U përurua libri me kumtesa për Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi

Libra

U përurua libri me kumtesa për Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi

Nga: Sevdail Hyseni Më: 21 mars 2017 Në ora: 09:24
Përurimi i librit

Në sallën solemne të Pallatit të Kulturës, në qytetin e Bujanocit, në ditën e fillimit të pranverës, më 20 mars, u bë përurimi i librit me kumtesa shkencore “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore”.
 
Librin me kumtesa shkencore e ka botuar Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës, një shoqatë e pavarur e pa ngjyrime politike e dëshmuar për një varg veprimtarish me interes në fushën e trashëgimisë kulturore në Preshevë dhe rajon.

Kryetari i kësaj shoqate, Xhemaledin Salihu, në hapje të këtij evenimenti të lartë kulturor, theksoi se “libri është një trashëgimi e cila do t’i mbetet gjeneratave të reja, të cilët do të kenë në duart e tyre një hulumtim shkencor kushtuar një periudhe shumë të mundimshme të popullit shqiptarë të këtyre trojeve, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore”. Sipas Salihut, libri është i një rëndësie të veçantë, ngase përfshinë brenda kopertinave të tij 25 kumtesa, të lexuara gjatë Konferencës Shkencore, e cila u mbajt, në Preshevë, më 12 dhe 13 dhjetor, të vitit 2014.

Për rolin dhe rëndësinë e librit me kumtesa shkencore, foli redaktori Jonuz Fetahu, duke vlerësuar atë “si një krijimtari shkencore me vlera të veçanta historike e cila i jep dritë fakteve dhe ngjarjeve sat ë dhimbshme, aq edhe krenare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës gjatë periudhës së fundit të Luftës së Dytë Botërore”.

Ndërkaq, Sevdail Hyseni, drejtues i Shoqërisë Civile “Perspektiva”, nga Lugina e Preshevës, theksoi, mes tjerash, se ky libër me kumtesa konferenciale ka një peshë të madhe për të kaluarën historike të Luginës së Preshevës dhe të trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi, gjatë mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. “Brenda kopertinave të këtij libri prej 300 faqesh janë përmbledhur 25 kumtesa të karakterit historik kulturor, politik dhe informativ, 25 punëtorë shkencorë nga viset e etnikumit shqiptarë kanë hedhur dritë mbi faktet ngjarjet dhe personalitetet të cilat e kanë karakterizuar periudhën e asaj kohe.

Nëpër këto kumtesa është përshkruar gjendja e rëndë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe trojeve të tjera etnike në ish-Jugosllavi. Marrëdhëniet e acaruara shqiptaro-serbe, masakrat dhe terrori ndaj shqiptarëve në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, rezistenca e armatosur e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar, shpresat dhe zhgënjimet e shqiptarëve pas mbarimit të kësaj lufte”, u shpreh Sevdail Hyseni.

Gjithashtu, gjatë këtij përurimi, u bënë të ditur emrat e autorëve të kumtesave të këtij libri shkencor, të cilat fillojnë me punimin e dr. Ilir Zylfiut me titull: “Okupimi Bullgar në Komunën e Preshevës, gjatë Luftës së Dytë Botërore”, për të vazhduar me punimin tjetër: “Zhvillimet politike ushtarake në Luginën e Preshevës, shtator-tetor 1944”, të autorit Qerim Lita. Të kësaj natyre janë edhe punimet tjera si: “Lufta e përbashkët e vullnetarëve të shqiptarëve të Karadakut të Preshevës e Kumanovës, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore” të dr. Sevdail Demirit dhe “Konflikti shqiptaro-serb dhe rëndësia e pozitës së Luginës së Preshevës” të dr. Nebi Islami.

Fakte dhe dëshmi për “Rezistencën e armatosur të Karadakut në juglindje të Kosovës, gjatë viteve 1941-1951”, sjell kumtesa e Nijazi Ramadanit, pastaj kumtesat e Zeqirja Fazliut e Ismet Bajramit, mr. Xhait Ramadanit, Xhemaledin Salihut, Shkëlzen Limani, Arditë Behluli, Albin Sadiku, Skënder Latifi, dr. Hatixhe Ahmeti e mr. Refik Hasani. Këto ngjarje historike nuk do të kishin kuptim të plotë sikur të mos ndërlidhen në mënyrë zingjirore me ngjarjet e zhvilluara në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, në periudhën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore: “Faktorët politikë dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për sovranitet në mbarim të Luftës së Dytë Botërore”, të autorit prof. Hajrullah Mustafa, pastaj kumtesat e tjera shkencore të autorëve: dr. Nebi Dërvishi, dr. Vebi Xhemaili, Driton Tika, Ilmi Veliu, Shefki Selmani, dr. Veton Zejnullahu, dr. Mustafë Haziri, Fazli Hajrizi e mr. Shpend Avdiu, të cilat paraqesin një thesar të pasur në historiografinë shqiptare.

Me diskutime rreth Librit me kumtesa shkencore u paraqitën përfaqësues nga jeta institucionale kulturore jo vetëm nga Lugina e Preshevës, por edhe me gjerë nga Kosova e Maqedonia, si: prof. Hajrullah Mustafa, nga Mitrovica, pastaj Nexhat Rexha, drejtor i Shkollës së Mesme “Ismail Qemajli”, nga Dardana, Rexhep Abazi nga Medvegja e kështu me radhë.

Gjatë përurimi të Librit me kumtesa shkencore, u shfaq një program i pasur kulturor, nga nxënësit e Shkollës së Mesme “Sazai Surroi” të Bujanocit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat