqiptare, forcën, mendjen, mikpritjen, besën, nderin, mirënjohjen, guximin dhe trimërinë. Si çuditërisht dhe pa brohoritje, zgjohet kujtesa e gjakut arbëror, që koha dhe vendi, nuk kanë mundur ta shbëjnë. Lexuesi këtu ka të drejtë të krenohet me vetitë kaq të arrira të shqiptarëve, një arsye më shumë për t’u përballur me dashakeqët, që mundohen të na çvlerësojnë.

Nuk ka nevojë t’ua kujtoj unë, sepse lexuesi kënaqet me mbylljen e dramës në një familje shqiptare, si një “Hepi-end” të këndshëm, për të mos i lënë vend një drame tjetër, që mund të fillonte në familjen mikpritëse greke. Vallë si do të vazhdonte ndodhja e Ermirit, në mes dy dashurive të grekeve, nënë e bijë? Autori qëllimisht e le në mes të rrugës, ndjekjen dhe gjetjen e ëndrrës, duke lënë shtegun hapur, për një mendim dhe gjykim të shëndoshë të lexuesit, se ëndrra më e bukur thuret në atdhe, pranë njerëzve të tu të dashur. 

Autori e sjell heroin deri në një pikë kur i thotë Deas, grekes lozonjare: “Eh, motërza ime çapkëne, më shumë se motërz, s’mund të të dua tani për tani. Do të jem vëllai më i përkushtuar. Ti mbaro studimet....... Unë të piqem edhe ca nga mendja....”.

Libri në vetvete, ka edhe një vlerë të shtuar, pasi autori është përpjekur që, ngjarjet t’i lidhë me përvojën shekullore, të ngjizura në fjalët e urta popullore, që kanë dhe përcjellin mesazhe urtësie për jetën. Cilido që është i kujdesshëm, apo i prirur t’i ketë në kujtesë, mund t’i shënojë për t’i përdorur nëpër biseda, sidomos ndaj fëmijëve dhe më të rinjve.

Bie në sy edhe një dukuri, që e nderuar autori, sepse bën përpjekje serioze, duke na vënë përpara fjalë, që sikur janë lënë pas dore, nga fjalori letrar. Më tej, ai me bindje hyn në udhën ndritur të fjalëformimit të ri, me fjalë të reja. Është një dëshmi intelektuale, për ruajtjen dhe pasurimin e thesarit të gjuhës shqipe, si një thirrje që më shumë ia kujton vetes, pastaj ne të tjerëve, për mospërdorimin e fjalëve të huaja. Këto, unë i quaj me shaka “fjalë të jashtme”.

Të gjithë kritikët dhe dashamirët e librave, shprehen, se është lexuesi, ai që bën vlerësimin dhe vendos, ndërsa koha cakton jetëgjatësinë. Unë, në këtë hulli mendim, diku kam shkruar: “Koha është gjykatës, ajo mban hanxharë/ cilin le të dytë, kë e ve të parë”. Me këtë frymëzim vargu, dua t’i le vendin fjalëve të shkrimtarit Erjon Hamdiu, i cili në parathënie të librit, thotë: “Uroj që ky roman të mos burgoset i pluhurizuar nëpër rafte librash, pasi do të ishte një humbje e madhe.......”.

Urime autorit Vladimir Muça! Vazhdo të shkruash, për libra të tjerë me vlerë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat