Imami që ka pajtuar shumë familje në Kosovë: Nga paslufta janë kryer 1,500 vëllavrasje

Lajme

Imami që ka pajtuar shumë familje në Kosovë: Nga paslufta janë kryer 1,500 vëllavrasje

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 07:50
Imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifi

Imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifi ka rrëfyer gjëra interesante në emisionin “Personale”.

Latifi i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në moshën 18 vjeçare, ndërsa si pasojë e luftës ai ka mbetur invalid , duke humbur njërën dorë.

Është karakteristike se imami nga Mitrovica, Fatmir Latifi njërin nga tre fëmijët e tij e ka pagëzuar me emrin Adem Jashari.

“Kam shërbye në Prekaz dhe aktivitetin tim e kam pasur kryesisht në Zonën e Drenicës…Mora përgjegjësi bashkë me disa shokë për të kryer një detyrë ushtarake në pjesën e Junikut, biem në pritë pasi na humbi rruga. Unë humba shuplakën e dorës, por kamë humbë rreth dy litra gjak dhe kam qenë i pandjenja. Por fatmirësisht kaluam kufirin më Shqipërinë dhe e shoh vetën në Spitalin Ushtarak”.

Latifi tregon se për shkak se gjendja ishte e rëndë ai ishte dërguar për kurim më Turqi.

“Mjekët më kanë treguar se lëndimi ishte i rëndë dhe kisha humbur një pjesë të madhe të dorës, buzën e poshtme dhe gjëndrat pështymore”.

Imami tregon se nga aty ndryshoi edhe rrjedha e jetës së tij pasi i erdhi një ftesë nga Medina për të vijuar studimet në Universitetin Islamik të Medinës.

Latifi ka thënë se ka të dhëna se ka mbi 100 hoxhallarë nga Kosova i janë bashkangjitur radhëve të UÇK-së.

“Janë mbi 100 hoxhallarë që i janë bashkuar luftës së UÇK-së. Ka hoxhallarë që kanë qenë edhe të burgosur politikë, siç është hoxha Ekram Avdiu”.

Punëtori i Bashkësisë Islame ka treguar se përpos punës së imamit që ushtron në xhaminë e Shipolit në Mitrovicë, ai bën edhe pajtimin e gjaqeve, mes familjeve të hasmuara.

“…Madje kemi bërë edhe pajtimin e çifteve bashkëshortore”, -thotë hoxha duke shtuar se ”ky nuk është profesion por punë vullnetare dhe bëhet pa pagesë”.

Imami tregon shifra të frikshme sa u përket vrasjeve ndërmjet shqiptarëve.

“Me keqardhje them se nga periudha e pasluftës e deri sot, janë të evidentuara rreth 1,500 vëllavrasje në Kosovë. Është shifër alarmante por fatmirësisht kohëve të fundit ka një rënie”, tha ndër të tjera Fatmir Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat