Pas 59 vitesh zbulohet tema e diplomës së Dritëro Agollit

Libra

Pas 59 vitesh zbulohet tema e diplomës së Dritëro Agollit

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 13:43
Dritëro Agolli

Nis java e kremtimit të ditëlindjes së 85 – të të shkrimtarit Dritëro Agollit, javë në të cilën do të zhvillohet një mori aktivitetesh në bashkëpunim me AQSHF, Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar.

Në aktivitetin e organizuar sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, u zbulua një detaj mjaft interesant nga punimet e shkrimtarit Agolli.

“Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”. Kjo ishte tema e diplomës, që i riu Dritëro Agolli do të mbronte përpara një komisioni specialistësh në Universitetin e Petersburgut. Punimin e shkrimtarit, e risjell studjuesi, prof. Dr Shaban Sinani në ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit”, në aktivitetetin e organizuar sot.

Tema është mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja. Sipas Sinanit, zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut” si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat sovjetike.

Ndërsa “Ekspozita agolliane” sjell për lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të krijmtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari.

Nga poezitë e para të vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat të satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëheri frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e suksesshme në dy epoka.

Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erëreve të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997).

Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat