AKR uron për formimin e ushtrisë: Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes

Lajme

AKR uron për formimin e ushtrisë: Ushtria e Kosovës është ushtri e paqes

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 19:03
FSK-ja

Aleanca Kosova e Re nëpërmjet një komunikate përgëzon të gjithë qytetarët e vendit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në aleancë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet aleate që e mbështetën fuqishëm Kosovën gjatë gjithë procesit të shtetndërtimit.

“Përpjekjet historike për një shtet të konsoliduar dhe sovran të popullit tonë, më në fund po kurorëzohen me formimin e Ushtrisë që buron nga populli liridashës e paqedashës i Kosovës, e që i përket të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Aleanca Kosova e Re rithekson se Ushtria e Kosovës nuk është kundër askujt, ajo synon të jetë pjesë e NATO-s dhe t'i kontribuoj qëllimeve madhore të kësaj Aleance kudo në Botë.

“Themelet e Ushtrisë së Kosovës janë të vendosura thellë në luftën e pastër dhe të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa populli ynë gjithmonë do të jetë mirënjohës ndaj shteteve që pa rezervë e mbështetën të drejtën e popullit sovran të Kosovës për formimin e Ushtrisë së saj. Kosova e meriton Ushtrinë. URIME”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat