Du xhenazen ku ka mbetë

Libra

Du xhenazen ku ka mbetë

Nga: Rexhep Shahu Më: 15 shtator 2016 Në ora: 22:46
Rexhep Shahu

(radioreportazh, fragment nga libri im në proces “Lufta ime për Kosovën”)
“Rrezë Pashtrikut bie shi
Po therret Hasi djemt e tij ...
Qe kulmi i drekës kur mbërrijmë në fshatin Kishaj të Hasit. 
Kjo pllajë, gjithë gurë të faquar, në të cilën është vendosur ky fshat në sup të Pashtrikut, të krijon përshtypjen se je mbi rrënojat e një qyteti të madh të stërmotshëm. Brezi i shkëmbinjve, që duket sikur t’i kenë gdhendur dikur zotat, qarkon majën e zhveshur të Pashtrikut, pak sipër hijeve të Lugut të Bokajve. E t’i beson se po sheh një kështjellë të stërmadhe, me mure gjysëm të mbuluara prej rrënojave të kohërave. Pak më tej, është Lama e Bogdanit. 
Këtu në Kishaj të Hasit beson se je në një aerodrom zotash. 
Makina me të cilën udhëtojmë, gjë e rrallë në këtë pllajë, bën që të na mblidhen pranë shumë fëmijë. 
Dalin të na presin burra shtatlartë. Mendova, sa më të mëdhenj njerëzit, aq më të vogla vogëlsitë. Por sytë nuk hiqen nga fëmijët të veshur aq keq, me rroba me aq shumë arrna…
Dua kufomën… Ku ka mbetë… 
Kjo fjalë rri pezull në odën plot burra të Alush Kolecit, rri pezull dhe rëndon mbi kokat tona në odën mbushur ding me burra. 
Kemi shkuar për ngushëllim.
Din Koleci, 55 vjeç, babai i gjashtë fëmijëve, vëllai i Bedri Kolecit, ishte vrarë nga ushtarët serbë, në kufi, më datën 2 qershor të këtij viti, në buzëmbrëmje, tek po percillte në kufi nje grup djemsh të rinj nga Kosova, që ktheheshin nga vendet e Perëndimit për të hyrë në Kosovë, për t’u rreshtuar në forcat e UÇK-së. 
Kishin kaluar tri javë që mortja kishte nisë dhe një zot e di sa do të zgjaste. Sepse trupi i të ndjerit Din Koleci nuk dihet se ku është. Serbët s’po e kthejnë kufomën. Mbi tri javë pas vrasjes dhe s’ka as kufomë, as varr…
Ta kishim varrosë me duart tona, gjysma e së keqes… flet dikush. – Po bre… të na vike xhenazja… mezi shqipton e shoqja e Din Kolecit, Sabrija.
Do të ndërhyjë shteti… Do të vijë trupi i babës… si lutje e shpresë mërmerit vajza e Din Kolecit, Liria, 12 vjeçare.
Shkjau ma vrau djalin, - flet si me veten babai i Dinit, Alush Koleci, 80 vjeçar.
Po i ka lufta këto, bre bacë – ia priti dikush. – A jena në luftë a jo?
Po, besa, po. Po m’i ka hup vorri se… Du kufomën… Ku i ka mbetë – flet si me vete Alush Koleci, po kjo s’është e folme me veten, pasi kjo fjalë po dridh edhe muret e kësaj ode të sertë, mbushur plot me njerëz. 
Po s’ia nxori trupin shkjau, ka me ja rujt vorrin Kosova, o bacë, - ia pret një tjetër, nga fundi i odës.
Besa po mor po, po na mbeti morta çelë. Po ani, është në Kosovë e jo n’Serbi… Tito e minosi Kosovën, Sllobodani po i ndez minat.
Flitet sa flitet për Din Kolecin e vrarë dhe ashtu krejt natyrshëm biseda rrjedh për Kosovën. Këtu, gjithçka është e lidhur më Kosovën. Flitet për Kosovën si për Kishajt.
Kosova ka fitue bre. Veç në qoftë se e merr tokën pa njerëz Sllobodani, se me njerëz nuk e merr ma Kosovën kurrë Sllobodani, vazhdon të flasë Alush Koleci. – E njohim mirë Kosovën…
Prej n’Kishaj, n’Gorozhup e deri n’Babaj t’Bokës krejt jena farë e fis – shpjegon Selim Koleci. – Unë e kam gruan prej Gjonajve, q’atje përmbi Dri, nja tre sahat larg prej këtu.
Kemi qenë partizan n’Sanxhak. Flamuri shqiptar e pati marrë n’qafë Kosovën. Na thojshin vetë kosovarët: Mos t’ishit ju partizanët e Shqipnisë, edhe gratë ishin pre n’thika e nuk i ishna dorëzue Jugosllavisë. Be’ po të baj, mos ta kishin përdorë edhe shkiet flamurin shqiptar në Kosovë, Kosova sot ishte pa shkie. I rrejti Tito, - vazhdoi baca Alush.
A e din si na thojshin kosovarët? Zoti e gjermani e përzunë shkjaun. Edhe sot e din boll mirë këtë punë edhe Kosova, edhe Serbia, - vijoi Selim Koleci.
Boll kanë derdhë lot nanat e Kosovës. Le të kajnë tani edhe shkinat. Ato shkina që dikur lypshin armë me luftue kundër Kosovës e sot duen me ndalë djemtë e tyne, mos me luftue në Kosovë, foli ai.
Po të zgjerohet lufta, a marrim pjesë ne të Shqipërisë në luftë? – e pyes bacë Alushin.
S’kena çare, pa marrë pjesë në luftë. Ai që është shqiptar merr pjesë në luftë, ai që s’është shqiptar nuk merr pjesë. E ka luftën e drejtë Kosova, - vijon të flasë Alush Koleci. Dhe nuk ka hall pa luftue Kosova. Me luftue e me fitue. Ose ndryshe Serbia ka me i pre në qafë krejt shqiptarët në Kosovë e nuk do të ketë më Kosovë. Po ka fitue Kosova, ka fitue. Veç u frikem pak klluqve se janë ba shumë.
Ç’domethënë “klluq” – e pyes.
Klluqtë janë spiunat. Ka shumë spiuna si në Kosovë, edhe në Shqipni. Këto më frikin pak. Para katër vjetësh, kur isha në Kosovë të miqtë, pashë do njerëz që e dojshin Titon. Dikur kanë me dalë krejt klluqt. Ka hala njerëz që nuk duan me fitue Kosova, ka njerëz që janë me Sllobodanin edhe në Shqipni, - vazhdon Alush Koleci.
A beson të bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, bacë Alush?
Me u çu edhe një herë Abdyl Frashëri me burrat e dheut, na jena bashkë. Dy Shqipnia s’i len kush. S’kemi dy flamuj, kemi nji. Edhe me dashtë ne, s’i le kush dy Shqipnia…
Sa largohemi nga Kishajt, shoferi nuk vë më në kasetofonin e makinës kengë greke, por një kasetë me rapsodët e Hasit. 
Ndërsa ne ecim pak çaste të heshtur, vargjet: 
“Rrezë Pashtrikut bie shi
Po therret Hasi djemt e tij 
Mos me e lanë serbin me hi … derdhen në atë pllajë të gurtë, rrëzë Pashtrikut të hirtë.
5 qershor 1998

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat