Serbia reagon për Ushtrinë e Kosovës, Vulin: Qëllimi i saj është hyrja në konflikt me ne

Lajme

Serbia reagon për Ushtrinë e Kosovës, Vulin: Qëllimi i saj është hyrja në konflikt me ne

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 18:20
FSK

Nga Serbia kanë arritur edhe reagimet e para pas kalimit në Qeveri të projektligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, ka thënë se Ushtria e Kosovës sipas tij është një rrezik për sigurinë në rajon, duke u bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë në bazë të Rezolutës 1244.

“Ne i bëjmë thirrje Komunitetit Ndërkombëtar që të sigurojnë respektimin e Rezolutës 1244 dhe të mos lejojnë formimin e Forcave të Armatosura të cilat do ta rrezikonin sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës mirëpo edhe të regjonit. Tentativa e Prishtinës për formimin e të ashtuquajturës Ushtri të Kosovës është një plan për shkatërrimin e përpjekjeve të Vuçiqit për paqe”, ka thënë Vulin.

Madje sipas Vulinit, qëllimi i vetëm i Prishtinës për formimin e Ushtrisë është konflikti me Serbinë.

“Qëllimi i vetëm i formimit të Ushtrisë është konflikti me Serbinë dhe ne nuk do të lejojmë krijimin e formacioneve që Haradinaj e Veseli të arrijnë deri në Nish”, ka thënë Vulin.

E Vulin shkoi edhe më larg në reagimin e tij, duke thënë se ushtria serbe është e gatshme që të mbrojë qytetarët e vet pavarësisht gjithçkaje çka mund të ndodhë.

Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri. Pas kësaj, i njëjti pritet të dërgohet në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat