Në Shkup u promovua libri me poezi "Tinguj vargjesh" i Semine Hasanit

Libra

Në Shkup u promovua libri me poezi "Tinguj vargjesh" i Semine Hasanit

Nga: Ahmet Pllana Më: 31 gusht 2017 Në ora: 17:50
Autorja e librit

Në Librarinë e Çarshisë në Shkup të mërkurën në praninë e shumë pjesëmarrësve dashamirë të librit u bë promovimi i librit me poezi me titull "Tinguj vargjesh" e autores Semine Hasani nga Shkupi. Rreth librit diskutuan Rrahim Ganiu, shkrimtar, publicist dhe recensent i librit, pastaj Rrahman Hyseni, poet dhe publicist nga Kosova Lindore dhe Zekirija Idrizi, shkrimtar dhe teolog.

Shkrimtarët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Maqedonisë, fatmirësisht janë të shumtë, të cilët shkruajnë vepra të mira letrare, tha Rrahim Ganiu. Ai theksoi se gjeneratës së re të poetëve bashkëkohorë shqiptarë që veprojnë në Republikën e Maqedonisë i takon edhe poetesha e re, Semine Hasani. Kjo autore e re me poezitë e veta po jep kontribut në drejtim të pasurimit cilësor dhe sasior të poezisë shqipe në përgjithësi, veçmas të poezisë që krijohet në Shkup, theksoi Ganiu.
Ndërkaq, Rrahman Hyseni, tha se vëllimin poetik “Tinguj vargjesh” i poetes Semine Hasani konceptohet kryesisht me poezi dashurie, me poezi përkushtime për Kosovën, etj. Preokupimet e veta kjo autore i paraqet në dritën e zhvillimit të poezisë së dashurisë. Respekt punës dhe penës së poeteshës Semine Hasani, tha Hyseni.

Zonjusha Hasani është poete e re në qiellin poetik të kësaj treve. Poezitë e saj janë poezi dashurie, të mbështjellura diku me mall e diku me humbje të dashurisë e gjykim ndaj saj, por diku edhe me lutje. Të gjitha këto atorja i ndjen se i ka shkruar me ndjesi përjetimi, kurse motivi i trajtuar në këtë vëllim poetik është i nxitur nga frymëzimi i poeteshës i dalur nga jeta, tha Hyseni.
Pra, Semine Hasani shkruan pa imponime me artin e bukur poetik. Ajo me mall melankolik shkruan për dashurinë ndaj qenies më sublime me emrin nënë. Të shkruajë poeti ose poetja për dashurinë është sa humane, po aq edhe fisnike.

E veçanta e poezive të vëllimit poetik “Tinguj vargjesh” të poetes Semine Hasani është gjuha dhe stili, përdorimi i figurave të ndryshme letrare, siç janë epiteti, metafora, krahasimi, metri dhe rima e vargjeve. Pra, vargu, fjala, fryma dhe të shprehurit poetik janë veçoritë kryesore që poetes i mundësojnë për t’u lidhur me lexuesit. Përmes këtyre vargjeve do të mund të futeni brenda botës krijuese, duke e deshifruar si botën poetike, ashtu edhe atë njerëzore të autores së kësaj përmbledhjeje.
Poetja e saponisur rrugës së vështirë, por edhe të bukur, pra rrugës së krijimtarisë letrare, duhet të përpiqet që në të ardhmen të shkruajë sa më shumë poezi frymëzuese motivesh të ndryshme, ngase shquhet për nivel të lartë dhe stil të veçantë të të shkruarit. Hasani është zë premtues në horizontin poetik të kësaj treve, por edhe më gjerë, tha në fjalën e tij, Rrahman Hyseni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat