Emiratet pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Lajme

Emiratet pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 17:25

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur përkrahjen për anëtarësim të Kosovës në Interpol.

Kështu bëhet e ditur sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Brendshme, në të cilin theksohet se një delegacion i kësaj ministrie ka marrë përkrahje nga zëvendëssekretari i Punëve të Brendshme të Emirateve, Lt. General Saif Abdullah Al Sha’far.

Zëvendësministri Selami Shkodra ka falënderuar Emiratet për ndihmën për refugjatët kosovarë dhe për ndihmën e pasluftës përmes kontingjentit të tyre në kuadër të KFOR-it dhe ndihmat tjera.

Gjatë këtij takimi, Shkodra theksoi se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare, shteteve anëtare dhenë veçanti për Kosovën.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata të sigurisë, sidomos anëtarësimi në INTERPOL është një prioritet kryesor i MPB-së, i cili do t’i mundësonte Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale, duke u bërë pjesë aktive në shkëmbimin e informacioneve për grupet kriminale”, tha ai, duke theksuar se Policia e Kosovës është një nga forcat policore më profesionale në rajon dhe ka aftësi të plotë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni kosovar takoi grupin që është përgjegjës për organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që mbahet në Dubai në muajin nëntor të këtij viti.

Delegacioni nga Kosova u prit edhe në Akademinë Policore të Abu Dhabit dhe të Dubait, ku u njoftuan me punën dhe organizimin e tyre.

Të dyja palët u pajtuan që të fillojnë bashkëpunimin konkret në fushën e përgatitjes profesionale për policet e rinj dhe bashkëpunimit policor në fusha tjera.

Delegacioni nga Kosova bëri homazhe tek memoriali “Wahat Al Karama” memorial i luftës për të nderuar ushtarët e Emirateve që kanë humbur jetën në misionet e huaja, në mesin e tyre nderoi heroin i cili humbi jetën në vitin 2001 në Kosovë, gjatë shërbimit të tij si pjesëtar i forcave të EBA në kuadër të KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat