Nga Boni- Jusuf Buxhovi

Libra

Nga Boni- Jusuf Buxhovi

Nga: Rexhep Shahu Më: 31 mars 2017 Në ora: 20:07
Rexhep Shahu

Kur kisha lexuar para shumë vitesh romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, nuk kisha guxuar as të ëndërroja se mund të njihesha apo mund të flisja me autorin e tij shkrimtarin e madh të letrave shqipe Jusuf Buxhovi.

Kur gazeta “Rilindja’ filloi të botohej në Tiranë, shkrimet e Jusuf Buxhovit ishin një shkak më tepër që ta lexoja çdo ditë atë gazetë e cila falë Skënder Zogajt, i vinte falas Radio Kukësit. Shkrimet e Jusuf Buxhovit, krahas Ali Podrimes, Mehmet Krajes, Ramush Tahirit, Xhemail Mustafes, Ibrahim Berishes, Rustem Rugovës, Veton Surroit, Shkelzen Maliqit, Sylejman Gashit, Sylejman Aliut, Milazim Krasniqit etj., ishin lëndë e parë për emisionet e mia. Shpesh shkrimet e tyre i përcillja të plota për dëgjuesit e radios.

Duke kërkuar që të mbaja lidhjet me zyrat e Lidhjes Demokratike në Gjermani, me Hafiz Gagicën e Sali Çekën, lidhje që i pati vendosur Izet Duraku, rasti e solli që të mësoj numrin e telefonit të Jusuf Buxhovit.

Dhe në ato ditë të vitit 1998, kur bota filloi të merrej me çeshtjen Kosovë, munda të lidhem me telefon me Jusuf Buxhovin. Nëpërmjet tij, doja që dëgjuesit e Radio Kukësit, që në atë kohë ishin të shumtë në Shqipëri e Kosovë, të informoheshin se çfarë po ndodhte në kancelaritë e perendimit me çeshtjen Kosovë, çfarë kulaçi po gatuhej për Kosovën dhe shqiptarët. (Them … në atë kohë ishin të shumtë dëgjuesit e Radio Kukësit… pasi sot kësaj Radioje ja kanë mbyllur gojën pamundësitë e shumta…). 
Gjashtë biseda apo intervista telefonike kam realizuar me Jusuf Buxhovin nga Gjermania. Ai ishte në korent të çdo zhvillimi, ishte i mirëinformuar dhe i gatshëm në çdo kohë.
Ndërsa prisja ndonjë zë të rëndë e të vrazhdë, u befasova prej bisedave me Jusuf Buxhovin. Zë i ngrohtë, i ëmbël, i qartë. Njeri i gjendshëm, i shpejtë, i saktë. Dhe mbi të gjitha, njeri i qartë.

Ka patur raste që lidhjen me Jusufin e kam bërë drejtpërdrejt në edicionin qëndror të lajmeve në radio. Sidomos kur kishte ndonjë zhvillim me rëndësi për Kosovën. Dhe ai nuk harronte asnjëherë të përshendeste dëgjuesit e radios tonë, e sidomos të përshëndeste Gjakovën e njerëzit e saj.

Nuk dua të flas rreth gjithë bisedave që kam realizuar me Jusuf Buxhovin. Vetëm nuk më hiqet nga mendja biseda e realizuar ditën që në Bon të Gjermanisë u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit të Kontaktit për Kosovën, mbledhje e drejtuar nga sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright. Kur i telefonova Jusufit, mu lut që ta merrja në telefon pas dhjetë minutash. Jam në konferencën e shtypit që po jep pas mbledhjes zonja Ollbrajt, mu përgjigj ai. Dhe e lamë ta merrja në telefon në mbrëmje. 
Shtypi dhe medja në Shqipëri patën shkruar e folur se në mbledhjën e Grupit të Kontaktit në Bon, ishte ftuar të merrte pjesë edhe kryeminstri i Shqipërisë Fatos Nano. Kështu që unë në intervistën e drejtëpërdrejtë me Jusufin në edicionin e lajmeve të orës 19.30, veç të tjerave, e pyeta Jusufin edhe për këtë gjë, duke e çmuar se thirrja e kryeministrit të Shqipërisë në Mbledhjën e Grupit të Kontaktit për Kosovën ishte domethënëse. 

Por Jusufi u përgjigj qartë e shkurt : Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit që u zhvillua sot në Bon të Gjermanisë nuk ka marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë e as kryeministri i Kosovës. 

Po shtypi në Shqipëri ka informuar…, ndërhyra unë. Nuk më la të vazhdoj më tej. Shtypi ka shkruar ç’ka dashur, vijoi Jusufi, por në mbledhje nuk ka marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë.

Po çfarë u vendos për Kosovën në këtë mbledhje, e pyeta Jusufin. Asgjë nuk u vendos për Kosovën, u përgjigj me mllef Jusufi. U përkëdhel përsëri Serbia. Iu dha afat përsëri Serbisë që të bëjë vrasje e masakra në Kosovë...

Edhe në bisedat e tjera që kisha zhvilluar me Jusuf Buxhovin, ai gjithmonë këtë gjë ma thonte : Iu la afat përsëri Serbisë…
Kur e pyesja se si është opinioni gjerman e më gjërë për Kosovën, Buxhovi u shpreh në një bisedë, se kam droje se vuajtjet e Kosovës do të bëhën një përditshmëri në shtypin e medjat e këtushme dhe opinioni në perendim do të ambientohet me të e nuk do t’I bëje më përshtypje dhuna serbe në Kosovë…

Në shkrimet dhe analizat e shumta të Jusuf Buxhovit, pata mësuar të jem i qartë edhe vetë për shumëçka. Prej tij pata mësuar që të flasim për largim të Serbisë prej Kosove.

Respekti për këtë gazetar e shkrimtar të madh shqiptar, na bëri që bashkë me Izetin, të zgjidhnim një shkrim të Jusuf Buxhovit dhe ta botonim në numrin 4 të revistës tonë “Dy Drina”, numër special kushtuar Kosovës. Botimi më i parë i një libri me shkrime të gazetarëve me emër nga shumë vende të botës, kushtuar Kosovës, luftës për të dhe paqes së saj. Por që nuk mori jehonë pasi e zhurmuan ata që nuk u përfaqësuan në faqet e saj… Në këtë shkrim fill pas luftës për Kosovën, Buxhovi parashihte Mitrovicën e sotme dhe problemet e saj.

E kam vlerësuar si vlerë të veçantë që për Radio Kukësin ka informuar edhe Jusuf Buxhovi nga Gjermania. Dhe për vetën time privilegj. E ruaj zërin e Jusuf Buxhovit, të cilin ende nuk kam mundur ta takoj edhe pse e deshiroj shume një takim me këtë gazetar dhe shkrimtar të madh shqiptar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat