Kauza e qëndresës dhe dinjitetit kombëtar përballë armiqve të lirisë…

Libra

Kauza e qëndresës dhe dinjitetit kombëtar përballë armiqve të lirisë…

Nga: Dukagjin HATA Më: 21 shkurt 2018 Në ora: 12:54
Azgan Haklaj

Krijimi i një profili të lartë dhe të qëndrueshëm shoqëror,politik,estetik, kulturologjik është një proces i gjatë dhe që ndodh natyrshëm, pa shtytje nga jashtë unit dhe pa paterica të gjithëfarëshme, të cilat nuk të çojnë askund, përveçse në bjerrje kohë dhe devijime e keqkuptime të skajshme.

Ndryshe nga pseudoelita e “shtrydhur” në shtrydhësen e “ekskatedrës” dhe që në këto vite tranzicioni ka prodhuar shteprësi, një elitë reale është konturuar ngadalë por bindshëm në letrat tona, në media, në hapësirat e kulturës kombëtare etnike e një nga zërat e kësaj elite, analisti, politologu, kulturologu, autori i mjaft librave dhe qindra shkrimeve të botuara në shtypin mbarëshqiptar, Azgan Haklaj, ia ka dalë të përveçësohet në daljen e tij publike në fushën e shkrimtarisë dhe më gjërë.

Në dy librat e tij më të fundit “Jam Arbër: 800 vjet shtet” dhe “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, Haklaj vazhdon të përvijojë qasjet dhe qëndrimet e tij rreth shtetit dhe antishtetit, rreth politikës si forcë progresive dhe mundësi shndërrimi të shoqërisë dhe politikës si bunker, ku mbyllën instinktet më të ulëta të llojit human, rreth asaj çfarë kemi dëshmuar me historinë dhe parahistorinë tonë brilante, ne pellazgët, ilirianët, arbërorët, shqiptarët, bijtë e këtij dheu të lashtë me rrënjë në qytetërimin dhe kulturën evropiane dhe çfarë na kanë rezervuar kohët e këqija, aleancat e këqija dhe shtetarë të këqinj në udhëkryqe të trishta kohësh dhe epokash historike.

Është një kërkim që autori ka kohë që e bën me pasionin dhe përkushtimin e një intelektuali emblematik, duke gërmuar në thellësitë e fjetura të një vetëdije të harruar historike, për të nxjerrë që andej ide, qasje, fragmente ëndrrash të gjymtuara në kohë të vështira për shqiptarinë, rekujeme që mbartin mesazhe dhe kumte që rrëzëllijnë në të gjitha kohët.

Nëse në librin “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, Azgan Haklaj ndjek gjurmët e ajkës së fisnikërisë së kombit, shenjat e shtetit dhe të kryeshtetarëve, që u ngritën në lartësitë e epokave që i lindën dhe i mbrujtën, tek libri tjetër “Shteti Komb, domsodoshmëri historike”, depërton në palcën e historisë sonë kombëtare, një histori e deformuar dhe keqkuptuar, të cilën ai e “pastron” nga retushimet dhe pluhuri i stisjeve të kahershme, duke tentuar që ta xjerrë mendimin historik dhe filozofinë e ekzistimit gjithëshqiptar nga vorbullat e amullisë dhe hutisë së kahershme të “ekskatedrës”.

Ajo që autori mbledh pikë pikë, me pasionin e një arkitekti dhe projektuesi brilant në librin “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, duke na përvijuar linjat e një historie të ndaluar, me ngjarje që edhe pse na madhështojnë e fisnnikërojnë nuk kanë gjetur pasqyrim në linjën e historisë sonë zyrtare, e rikonturon dhe plotëson në librin tjetër “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, ku rrinë të ulur në të njëjtën “sofër”, në sofrën e madhështisë sonë kombëtare figurat më emblematike të kohëve të  vjetra e të reja të shqiptarisë.

Azgan Haklaj e rindërton mendimin e tij analitik, duke shkrirë në një induksionin dhe deduksionin, sinkroninë dhe diakroninë, elegancën e frazës ku spikat një stil i latuar, i përpunuar hollë, me fuqinë e imazhit dhe kthjelltësinë e gjykimit, duke iu dhënë veprave të tij një qasje të thellë dhe shteruese ndaj realitetit të të ndodhurave, që bën objekt të shqyrtimit të tij.

 Tek Haklaj shkrihet në një gazetari investigues me analistin shije hollë, historiani me mendimtarin, veprimtari politik e shoqëror me politologun, individi i aksionit kombëtar me atë të përballjeve të mëdha e të gjithëkahshme, për shkak të kauzave madhore që pasqyron dhe mbron.  

Ajo që ngre si qasje dhe  vizion ndaj një realiteti historik të anashkaluar e për më tepër të anatemuar tek libri mjaft intersant “Jam arbër: 800 vjet shtet”, ku “parabola” e faktit dhe analizës vjen përmes një deduksioni të beftë, rikonturohet në figura dhe mesazhe gjithëkohore tek libri tjetër jo më pak domethënës “Shteti Komb, domosdoshmëri historike”, ku idetë dhe tezat autori i përcjell nëpërmjet një site të imët analitike, herë me sharmin e një gazetari inevstigues shijehollë, herë me mprehtësinë e analistit dhe intuitën e dikujt, që gjithçka e ka provuar në lëkurën e tij dhe “lëkura” si përvojë në rrugëtimet e qëndresës është dituria më e madhe e njeriut.

“Manualet” diturore të Haklajt, qasjet e tij të freskëta e të befta ndaj realittetit historik, politik, sociologjik panshqiptar,  ngrihen përmbi kufijtë dhe doganat mes shqiptarëve në Ballkan e më gjërë, duke na përcjellë mesazhe që ndriçojnë të djeshmen dhe aktualitetin e kësisoj  vlejnë për sot e për nesër.

Sipas Haklajt, mesazhet e shqiptarisë në kohë nuk kanë ndryshuar që nga epoka e shtetit të Arbërit në epokën e internetit dhe dixhitalizimit të gjithçkaje, në të ashtuquajturën epoka e modernitetit, por kanë ndryshuar vetëm kostumet dhe rekuizitat e protagonistëve dritëshkurtër politikë, këtyre dështakëve, që në vijë lineare, me një kurajo të pacipë, iu janë kundërvënë heronjve, martirëve, mbartësve të idealit gjithëkombëtar, idealistave dhe progresistave të gjithëkohshëm.

Azgan Haklaj, para se të jetë politikan, artist, njeri i aksionit kulturolgjik,  ësht një misionar dhe si i tillë qëndron përmbi podiumet politike të radhës, përmbi foltoret, ku premtimet boshe ngjajnë me koshat pas të vjelave, siç thotë i urti ynë shembullor.

Tek ai shkrihet në një analisti, mendimtari, politikani, politologu, veprimtari aktiv atdhetar, kulturologu, që me dijet dhe kurajën e tij ka vënë në veprim një institucion prestigjioz të lartësimit të vlerave kombëtare, siç është Unioni Artistik I Kombit Shqiptar, të cilin ai e ka krijuar dhe ngritur në lartësitë e një misioni atdhetar në çdo cep të trojeve tona entike.

Njerëz si Azgani, që me aktin e tyre përkushtimtar iu paraprijnë kohëve të reja të shqiptarisë, nuk i nxënë njëzet e tetë mijë kilometrat e Shqipërisë amë, të rrudhur, të ngrënë kufijsh e të gjymtuar nga kohë të errëta dhe mllefe primitive.

 Azgani e konsideron veten njësoj të angazhuar si për Tropojën, vendlindjen e tij, Tiranën, vendbanimin e tij, Shkodrën, Fierin, Vlorën, Sarandën, Strugen, Pejën, Gjakovën, Prizerenin, Prishtinën, Kumanovën, Tuzin, Artën, Prevezën, duke lidhur me aktin e tij të pandërprerë kulturologjik, me lëvizjen fizike dhe shpirtërore, me këngët, vallet, librat e tij dhe të miqve të ti të gjitha fijet e dukshme dhe të padukshme të kombit. Nuk ka personalitet politik e kulturologjik për të cilin të kenë shkruar aq shumë pena mjeshtërore, siç kanë shkruar për Azganin. Për të janë shprehur shkrimtarë e poetë të shquar, politikanë të zotë e kryetarë partish, ish kryeministra me të cilët ka replikuar dhe më vonë janë detyruar të pranojnë epërsinë e akteve të tij përtej të zakonshmes, në mbrojtje të vlerave qytetare dhe politike të demokracisë së brishtë shqiptare, kryeministra në detyrë, diplomatë të rangut të lartë të kancelarive më të fuqishme të vendeve të zhvilluara europiane.

Për shkak të qëndresës së tij të ngritur në një kult dashurie për lirinë dhe identitetin panshqiptar, mbi Azganin dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, që nga vendosja e eksplozivëve në banesë deri tek snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Veprimtaria dhe kauza e tij është shfaqur në një linjë konstante, në përballje me segmente të mafies shtetërore dhe është bërë objekt i kanecelarive të BE-së, Moskës e Uashingtonit, dy perandorive më të mëdha të kohës, me të cilat ka pasur letërkëmbime.

Gjithmonë Azgan Haklaj ka mbrojtur dhe mbron me fanatizëm identitetit evropian të shqiptarëve, duke i kërkuar rrënjët e këtij identiteti thellënë histori, në ato humnella keqkuptimi dhe devijimi që na kanë ofruar historianët e linjës pansllavisto-komuniste, linjë të cilën ai e çmitizon me argumente të fortë dhe mendjekthjelltësi të admirueshme.

Mjeshtri i Madh Azgan Haklaj, siç thotë Dr. Bujar Leskaj në parathënien e librit “Shteti Komb, domosdoshmëri historike, “i ka parë personazhet e historisë kombëtare në një këndvështrim të ri dhe pak të ndriçuar më parë. Kur lexova shkrimin e titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Moisiu ynë” tek libri i pestë “Jam Arbër: 800 vjet shtet”, u mahnita me portretin që i kishte gdhendur Heroit tonë Kombëtar.Një Skënderbe epik dhe modern njëkohësisht, strateg gjenial e burrë shteti vizonar, ideator e themelues i shtetit të përqëndruar Arbëror   “.

Idetë e tij nacionaliste, përkushtimi dhe qëndresa e tij, do t’i bënte nder spektrit politik shqiptar, që sot e gjithë ditën ka qenë i zënë duke bërë pazare e duke ndarë tortën e turpit, ndërkohë që individë si Azgani iu nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve me jetë, në një vend ku të jeshë idealist dhe progresist është një sprovë e vështirë.

Ne shqiptarët ka një mijë vjet që po përjetojmë kaosin e madh dhe nuk orientohemi dot në kohë-hapësirën  gjeopolitike, falë një hutie shumëshekullore, të ardhur, siç thotë Haklaj në librat e tij, nga moskuptimet  e gjata e të rënda, që kanë pasuar njëri-tjetrin, nga vënia e shkopinjve nën rrota që i kanë bërë shtetit dhe shoqërisë shqiptare plangprishësit e djeshëm dhe të sotëm, që i kanë vrarë e rivrarë heronjtë dhe martirët kohë pas kohe e tradhëti pas tradhëtie. .

Qasja e Azgan Haklajt në këto dy libra është në përvijim të ideve të tij rreth historisë së popullit shqiptar, ku tash njëqind e ca vjet shtet i reduktuar i shqiptarëve në Ballkan, (ku janë kërkimet e “ekskatedrës” për “Shtetin e Arbërit”, këtë identitet të lakmuar prej gjithëkujt në këtë sijudhesë të vjetër?!) historia jonë na ka ardhur e frustuar, e deformuar dhe e shantazhuar, sa prej armiqve tanë historikë, po aq dhe prej vetë shqiptarëve.

Ashtu si dhe në pesë librat e tjerë të tij, të pritur ngrohtësisht nga lexuesi dhe qarqet letraro-historike-gazetarekse, edhe në këto dy librat e tij të fundit, Haklaj ndërton gur pas guri kauzën e tij dhe të bashkëidealistëve që mendojnë si ai, se historia jonë duhet të pastrohet nga jashtësitë dogmatike dhe e vërteta e kulluar e të ndodhurave tona kombëtare në shekuj e mijëvjeçarë do të na çlirojë nga çdo makth dhe moskuptim ekzistencial.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat