Bota e Basri Çapriqit, një thesar i pjekur ideshë poetike

Libra

Bota e Basri Çapriqit, një thesar i pjekur ideshë poetike

Nga: Monika Mureshan Më: 11 janar 2018 Në ora: 16:01
Kopertina e librit

Takimi me poezinë e Basri Çapriqit është i mirëseardhur në gjuhën rumune për të lapsëruar portretin e një artisti shqiptar. Një ndjeshmëri e jashtëzakonshme e nxit këtë t’i fshehë emocionet abstrakte, duke i tulatur sentimentet nën vellon semitransparente të një padukshmërie e dila mund të deshifrohet vetëm përmes forcës dhe aftësisë sonë për koncentrim mbi idetë e mirëpozicionuara e të fshehura në tekst. Këto pasuri dhe kjo plurivalencë vlerësohet te Hapja e guacës në cilësi artistike dhe kualitative, në prizmin e një akumulimi të dukshëm kuantitativ përfytyrimesh, gjendjesh, shenjash, meditimesh dhe konceptesh filozofike. Diskursi poetik, herëherë hijerëndë, nuk është gjë tjetër veçse një mburojë pas së cilës poeti e konzervon dhe mbron vetveten nga efekti destruktiv i materiales, bezdisshmërisë dhe përditshmërisë. Artisti kosovar ka kapacitetin e hatashëm për të patur një trajekt të përpjetshëm, me një konstrukcion të mirëpërgatitur, duke u drejtuar kah zonat esenciale të shpirtit me ndihmën e syrit të mendjes. Intuitat e tij gjejnë përgjigje dhe konture përmes një materializimi virtual. Rikthimi në planin e materialitetit tokësor përshkohet, ndërkaq, ciklikisht, falë faktit se autori din të përcjellë elemente nga kjo botë në botën tjetër, duke i purifikuar.

Image

Në këtë kontekst ngjet dhe një fenomen i anasjellttë, në një simetri të përmbysur, autori duke përfituar nga pronësia e një shpirti të observimit që e ndihmon të përkthejë shenja dhe simbole, duke i përshkruar poetikisht, kështusoj duke ua dekodifikuar manifestimin e mrekullueshëm në planin konkret të jetës së përditshmërisë me banalitetin e saj. Përmes këtij antropoformizmi të shfrytëzuar me qëllim stilistik, disa gjëra të jetës apo elemente të botës vegjetale marrin zë dhe është shumë më shumë se sa evidente që pa këtë pronësi senzoriale të poetit, asgjë nuk do të kishte ngajrë. Kështu pra, gjithçka është e mundur në botën poetike të B. Çapriqit. Përndryshe, hyrja në këtë botë bëhet përmes portës së padukshme të syrit dhe përmes iniciimit të një rituali (jo përmes një rituali të iniciimit), për motivin e thjeshtë se një i iniciuar ka aftësi për kundrimin e një porte të padukshme. Për atë, shenjën e parë e gjejmë te Guaca (poezia me të cilën hapet ky vëllim), përmes së cilës i referohet praktikës së gjeomancisë (pra, të deshifrimit të fatit në gjurmat e lëna mbi dheun e gurtë, gjethe apo guaca), duke i avertizuar ato në fushën e rieditimit të kultit të lashtë të hyjnores. Sigurisht, njeriu i (pa)përmendur do ta receptonte këtë poezi në nivelin e vet e të evolucionit të tij, por, madje, edhe ashtu, po ai di të intuojë kuptime të fshehta pas fjalëve të dukshme (aparente), siç mund të jetë në këtë rast, morfogjeneza, respektivisht fshehtësia e krijimit.

Njeriu i sakralizuar është i përfshirë nga mrekullia e krijimtarisë duke e harruar esencën e saj hyjnore, e gulçuar herëpashere nga senzualiteti i konkretizimit të ndjenjave.  Ai është “kyçur” në senzualitet, duke hapur horizonte të reja, edhepse hapja e tij përmes njohjes ekziston, potencialisht, prej ku buron edhe shpjegimi i etjes së tij ndaj absolutes, vetëtejkalimit dhe shijes me të cilën kundron, mahnitet dhe di ta shpjegojë e ta kuptojë. Duke i lexuar shenjat, ai nuk e ka harruar formulën e kushtrimit për hapje: “Hapu se/ Dua të dal/ Të pi ujë drejt nga qielli// Hiqu yjeve/ Pi ujë nga goja ime/ Mbyllim farën tone/ Në fund të detit// Sa kohë u bë që jemi mbyllur/ Humbur brenda o zot/ E s’dëgjojmë zërat e ujit” (Guaca). Në mënyrë evidente, shungullima e fjalëve sugjeron kapacitetin e mrekullueshëm të ujit për stokimin e informacionit, vetë trupi njerëzor duke qenë i përbërë nga uji në proporcion prej rreth 70 për qind. Pasojnë shenja tjera: Porta, Muri dhe Pasqyra,  të cilat, të gjitha këto dhe secila veçmas, ndajnë jo vetëm njërin plan nga tjetri, duke e ndarë realen nga imagjinarja, por përfaqësojnë dhe një mjedis hyrjeje dhe kalimi nga  njëra në tjetrën anë, por edhe për kontinutetin e njërit përmes tjetrit: “muri s’është aty për t’u kapërcyer/ për t’u ndarë më dysh” (shih Muri gjigant). Ideja është e rimarë, mes tjerash, edhe te poezia Përkryerja e shiut, kështu: Kaq kohë presim atë ujë të rëndë/ Me na shkëput/ Përgjithnjë nga tokë e dashur. Poeti duket të jetë përçuesi apo elementi i lidhjes ndërmjet planeve, ndërmjet gjuhës (fjalorit, diskursit) të shenjave dhe fjalorit të shfrytëzuar në komunikim.  Është evidente se plurivalenca për të cilën bëja fjalë vjen si pasojë e specializimit të tij si profesor i stilistikës dhe semiologjisë.

Në bazë të seleksionimit të lëndës në gjuhën rumune që e ka realizuar dhe rikënduar me mjeshtri dhe besnikëri B. Ymeri, tekstet e B. Çapriqit e justifikojnë  formacionin e tij filologjik dhe shkencor, duke sjellë kontribut të veçantë që e ndihmojnë teorecienin të aplikojë në praktikë atë që e di, dhe atë që e intuiton. Mu ky specifitet observohet në poezi, gjë që na e përforcon impresionin se autori ka një praktikë të shkrimit, se për zotërinë e tij shkrimi është si ecja, zgjimi apo çdo ndërmarrje dhe preokupim ditëror (i përditshëm), dhe sërish mu ky banalitet i përditshmërisë  është i mbrujtur me një fshehtësi të mrekullueshme të gjestit, dukshmërisht të imtë, një gjest që potencon në të manifestimin diskret të mahnitjes, duke e kultivuar, duke e përsosur dhe shumëfishuar lumturinë për përfytyrimin e një bote më të mirë. A ekziston vallë nevoja të manifestojmë përgëzimin tonë për të zbuluar një poezi magjike, arkitektura mentale e së cilës mund të rindërtojë një botë të tërë, duke filluar nga studimi i përgjithshëm i shenjave deri te parashtrimi i pyetjeve mbi aspektet dhe relacionet e jetës sociale?

Bota e Basri Çapriqit dëshmohet të jetë një fryt i proshkët ideshë të pjekura: ajo është bërë më e mirë mu për shkak të kapacitetit për të evoluar nëpërmjet observimit, eksperimentimit dhe njohjes ; ajo duke mbetur në një plan të cerebralitetit (pjekurisë mentale), duke kristalizuar dhe stokuar (grumbulluar) inforenergji siç është uji. Po e përmbyll duke e nxjerrë në pah edhe eksperimentin e rëndësishëm hermeneutik, duke i bashkuar përmes një harku të bardhë tingujt nga vargjet e famshme të Goethes: ,,Ich  gehe im Walde/ Zo fuer mich hin/ Und nich zu suchen/ Das war mein Sin’’, për jehonën e një poezie të poetit rumun Luçian Blaga, i cili, nuk e shtrydhte „kurorën e mrekullive të botës”. Në këtë kontekst, ja pra se si tingëllon magjia e vargjeve të Basri Çapriqit: Sheh rrushi rrushin dhe s’piqet/ Pema ime po kalbet nga fortësia e vet/ Apo nga shiu nga breshëri nga kohë e ligë/ Po u poqa tashti/ A më ha ti nga malli për pemët apo për drunjtë/ A më lë vjerrë nga metafizika ime e thartë/ Unë s’dua të kalbem pendimi më mire/ S’piqem fare/ Vetëm i papjekur mund të mbes pemë përgjithnjë/ Si thua ti të mbetem mollë/ Tash që po hyn së dyti në drurin parahistorik/ Apo aty ishe e të mbulonin gjethet// Kur sheh rrushi rrushin e s’piqet (Të piqet) – fjala e poetit.  (Basri Çapriqi, Deschiderea scoicii/Hapja e guacës, Përktheu Baki Ymeri, Biodova, Bukuresht, 2010)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat