Kuvendi i Taksimit nën okielon e studjuesit Sabri Maxhuni- Novosella

Libra

Kuvendi i Taksimit nën okielon e studjuesit Sabri Maxhuni- Novosella

Fatmir Minguli Nga Fatmir Minguli Më 22 korrik 2016 Në ora: 15:39
Libri “Hasan Prishtina- Kuvendi i Taksimit dhe tradhëtia e madhe” të Sabri Maxhuni Novosella

 Të shkruash për Hasan Prishtinën, nuk është kurrë vonë, por edhe të trajtosh probleme të reja që i shërbejnë historigrafisë shqiptare është një domosdoshmëri  për çdo studjues të çështjes shqiptare.   Është e vërtetë që disa autorë kanë shkruar për Hasan Prishtinën libra të veçantë dhe që janë një fond me vlera për historinë e Shqipërisë. Libra të tillë janë shkruar fillimisht nga Ajet Haxhiu,1968, Bedri Tahiri, 2008, dr.Tahir Abdyli, 2003, etj.

  Këta libra të botuar nga  autorët e mësipërm për më tepër kanë karakterin e monografisë dhe si të tillë nuk ndalen në fakte të veçanta, episode ndoshta kalimtarë për epokën, por gjithsesi ndriçojnë mirë figurën e madhe të atdhetarit Hasan Prishtina.

  Vitet e fundit studjuesi Sabri Maxhuni –Novosella ka botuar libra për këtë figurë të madhe dhe në to ai trajton një episod shumë të rëndësishëm në krejt historinë shqiptare.  Ka një kohë relativisht të gjatë dhe plot intesitet që studjuesi i shquar Sabri Maxhuni - Novosella boton çështje themelore të historisë së shqiptarve. Dhe nuk janë pak të tilla. Dhe trajtimi i Kuvendit të Taksimit është një nga çështjet themelore që kalon në optikën e fuqishme të këtij studjuesi.

  Sot Sabri Maxhuni- Novosella është ndër të paktët studjues që e sheh historinë e shqiptarëve ndryshe nga sa shkruhet e thuhet. Në se shkrimtari amerikan Dan Braun gjen simbole të harruara e ndërton histori ndër romanet e tij, ndryshe Sabri Maxhuni-Novosella gjen fakte historike të anashkaluara ose të pa dallueshme lehtë dhe me to na jep libra të v?rtetë të historisë së shqiptarëve.

     I tillë është libri i fundit " Hasan Prishtina- Kuvendi i Taksimit dhe tradhëtia e madhe”, botim i vitit 2016, i  ripunuar mbi bazën e dy librave të mëparshëm me të njejtin subjekt. Nëse për Hasan Prishtinën është shkruar e vazhdon të shkruhet, për Kuvendin e Taksimit pak informacion ka. Është pikërisht ky fakt historik që i ka "shpëtuar" shkenc?tarëve historianë dhe që e kanë trajtuar si një episod të thjeshtë e krejt pa rëndësi. Eshtë merita e padiskutueshme e Sabri Maxhuni- Novosella që e zbërtheu dhe e futi në laboratorin krijues të tij.

    Por cilat janë këto fakte -tema që Sabri Maxhuni i zbulon dhe i studjon madje duke i trajtuar në libra të plotë? Po është libri " Pushtuesit ballkanikë dhe jashtëballkanikë" , " E mundshmja dhe pamundshmja", "Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari" etj. Jo vetëm në këto libra por dhe në libra të tjerë të botuar apo në dorëshkrim, ky studjues ka guximin e shkencëtarit për  të studjuar të vështirën, të paperceptueshmen lehtë, atë që anashkalohet nga servilët historianë, nga analistët e mullinjve me erë, etj.  

 Por le të kthehemi në librin që po analizoj,  “ Hasan Prishtina-Kuvendi i Taksimit dhe tradhtia e madhe”. Prof. dr. Eqerem Zenalaj shkruan se “Kuvendi i Taksimit projektoi devizën për pavarësinë e reduktuar që u arrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nuk mund të kuptohet pa idetë dhe rezistencën e Hasan Prishtinës, titan i lirisë shqiptare.” Këtë e citon Sabri Maxhuni Novosella në librin e tij.

   Por lindin pyetjet: “Përse Kuvendi i Taksimit. Përse Hasan Prishtina? Përse pavarësia e cunguar? Përse tradhtia e madhe?” Këto pyetje dhe disa të tjera marrin përgjigje pikërisht në librin e Sabri Maxhuni – Novosella.

Po Taksimi” çfarë është? Kjo pyetje e do një përgjigje për të kuptuar më mirë edhe idetë që hedh studjuesi Sabri Maxhuni Novosella.

      Taksim është një lagje e Stambollit që ndodhet në anën perëndimore. Është një nga lagjet me më shumë turistë e famshme  për restorantet, dyqanet dhe hotelet e saj. Konsiderohet si zemra e Stambollit modern me stacionin qendror të rrjetit të metrosë së Stambollit. Në këtë lagje ndodhet dhe Monumenti i Republikës. (Cumhuriyet Aniti). Edhe në vitet kur vepronte Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë shqiptarë në Parlamentin turk, kjo lagje ka qenë nga më të rëndësishmet.

    Aty banonte Syrja Bej Vlora ( 1860 – 1940) i cili ishte nëpunës i Perandorisë osmane, veprimtar i çështjes kombëtare, deputet në Mexhlisin osman, ndihmës në shpalljen e Pavarësisë dhe përfaqësues i Përmetit në Vlorë. Ishte kushëri i dytë i Ismail Qemalit. Leu në Sarajet e Beut, siç njiheshin pallatet e Vlorajve dhe ishte i biri i Mustafa Pashës dhe i Naile hanëm Janina e cila vinte nga dera e Asllan- Pashallive.

   I jap këto të dhëna sepse do të jenë faktorë në zbërthimin e ideve të Sabri Maxhuni- Novosella, lidhur me tradhëtinë e madhe që filloi pikërisht në Taksim.

  Ata  autorë që kanë shkruar libra për Hasan Prishtinën, e kalojnë këtë Kuvend pa e përmendur, vetëm në librin e Bedri Tahirit për Hasan Prishtinën, libër që u botua në Prishtinë në 2008 gjejmë një analizë të veçantë:

   Bedri Tahiri  i referohet një botimi të grup autorëve që kanë botuar librin “Historia e popullit shqiptar 8, Prishtinë, 2003, f119, ku tekstualisht thuhet:

“Deputetet patriotë shqiptarë, si Ismal Qemali, Hasan Prishtina  etj, krahas kërkesave kombëtare që parashtruan në parlament , organizuan edhe një mbledhje të fshehtë në Stamboll  ku u ndanë detyrat dhe u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë. Hasan Prishtina do të shkonte në Kosovë për organizimin e kryengritjes, ndërsa Ismail Qemali  do të shkonte në shtetet europiane për të siguruar ndihma për kryengritjen.”

Ndërsa Kristo Frashëri e përshkruan kështu tubimin e Taksimit:

“Debati i Hasan Prishtinës në emër të grupit të deputetëve shqiptarë u zhvillua në seancën plenare që u mbajt në Parlamentin osman më 11 janar 1912. Në shkurtoren e “Kujtimeve” të veta ai jep një përmbledhje prej disa rreshtash të fjalës së tij. Ndonëse shkurtorja e përmban thelbin e fjalës të Hasan Prishtinës, ajo është e pamjaftueshme po të kemi parasysh tronditjen që pësuan qarqet qeveritare xhonturke nga fjalimi i H. Prishtinës…”

dhe më tej vazhdon:

“Kur dolëm nga Parlamenti, shkruan në “Kujtimet” e përmendura Hasan Prishtina, deputetët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Stambollit treguan një gëzim të jashtëzakonshëm dhe “më përshëndetën me një simpati krejt të posaçme”. Një përgëzim të veçantë atij i shfaqi, nënvizon ai, Ismail Qemali, i cili i kërkoi të takoheshin atë mbrëmje për të biseduar me gjatë për gjendjen e re të krijuar. Takimi u zhvillua në shtëpinë e Hasan Prishtinës.
    Atë natë (11-12 janar 1912) të dy deputetët, shkruan H. Prishtina, biseduan “gjerë e gjatë mbi fatin e Shqipërisë”. Më në fund, pohon ai, ata vendosën t’u jepnin fund mizorive xhonturke me një kryengritje të armatosur. Në mbyllje të bisedimeve, Ismail Qemali i tha Hasan Prishtinës: “Hasan beg, i besoj fetarisht karakterit të Zotnis s’Ate. Ky besim më ka shtyrë t’i shkruaj në zemrën time ato fjalë qi i përdore në Parlament, duke thënë se kam me qenë njeri e ndoshta i pari i atyre që kanë për të ngritur flamurin e kryengritjes”. Hasani u përgjigj: “Ismail beg, para se të them një fjalë matem shumë e pastaj flas, por mundem me ju sigurue se e kam zakon ta mbaj fjalën që më del nga goja. Pra, mbase edhe zotnija juaj po e ndjen nevojën për nji kryengritje, ndoshta vendimi ynë nuk mund të mjaftojë për me qitë në krye kët qëllim, e me duket qi do të na duhet me u bashkue edhe me katër- pesë deputetë rreth këtij vendimi”.
     Ismail Qemali u përgjigj se ishte dakord me mendimin e Hasan Prishtinës dhe vendosën ta vazhdonin bisedën ditën e nesërme me 12 janar 1912. Kështu mbaroi kjo ditë historike, shkruan Hasan Prishtina, që nuk la shteg pajtimi midis Shqipërisë dhe Komitetit xhonturk. (H. Prishtina, Po aty, ff. 5-6). Të nesërmen, me 12 janar 1912 Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina u takuan në hotelin e famshëm “Pera Palace” të Stambollit. Në përfundim të bisedimit të tyre të gjatë, përmbajtjen e të cilit nuk e njohim, ata vendosen të thërrisnin në një “kuvend” edhe katër deputetë të tjerë shqiptarë – Myfid bej Libohovën, Esat pashë Toptanin, Aziz pashë Vrionin e Syrja bej Vlorën – për të biseduar dhe vendosur programin e mëtejshëm të punës, pika më e rëndësishme e të cilit ishte organizimi i kryengritjes së armatosur për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha perandorake osmane. Kuvendi u vendos të mblidhej në shtëpinë që Syrja Vlora kishte në lagjen “Taksim” të Stambollit. Nga shtëpia ku u mblodh takimi ka marrë në histori emrin mbledhja e Taksimit, kurse Hasan Prishtina në “Kujtimet” e përmendura e quan “Komploti i Taksimit”.”

Këto pasazhe të dhëna nga Kristo Frashëri janë shumë më afër realitetit se në shumë libra të tjerë por që vertëtojnë idetë e Sabri Maxhuni – Novosellës lidhur me këtë ngjarje të madhe.

   Kjo ngjarje, pati pasojat e veta pozitive dhe negative ku në këto të fundit është vrojtimi i autorit të librit ”Hasan Prishtina- kuvendi i Taksimit dhe tradhëtia e madhe” se u dalluan dy vija ose rryma dhe kjo qenie dyshe e ideve fillon pikërisht në Kuvendin e Taksimit, vazhdon me Kuvendin e Mukjes, me mbledhjen e Rambujesë dhe  ekziston sot në Kuvendin e Kosovës. Por Sabri Maxhuni- me një sy të mprehtë e dallon këtë çarje që në Lidhjen e Prizrenit, fakt që e trajton shkëlqyeshëm në librin që po analizoj.

Sabri Maxhuni-Novosella, si një shembull të kësaj ndarje ideshë jep dhe figurta historike të Ali Pashë Gucisë, si centralist dhe të Abdyl Bej Frashërit, si pavarësist. Dhe jep një pjesë nga një  fjalim i Ali Pashë Guxisë drejtuar Kuvendit të lidhjes së Prizrenit”

“Nuk mund t’i përballojmë sllavët ortodoksë dhe Perandorinë Osmane, të mbrohemi nga pushtuesit sallavo- ortodoksë, Turqia një ditë do të thyejë qafën e do të shkojë”.

Në librin e tij, Sabri Maxhuni – Novosella sjell analiza të gjëra të ngjarjeve që nga luftrat çlirimtare të 1912 e vazhdon me mbledhjet e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit për të ardhur në ngjarjet më të fundit politike që kulmuan në 1998-1999 e deri më sot, jo vetëm në Kosovë. Kësisoj Sabri Maxhuni- Novosella është një studjues elastik që e trajton historinë në formë vertikale në kundërshtim me shkrime të studjuesve të sotëm të cilët ecin horizontalisht pa u zhytur në thellësi të ngjarjeve dhe pa u ngritur në rrjedhat e viteve.

Në analizat e gjëra që ndeshim në librin” Hasan Prishtina- Kuvendi i Taksimit dhe tradhëtia e madhe”, rëndësi të madhe marrin detajet e tradhëtisë të madhe që sipas autorit bazamentin e kanë gjithmonë në ekzistencën e dy rrymave, të rrymës që kërkonte pavarësi të plotë dhe të asaj që thjeshtë donte shkëputjen nga Perandoria osmane. Prandaj jo më kot ai, Sabri Maxhuni – Novosella citon thënien e madhe të Ali Pashë Guxisë, shprehje që e përmenda më lart.

Në një kapitull më vete “Kuvendi i Taksimit u tradhëtua”, autori  mbasi jep një sërë argumentash të bindshme shkruan: :” Ata që i tradhëtuan interesat e Kuvendit të Taksimit nuk patën zemër të dalin e të thonë “ ne gabuam, ju mos gaboni”, siç vepruan algjerianët pas çlirimit të Algjerisë nga francezët.”

 Prandaj me të drejtë në libër përmenden figura q` kanë thënë të vërtetën si autori I librit të parë për Hasan Prishtinë, Ajet Haxhiu, për Mulla Haxhi Zekën, shembuj pozitivë për trajtimin e historisë pa tradhëtira. Autori Sabri Maxhuni – Novosella arrin deri në ditët tona tek përmend analistë e politikanë që e kthejnë mbrapsh rolin e Amerikës në luftën e Kosovës. E dikush duhet t’i shkruaj këto ”tradhëti” që bëhen ditën për diell.

Kuvendi i Taksimit dhe idetë e Hasan Prishtinës u goditën nga sllavo – grekët- bizantinët dhe autori shkruan: “ Andaj ekzistonte rreziku, edhe pas çlirimit nga pushtuesi osman, të vërsuleshin sllavo – grekët dhe të pushtonin territoret shqiptare.”

Nga dokumenta të ndryshme të hulumtuara gjejmë dhe fakte se si shumë pjestarë që kishin pranuar kushtet e kuvendit të Taksimit, u shmangën si për shembull:

” Nga Mitrovica Ahmeti Delia)  u kthye i zhgënjyer. Nexhipi nuk iu përgjegj ftesës, duke u arsyetuar se ishte “ i sëmurë” dhe nuk u b përballonte dot maleve . Edhe ndonjeri nga bejlerët  e tjerë i bishtnoi besëlidhjes, duke e refuzuar haptas ose duke iu bashkangjitur me vonesë. Mirpo në përgjithësi, popullata e gjërë e përqafoi dhe e përkrahu pëzemërsisht.”

Ose: “ Syrja bej Vlora në fillim nuk e firmosi aktin e pavarësisë por më vonë u bind por nuk u pajtua me Isamil Qemalin”.

  Sabri Maxhuni- Novosella me këtë libër ka shtuar një gur të çmuar në gjerdanin e të vërtetave në historinë shqipatre, duke u bërë një studjues i veçantë me koncepte moderne dhe të një racionalizmi të pashoq.

   Kan. dr. Naile Demiri si redaktore dhe analiste, ka lojtur një rol të çmuar në përgatitjen dhe analizën e saj për këtë libër. Artikulli më i fundit që kjo studjuese botoi në gazetën “Nacional” është një lloj bazamenti që do të pranojë ngritjen e murit të lartë me analiza të mëpastajme për idetë që  Sabri Maxhuni- Novosella parashtron në librin e tij “Hasan Prishtina-  kuvendi i Taksimit dhe tradhëtia e madhe”.

    Sabri Maxhuni- Novosella i ka bërë një nder të madh popullit të vet duke botuar këtë libër kaq të rëndësishëm. Ai gjithashtu boton në këtë libër edhe “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengriten shqiptare të vjetit 1912” të Hasan Prishtinës. Ky libër u ndalua në ato kohë por edhe nuk u propagandua as në Shqipëri e as në Kosovë. Sot ai gjëndet lehtasi në duart jo vetëm të studjuesve por të gjithë njerëzve të cilët janë të etutr të njohin të vërtetat e historisë së tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat