“Zemra me zog” lidh njerëz e histori

Libra

“Zemra me zog” lidh njerëz e histori

Nga: Dr. Rrustem Berisha Më: 22 korrik 2016 Në ora: 17:12
“Zemra me zog” e Nexhat Halimit

Poezia e këtij libri e Nexhat Halimit është vepër e arritjeve poetike me sukses të veçantë në aspekte që shpreh artin letrar. Ajo lidh përjetimet e prindit e të fëmijës, mallëngjimet për njerëzit që jetojnë larg njëri tjetrit ose për ata që nuk jetojnë më; i njomë kujtimet e tyre të afërta dhe të largëta, i shton dëshirat për afrime e dashuri të pambarim.  

 Me këto kujtime vijnë e bashkohen prindërit, vëllezër e motra - qoftë mes hejbeve të kurbetit, qoftë përmes pogaçes që lëshon erën e këndshme ende duke u pjekur në çerep dhe fëmijët e shijojnë akoma pa e marrë në dorë, pa e përtypur me dhëmbë.

 

Nëna ende pjek pogaçen në çerep.

Ne, pesë, presim të heshtur n`dhomë.

Secili tashmë të ngopur me aromë.

Ajo duar - çarë, thyen bukën në cep.

 

Ndërkaq, historia vjen e shtrohet me grimcat e saj, përmes shtëpive të thjeshta, kasolleve, kujtimeve në robëri, flamurit - Kosovës, iLirisë së copëtuar e deri te sendërtimi i ëndrrës së përhershme,  blerja e abetares për fëmijën, të cilës prindërit nuk ia kishin shijuar fjalët. Këtë rrugë të vështirë të flijimit, të mungesave e të rriskave të dritës, të takimeve  e të ndarjeve i shpërfaq libri i Nexhat Halimit “Zemra me zog”. Autori ka shfrytëzuar përvojën e vet të gjatë krijuese dhe e ka ndërthur në vepër ngritjen e njohurive për teknikat e vargut, të strofave e të tërësive poetike.. Idetë vluese që thuren me figura të bukura  e të plotkuptimta, me epitete, krahasime, simbole, metafora, refrene me figura përsëritëse që e fuqizojnë dinamikën  e ligjërimit dhe  e thellojnë ndjeshmërinë, që zgjojnë përjetime të thella, të rralla e të veçanta te lexuesi  fëmijë apo dhe i rritur e me përvojë qoftë. 

 N.Halimi është krijues  që kompleton intelektualitetin  me vetëngritje në aspektin e diturive. Ai zgjedh e ndërton fjalë, e gdhend vargun me shije e mjeshtri për kuptimin që i jep, zgjedh strofat me të cilat plotëson ligjërimin më bukur, krijon harmoninë e rrjedhës së narracionit në kompleksitetin e tërësisë së poezisë dhe të tërësisë së veprës. Kështu veprat me poezi të tij shpesh të duken se janë poema e jo poezi të veçanta. Këtë strukturë e ka edhe “Zemra me zog”, që po ta zbërthenim vetëm titullin do të hynim në një pyll të bukur e të dendur me plot pemë e zog e flutura të arta, që  vijnë e shkojnë  nga zemra në zemër, nga dega në degë për ta krijuar mrekullinë e hapësirës, e cila herë ka diçka përrallore në vete e herë tjetër diçka të këputur nga e përditshmja me fshehtësitë, lojërat dhe fluturimet mbi harqet e ylberit, nëpër ngjyrat që ai ka, të rikrijuara me afsh brenda fantazisë së fëmijës. E tëra të bind se autori ia pikturon të gjitha preokupimet fëmijës, ia njeh mirë psikologjinë, ia njeh imagjinatën që ka  dhe në këtë mënyrë e bën personazh të poezisë,  të flasë për synimet e  dëshirat e ëndrrat në gjithësinë e librit. Autori angazhohet  ta bëjë poezinë gjallëresë poetike, projektim me kuptim të plotë dhe i jep porositë e qarta t`i përcjell te  lexuesi.

Formohen kështu kroje, rrjedha, udhë... Formohen kujtimet për babanë, për fëmijërinë, për njerëz të vuajtjes së rëndë për mbajtjen e familjes. Tepër thellë-mallëngjyes  përjetohet kujtimi për nënën, e cila fëmijëve mund t`iu sjell kënaqësi me aromën dhe shijen e pogaçes, për ta pikturuar në këtë mënyrë vuajtjen, por edhe  dashurinë në harkun e jetesës, jo gjithherë të lehtë.

Dy figurat kryesore të veprës janë Dea dhe Zana, dy vogëlushe me rrugë, me fate, me buzëqeshje, me dhembje dhe ëndrra të ndryshme. Njëra është afër, në krahët e babait e të atdheut e tjetra – larg, në kurbet. Te Dean çastet çelin me buzëqeshje, shkrepin ngashërim. Te kjo të gjitha kënaqësitë janë më të pranishme-përditshmëri. Te tjetra – Zana, jeta ka rrjedhë tjetër, të rëndë. Ajo në libër e në jetë kujtohet me mall të pambarim-në trajtën ëndërrimtare, me prekje të fantazive  zgjohen  etje e dhembje, përmes të cilave  krijohen kontakte aq të dëshirueshme, takime përmes imagjinatës, por edhe me letra të padërguara, me letra pa shkronja, me copëza vizatimesh. Kështu, në një shtrirje të dhembjes  krijohen hije disponimi dhe herë-herë shpërthim dëshprimi. 

            Sa afër Dea:

            Ti buzëqesh dhe lule-agu çel

            E kuqe, e kaltër, e verdhë – ylber

E harkuar nga kroi në krua

Siç agon dita për ty dhe për mua

 

            Zana larg-larg:

            Një letër e vogël, e vogël

            Sa bota rreth vetes n`udhëtim

Ose pritje në kotësi

Ti larg, unë nën hije plepi vetëm

Këmbime ngushëlluese me Zanën:

Të përqafon yt at, poet

 

Del i saktë konstatimi se poezitë e librit “Zemra me zog” krijojnë hapësirë të thellë mendimi dhe loje, tematikë të botës së fëmijëve,në të njëjtën rrjedhë janë të pandashme prej botës së të rriturve. Këtë gjë e përforcon sidomos prania e vazhdueshme e autorit, e prindërve,  e heronjve të ndryshëm  të këngëve epike dhe atyre historik të Ilirisë, pastaj e ndonjërit të atyre që ra për atdheun, që u flijua për fjalën e shkruar dhe shkollën shqipe, siç është poeti Migjen, etj.  Secili  në këtë rrjedhë, pa përjashtim, e çdo gjë tjetër, sjellin çështje serioze për t`i medituar. 

 Libri ushtron ndikim të këndshëm tek të gjitha moshat që e lexojnë, sepse  këto botëra: fëmijë-prindër,janë pjesëza të një trupi, që pikëllohen e buzëqeshin së bashku. Në  tërë këtë zinxhirë të gjallë, me shumëçka ineteresante  shfaqen gjëra të njohura e të panjohura, ecin të lidhur njerëz e histori; parakalojnë me ëndrrat e dhembjet e ngashërimet.  Lëvizin personazhe  nga gjithësia jonë, në njësh kolonë pas vetjeve kryesore, bartëse të rrjedhës së harmonishëm të librit. Në këtë peizazh, zë vend të hutueshëm edhe relievi i gjerë Kosovë-Ulqin, me një shumësi  bimësh, fruta pemësh dhe lule. Shfaqet një galeri vizatimesh, që poeti ua jep forcën e  dokumentit gjithnjë në komunikim me personazhet lirike të tij. Vizatimet janë dekorime me funqi dramaticiteti të realitetit dhe  objektivitetit  të sinqertë të poetit, që e deponon në ligjërim një pjesë të gjallë të botës që e rrethon këtu dhe sot.

E lexova në Shtoj, ndërmjet Ulqinit dhe Shkodrës, librin me poezi “Zemra me zog” dhe mbeta  me përshtypje të një vetëtime të degëzuar zjarrtë në qiell e në mua. Për asnjë çast pa e larguar nga parafytyrimi Nexhatin-fillorist, lazdrak dhe trim dhe tani Nexhatin krijues në dramë, poezi dhe prozë, me akribi hulumteuse, krijues flijues-poet,që lazdrimin, revoltën shpërthyese e ka kthyer në protestë të fortë e të përhershme kryengritëse, kundër të pamirës, që e bren si krimbi qenin e popullit tonë të lashtë.

 Poezia e librit na vjen me sinqeritet dhe optimizëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat