“Dy vdekjet e një jete”, apo unë ty do të pres në botën tjetër!?

Libra

“Dy vdekjet e një jete”, apo unë ty do të pres në botën tjetër!?

Nga: Murat V.Gashi Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 09:59
Romani “Dy vdekjet e një jete”, është një roman i shkruar në stilin modern, i kohës së re që mua, por edhe lexuesve na jep një kënaqësi të jashtëzakonshme të të lexuarit

Përsiatje për romanin e shkrimtarit Fatmir Halimi “DY VDEKJET E NJË JETE”, i cili më 15 shkurt u laurua me Çmimin Vjetor për Letërsi: “Anton Pashku” nga Ministria e Kulrurës, Rinisë dhe Sportit, si romani më i mirë për vitin 2017.

Fatmir Halimi, me romanin e tij, “Dy vdekjet e një jete”, në letërsinë shqipe erdhi me një art jashtzakonisht të fuqishëm, me figura stilistike, me një temë ndoshta të patrajtuar sa duhet nga shkrimtarët tanë, pra temën e luftës së fundit të Kosovës,  e cila sa na duket e dhimbshme, por çuditërisht ngjarjet që zhvillohen në të, të rrënqethin e të ngrisin emocione deri në katarzë. Romani " Dy vdekjet e një jete" lidhet me ngjarjet që zhvillohen rreth personazhit kryesor, Astrit Gashi, ku gjatë luftës së fundit në Kosovë, sidomos në Betejen e Koshares, duke luftuar përballë armikut serb plagoset rënd për vdekje, e që shumë nga shokët e tij të luftës do ta dinë për të vdekur, të cilin e varrosin gabimisht në Koshare, ku i ngritin edhe pllakën e dëshmorit. Kurse realiteti është ndryshe. Astrit Gashin menjëherë pas përfundimit të betejes e gjejnë në agoninë e vdekjes  shqiptarët matanë kufirit, e tërheqin nga beteja dhe e dërgojnë në morgun e spitalit të Tiranës, gjë për të cilën nuk dinë asgjë shokët e tij. Mandej Astriti hospitalizohet në Itali dhe pastaj në Gjermani. Ndërkaq, në varrin e tij, gabimisht është varrosur një ushtar tjetër i UÇK -së, që nga familjarët dhe rrethi i tij, miq e dashamirë të tij është llogaritur si i zhdukur - i vrarë. Kjo vdekje për Astritin ish vdekja e pare, derisa vdekja e dytë dhe e vërteta i vjen pas përfundimit të luftës, në paqe, si pasojë e plagës së rëndë, të cilën e kish marrë në Betejën e Koshares.

Fatmir Halimi, tek lexuesit, jo vetëm që e realizoi romanin "Dy vdekjet e një jete”,por  ai na kujtoi edhe dashurinë, besnikërinë e sinqert në mes dy të rinjve, e faturoi me vlerën më të lartë artistike, ku fati e deshti që dy të dashuruarit të mos e shijojnë jetën ashtu si ua deshti zemra me njëri- tjetrin, që për shkak të situatës trishtuese nga lufta e fundit në Kosovë ndërpritet, me shpresë për t'u bashkuar sërish në paqe. Ramani " Dy vdekje e një jete " i shkrimtarit Halimi ngjall leximin më emocional se gjithçka tjetër e botuar nga koha e pasluftës. Ai, shtjellon ngjarje të prekshme, ndonëse personazhi Astrit Gashi, i shtroi pyetje vetes, përmes së cilës e gjente shpresën tek piktura që këtu e parafytyronte Valberen, lirinë, dashurinë, besnikërinë, që pas përfundimit të luftës imagjinonte që të mbizotërojë dashuria e sinqertë, e vërtetë me Valberen. Në romanin "Dy vdekjet e një jete”, shkrimtari i jep përgjigje me një art dramatik fatit të Astritit dhe Valberës, duke treguar jo vetëm ngjarjen e vdekjes së parë, ku Astriti e kish përjetuar "trishtueshëm " dhe në anën tjetër përjetimin e Valberes, e cila besoi se Astriti tashmë ishte i vdekur, i rënë dëshmor në Koshare. Dhe ëndërrën e dashurisë së jetës Shkrimtari, e thuri profesionalisht me një art të bukur, pas përfundimit të luftës në Kosovë, duke i dhënë një kërcënim tjetër jetës. Ishte lufta e tmerrshme nga pushtuesi serb, që shpërnguli shqiptarët dhe që ndau dhunshëm anëtarët e familjes. Në këtë udhëtim, fatin shumë të keq e pati dhe Valbera, e cila humbi kontaktin me familjen e vet dhe iu bashkangjit një familjeje tjetër për në Maqedoni dhe pastaj në Gjermani. Edhe përkundër kësaj gjendjeje, Valbera me djalin e kësaj familje, Burimin e kërkoi por s'mundën ta gjejnë Astritin. Romani “Dy vdekje e një jete”, është romani me përmasa prekëse që ka shtrirje dimenzionale e që eksploroi tek lexuesit me rrokje e ndërlikimeve sa sociale e shoqërore, po aq të luftës për liri. Është një libër intelektualisht i guximshëm. Është një roman i të shkruarit me një punë e themelvënëse që do të revolucionojë çdo kohë të të kuptuarit ngjarjen e papritur dhe të mundshme, me të cilën shkrimtari ka arritur ta realizojë, madje fije për fije, duke i dhënë një kompozim të vërtetë artistiko-letrar, si me objektin e poashtu dhe me subjekt të qartë. Mbi të gjitha, në këtë libër, shkrimtari Halimi, pos lirisë që Astriti sakrifokoi edhe jetën e tij për të, peshë të veçantë i dha dashurisë me Valberen, me të gjitha ngjyrimet dhe fshehtësitë e pazbuluara.

Fatmir Halimi në romanin “Dy vdekjet e një jete”  nuk lë vend për imagjinatë. Ai me një mjeshtëri të lartë artistike e estetike i rrëfen edhe ngjarjet më trishtuese dhe të dhimbshme, siç është edhe ajo e masakrës makabre që e bëjnë forcat okupatore në familjen dhe lagjen e tij të lindjes, por edhe ngjarje të lavdishme dhe krenare të Luftës së UÇK-së, siç është Beteja e Koshares… Fatmir Halimi, në romanin “Dy vdekje e një jete”, vend të rëndësishëm i jep edhe mikut të ngushtë të Astritit, Drenit, i cili si para lufte, edhe tash në liri bën çmos që ta ndihmojë në kërkim të Valberës tash pas tetë viteve. Astriti në udhëtimin e tij të fundit për ta takuar Valberën pëson aksident. Pra tash ai përballet me vdekjen " e dytë ", ku në fund u atakua përballë dashurisë që nuk përfundoi në bashkëjetesë me Valberen, që do t’ia lë asaj edhe këtë mesazh: " Ti mos u mërzit për mua, unë edhe pse po i përjetoj dy vdekjet e kësaj jete, unë ty do të pres në botën tjetër dhe atje do të jesh e imja përgjithmonë".

Romani “Dy vdekjet e një jete”, është një roman i shkruar në stilin modern, i kohës së re që mua, por edhe lexuesve na jep një kënaqësi të jashtëzakonshme të të lexuarit.

Kështu, shkrimtari Fatmir Halimi, letërsisë shqipe i dhuroi një zhanër të ri modern, ose më mirë të them një modalitet tjetër të artit e të shkruarit. Ai shtjellon temën e luftës dhe të dashurisë me një dramaticitet të pashkruar deri më tash në letesinë tonë artistike, duke i përdorur edhe kategoritë stilistike ,si përzierjen e ngjarjeve, dyzimin tematik si dhe  retrospektivën që romanin e bëjnë shumë joshës në lexim të parë dhe emocionues në rilexime të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat