Recensë për librin “Vullkan i shpërthithur” i poetit Bajram Muharremi - Bistrica

Libra

Recensë për librin “Vullkan i shpërthithur” i poetit Bajram Muharremi - Bistrica

Nga: Viron Kona Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 08:06
Kopertina e librit

E shtrenjta Dardani!

“Stuhia u mundua dhe rrënjët të m`i shkulë

 Por unë i fortë qëndrova, pa u përkulë!”

Kam në tavolinën e punës  një libër tjetër nga Bajram Muharremi-Bistrica, të titulluar “Vullkani i shpërthithur”, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi X Albani”, Suedi. Redaktor i librit është i mirënjohuri Fetah Bahtiri. Ky libër vjen pas vëllimit “Gjurmë atdhetarie”2015 dhe “Vullkan i fjetur” 2016. Për “Vullkanin e fjetur”, kam shkruar një artikull, i cili është botuar në kapitullin përmbyllës të këtij libri. Tani kam kureshtjen të shoh se çfarë përmban ky libër  i tretë i z. Muharremi, tashmë autor me përvojë në fushën e poezisë. Po shohë tematikën, përmbajtjen, bukurinë e vargjeve dhe vlerat artistike, mesazhet që përcjellin poezitë te lexuesi. Vazhdoj të lexoj dhe më vjen mirë që kohën nuk e ndjej, ndërsa jam i përfshirë në dëshirën të vijoj leximin. Pyes veten të gjej nëse është bukuria artistike, nëse është tematika dhe përmbajtja, nëse janë mesazhet e vyera, nëse është dhembja që ndjejmë për të rënët në luftën çlirimtare të Kosovës, nëse është krenaria për Kosovën e lirë e të pavarur, të arritur pas kaq shumë luftërash dhe përpjekjesh shekullore kundër okupatorëve të llojllojshëm, e veçanërisht atyre serbë. Të gjitha sa thashë më sipër i gjej të vërteta, teksa faqet ecin njëra pas tjetrës, temat dhe mesazhet radhiten përpara me meje bukur, me stil të shkathët dhe ritëm, me figuracion... Ndaloj një çast dhe i vërtetoj vetes se kam përpara një libër tërheqës, një libër që më bën të ndihem krenar për ata bijë dhe bija të popullit shqiptar në Kosovë dhe në gjithë trojet e tjera shqiptare, që kanë dhënë jetën e tyre për liri, që kanë sakrifikuar gjithçka për pavarësinë, që i kanë treguar armikut gjoksin dhe pushkën. Janë poezi të shkruara me dashuri dhe me frymëzim, të dala nga zemra e një poeti të përkushtuar, të mirë dhe të dashur, që është i frymëzuar nga ndjenja respekti për vlerat e mëdha njerëzore, për ato kombëtare, shoqërore, familjare, dhe këtë e bën me gjuhën e poezisë, me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës së tij të bukur. Ndërkohë që, po aq të freskëta vijnë vjershat lirike dhe romantike, në to vlojnë dashuri dhe fisnikëri e një shpirti, që kërkon lirinë më shumë se çdo gjë tjetër, që e dëshiron atë si ajrin, si ujin, si bukën, ajo është mbi gjithçka. Një popull në  liri mund të arrijë çdo objektiv në të mirë të jetës dhe përparimit.

Libri ndahet në 6 cikle:  “Flakadanët”, “Shpërthithje afshi”, “Këtu më rritet zemra”, “E rëndë pesha e mërgimit”, “Recensë”, “Xhevaire nga folklori ynë”.

Në ciklin e parë “Flakadanët” evokohet lufta dhe qëndresa e popullit shqiptar të Dardanisë për liri. Portretizohen aty disa nga figurat heroike, që tashmë janë ndër shtyllat e panteonit të Kosovës.  Ja, te poezia “Liria” poetit i ndrit pena dhe i vlon shpirti kur  shkruan: Janë betuar në Gjergj Kastriotin,/Në kushtrimin që e ka dhënë,/ Kosovën Serbisë kurrë mos me ia lënë.  

Vijojnë krijimet e këtij cikli me poezitë që i kushtohen:

Komandant Shemi (Shemsi Ahmeti 1969-1999) i Shalës së Bajgorës, hero i kombit, tek i cili po zgjedh si pararojë simbolike vargjet: Po betohem në komb e flamur, /Për Kosovën jeta s`më dhimbset kurrë;

Komandant Ajet Dedia (Ajet Bajrami 1954-2009) nga fshati Dedi: Për Kosovën jetën kam me dhanë, /Si më kanë mësuar babë e nanë!

Dëshmorit të kombit Avni Shabani (1972-1998): Ju bëj be` në Perëndi, /I pari n`luftë kam me hi!

Dëshmores Fatime Hetemi (1977-1998) nga Bistrica e Shalës së Bajgorës, e ku autori nënvizon çaste sublime nga jeta heroike  e luftëtares me moshë të re në lulen e rinisë, duke përshkruar në mënyrë prekëse veçanërisht momentin e fundit të jetës së saj: Kur përballë vdekjes u gjend sokolesha, /Një lot i valë, medet, iu ngri në qepallë, /Shokëve ua la një amanet trimëresha: /Nëna kurrë t’ mos më qajë derisa t’ jetë gjallë!

Në këtë cikël, zë vend të rëndësishëm poezia “Miku im” kushtuar Dr. Bajram Rexhepi, luftëtarë dhe Kryeministër i Parë i Republikës së Kosovës, i cili u nda shpejt nga jeta. Poeti e di se vepra e arritur me gjak e sakrifica, duhet mbrojtur. Ai e di se pas luftës, është një tjetër luftë, ajo për rimëkëmbjen vendit dhe të popullit, për shërimin e  plagëve të rënda të luftës, por edhe për të krijuar begatinë dhe zhvillimin, për ta bërë sa më të bukur dhe plotësisht të meritueshme jetën e popullit martir dhe të shumëvuajtur të Kosovës. Dhe kjo realizohet me besnikëri ndaj vlerave të kombit, syçelë për të ruajtur e mbrojtur fitoret e  arritura, pasi armiku kërkon të pushtojë përsëri me çdo kusht atë që ka humbur. Këto kërkojnë sakrifica, punë vetëmohuese, duke u tretur si qiriri për të mirën e përgjithshme, një vepër kjo që e kreu deri në fund të jetës me nder dhe lavdi biri i Mitrovicës, i tërë Kosovës dhe kombit shqiptar Dr. Bajram Rexhepi. Ashtu si në luftë, edhe gjatë pavarësisë, ai nuk iu shmang asnjë çast punës, sakrificave dhe përgjegjësive, u përkushtua i tëri edhe në betejën ndërtimtare të Kosovës së tij të dashur. Këtë dashuri, respekt e krenari për këtë bir heroik, poeti Bajram Muharremi-Bistrica e shpreh në vargje thellësisht poetike: Fryn një erë nga malet dhe shkëmbinjtë gjëmojnë, /Zogjtë e malit më nuk cicërojnë. /Shumë shpejt nga kjo botë u largove, /Ti që në fusha të betejës në Shalë të Bajgorës /Shumë luftëtarë të lirisë i shërove. /Asnjëherë popullin tonë nuk e harrove...

E veçantë në këtë kapitull  është edhe poezia “Minatorët”, kushtuar grevës së minatorëve të Trepçës 20 - 28, shkurt 1989, një betejë kjo që nisi me mjete tërësisht demokratike, por që më pas, përballë ligësisë së serbomëdhenjve, u përshkallëzua deri në bashkimin e minatorëve me tërë popullin liridashës të Kosovës në luftën çlirimtare për të siguruar pavarësinë e ëndërruar dhe të dëshiruar aq shumë: Minatorët shpejt u organizuan, /Rrokën armët dhe luftuan, /Luftuan me UÇK-në për liri, /Dhe Kosova fitoi pavarësi.

Në ciklin e dytë “Shpërthithje afshi” autori na prezanton disa poezi që kanë në qendër heroizëm dhe  qëndresë, dashuri dhe ndjenja të thella, porosi dhe këshilla, ku spikat shpirti luftarak, sakrificat dhe papërkulshmëria për të mbajtur me çdo kusht amanetet e të parëve tanë. Vërshojnë këto poezi si dallgët: “Jeta”, ku evokohet ndjenja e dashurisë dhe e zhgënjimi, “Errësira” (Simbol i së keqes), “Gëzimi im” (Simbol i lumturisë), “Nënë” (Dashuri, ngrohtësi, jetë), “Nënë moj nënë!”,  që autori ia kushton nënës së vet, e cila u vra heroikisht nga pushtuesit serbë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, “Mësime nga nëna” (Kjo ka qenë toka e Dardanisë, /Nuk ka qenë kurrë trualli i Serbisë!), “Urime ditëlindje” (Familjen kujtoje dhe farefisin nderoje!). “Dritë lapidar”, kushtuar Prof. Fetah Bahtirit. Vargjet rrjedhin plot ritëm dhe dashuri, për njeriun e vendosur dhe krenar, që sot punon me përkushtim të plotë për ecjen përpara të Kosovës dhe të Kombit Shqiptar: Kush më i pari e kush më i miri! /Burrë mbi burra ky Fetah Bahtiri!

Vazhdon ky cikël me poezinë “Vëllezërit nga Tirana” (Ejani vëllezër ju prift e mbara /Këtu ju presim në vatrat tona!). Gjej rastin të falënderoj këtu poetin dhe atdhetarin Bajram Muharremi - Bistrica, për nderin që ai dhe z. Hysen Ibrahimi, na bënë ne, pjesëmarrësve të një delegacioni miqësor në Kosovë dhe, veçanërisht në Mitrovicë, në gusht të vitit 2017. Poeti e ka derdhur shpirtin  tij mikpritës në vargje, por unë dëshiroj t`i shpreh atij dhe Hysen Ibrahimit falënderimet nga zemrat tona për atë vëlla pritje të shkëlqyer që na bënë në Mitrovicë, duke na shoqëruar në mjediset dhe rrugët e qytetit, në urën mbi lumin Ibër, në sheshet ku ngrihen shtatoret e Nënë Terezës dhe Isa Boletinit, në shpjegimet mbresëlënëse, që bënë e ku shprehej krenaria për atdheun e lirë dhe të pamposhtur, gjithçka e përkryer, saqë  ajo vizitë do të mbetet thellë në kujtesën time, por edhe të Prof. Zyhdi Dervishit, Kardi Tarellit, Nuri Dragojit... Faleminderit Bajram Muharremi dhe Hysen Ibrahimi!

Cikli vazhdon me poezinë “Një këshillë” (Puno për komb e për shqiptari` /Puno për bashkim kombëtar /Kjo shpejt do të ndodhë në botën mbarë!), “Kujdesi” (Të jem  e të mbetem faqebardhë), “Dhuratë Zotit” (Ti je dritë, e shpirt, e jetë!),   “Stuhia” (Stuhia u mundua dhe rrënjët të m`i shkulë /Por unë i fortë qëndrova pa u përkulë!), “Tri lule” (Janë të bukura si dielli /Lëshojnë rreze si ylberi),   “Aroma” (Krejt botën të ma dhuroj),  “Kufiri” (U bashkuam vëllau me vëllaun). Për të gjitha këto poezi mund të bëhen analiza dhe vlerësime të veçanta, ndërkohë që desha të ndalesha pak më shumë te poezia “Bashkimi kombëtar”, ku shprehet aspirata jo vetëm e poetit, por e të gjithë popullit shqiptar për të qenë si të gjithë kombet e botës, të bashkuar si popull, si vlera... Janë kohë të tilla që bota dhe Evropa duhet të bëjnë korrigjimin e gabimeve ndaj shqiptarëve, të cilët, dikur, i ka ndarë dhe copëtuar padrejtësisht dhe në mënyrë të dhunshme. Ato padrejtësi, fuqitë e mëdha, ia kanë bërë një populli që ka luftuar dhe ka sakrifikuar aq shumë edhe për të mirën e përbashkët të lirisë dhe të pavarësisë së kombeve. Bota nuk duhet të harrojë asnjëherë heroizmin dhe vizionin evropian të krye heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, që mbrojti me gjakun e bijve të shqipes Europën nga dyndjet osmane. Bota dhe njerëzimi nuk duhet të harrojnë asnjëherë Nënë Terezën e famshme shqiptare, që sot të gjithë e kanë të shenjtë, e kanë udhërrëfyese dhe simbol të shkëlqyer për jetën, paqen, mirësinë  dhe dashurinë. Kombi Shqiptar ka të drejtën e plotë të bashkimit si çdo komb tjetër. Ashtu siç e kanë dashur për vete, vendet evropiane duhet t`ia japin këtë të drejtë të mohuar edhe shqiptarëve të pamposhtur, që shfaqin përpara popujve të tjerë virtyte të rralla, zemra të bardha, shpirt paqësor dhe atdhetar, që ndrit dhe vezullon me bukurinë  vlerave dhe të shkëlqimit të tij në gjerdanin e kombeve më të përparuar.

Cikli i tretë, “Këtu më rritet zemra”, çelet me përjetimin poetik të autorit për Bistricën (Lumbardhi), që është vendi ku autori ka lindur dhe është rritur dhe ku ruan kujtime të shtrenjta. Poezia shpreh shumë ndjenjë, mall dhe dashuri, e realizuar artistikisht me një figuracion të pasur artistik. Ndërkaq shfaqet poezia “Toka dardane” ku vlon shpirt i qëndresës, i mbrojtjes së fitoreve të arritura dhe plotësimi i amanetit të të parëve, ashtu dhe i luftëtarëve të lirisë që dhanë jetën për tokën dardane, teksa shprehet i fort betimi për çuarjen më përpara të këtij amaneti liridashës: Shqiponjat e lira tani në qiell fluturojnë,/Tokën e Dardanisë gjithandej e vëzhgojnë.

Ka një tingëllim e ngjyrim të bukur poezia  “Perla shqiptare”, që i kushtohet Ulqinit të bukur e ku, autori, ndërsa kalon atje ndonjëherë pushimet, mediton për bukuritë e atdheut dhe të ardhmen e tij, duke e quajtur Ulqinin “Perla shqiptare”. Më tej vijon poezia “Shala heroike”, ku shprehet heroizmi popullor i kësaj treve luftëtarësh që sakrifikuan jetën e tyre të re për lirinë dhe pavarësinë.

Cikli i katërt, “E rëndë pesha e mërgimit”, çelet me poezinë “Ofshamë”, ku shprehet me mjete artistike drama e popullit shqiptar të zbuar në emigracion nga okupatori serb. Poezia ka nota dhembje, nota urrejtje kundër okupatorit që i ka shkaktuar tragjedi të rënda dhe të njëpasnjëshme populli shqiptar, ndërkohë që poezia shpreh edhe krenari për vlerat shqiptare, duke veçuar aty virtyte të larta të besës dhe atdhedashurisë. Ndërkaq, me këtë ritëm vijnë te lexuesi dhe poezitë “Malli për atdhe” dhe “Udhëtimi”. Kurse në vazhdim vijon poezia “Kosova e bukur”, e cila vezullon si një kurorë plot ngjyra dhe  e freskët, një kurorë poetike: Vetëm atje ëndrrat i ëndërroj. /Vetëm për atje qaj e vajtoj, /Vetëm atje lulet i kujtoj. /E lus popullin tim, /Vetëm në Kosovë të qëndrojë!

Cikli “Recensa”, përmban artikuj për librin “Vullkani i fjetur”. Pasqyrohet aty recensa “Jemi betuar në komb e flamur, bjeshkët tona s`i lëshojmë kurrë!” shkruar nga Viron Kona; vijon artikulli i shkruar mjeshtërisht dhe me shumë dashuri nga z. Osman Ahmetgjekaj, lexuar në përurimin e vëllimit “Vullkani i fjetur” në Borås të Suedisë më 04.08.2017; ndërsa e mbyll këtë cikël,  fjala e peshuar dhe plot mendim e respekt e Prof. Dr. Nuhi Vinca, mbajtur më 05.08.2016 në Prishtinë, kur u përurua atje libri “Vullkani  fjetur”.

Paraqet vlerë dhe bukuri të veçantë cikli  “Xhevahire nga folklori ynë”, ku autori veçon për lexuesit “Fjalë e thënie që peshojnë”. Në themel të tyre qëndrojnë fjalë të urta, që shprehin ndjenja dhe mendime të popullit për lirinë dhe vlerat e saj, për dashurinë për vendlindjen, për punën që është veçori kryesore e jetës së njeriut, për ndershmërinë dhe trimërinë, për besën dhe miqësinë, për ato virtytet origjinale që kanë dalluar në shekuj popullin shqiptar. Po me atë origjinalitet shpaloset edhe rubrika “Pyetje e përgjigje të mençura”, ku lexuesi, krahas informacionit, merr edhe njohuri filozofike popullore të traditës dhe aktualitetit, të cilat në boshtin e tyre paraqesin në mënyrë mbresëlënëse mprehtësinë dhe bukurinë e shprehjeve dhe bashkëbisedës së mençur.

Urime Bajram Muharremi-Bistrica për këtë libër të nevojshëm të  shkruar në Veriun e largët të Europës, që i kushtohet atdheut të dashur dhe të shtrenjtë, Dardanisë së lashtë dhe moderne, që gjithnjë është ngritur, e freskët, e bukur, e fuqishme, si lisat e mëdhenj që kërkojnë diellin e që fuqinë e marrin gjithnjë nga toka mëmë, nga toka e kombit tonë shqiptar, pasardhës i ilirëve të lashtë e të shquar. Është një popull vullkan në zhvillim të vazhdueshëm, i cili, sa herë që rrezikohet, vepron fuqishëm, duke djegur me llavën e  tij të zjarrtë gjithçka të keqe, duke hedhur jashtë tij blozat dhe tymrat, hirin dhe  mbeturinat, duke e  pastruar përherë mjedisin e tij të shenjtë, duke kërkuar vazhdimisht me ngulm dritën dhe lirinë. Faleminderit Bajram Muharremi për emocionin që na dhuron me këtë “Vullkan” të ri poetik, produkt i mendjes së freskët dhe fisnike, i dashurisë dhe i atdhetarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat