Profil i Vuçiqit: Prej një kamarieri të Sheshelit deri te një president që kontrollon gjithçka

Lajme

Profil i Vuçiqit: Prej një kamarieri të Sheshelit deri te një president që kontrollon gjithçka

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 19:03
Aleksander Vucic në ceremoninë e varrimit të kasapit Millosheviq

Aleksander Vucic, politikani më i fuqishëm i Serbisë, dikur kishte shërbyer si konobar i Vojsllav Sheshel e Sllobodan Milloshevic. Gjatë luftës kishte mbajtur edhe pozitën e Ministrit të Informatave dhe kishte udhëhequr propagandën e Serbisë në Kosovë. Pas rënies së Milloshevicit dhe Sheshelit, nxënësi i tyre, arriti të rikthehet në politikë dhe të bëhet edhe Shef i Serbisë. Vucic, aktualisht në Serbi, kontrollon gjithçka. Udhëheq Qeverinë, mban në kontroll Shërbimin Sekret dhe ushtrinë si dhe ka gjunjëzuar mediat e pavarura atje. Ky është profili i Presidentit autokrat Serb, që viziton sot Veriun e Kosovës dhe prezanton idenë e tij për marrëveshjen finale me shqiptarët.

Kur Aleksander Vucic u bë President i Serbisë, një pjesë e madhe e mediave në Kosovë e Serbi, nisën të shkruajnë se babai i tij ishte shqiptar. Aludonin te një ish-gazetar i Kosovës që kishte punuar në Beograd dhe kishte pasur fqinjësi me familjarët e Vucicit.

Por, kush në të vërtetë është Aleksander Vucic?

Aleksandër Vucic ka lindur me 5 mars të vitit 1970 në kryeqytetin e Serbisë në Beograd. Në moshën 18 vjeçare ai kishte përfunduar shkollimin e mesëm dhe më pas kishte diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd me 1994.

Një vit para se përfundonte studimet ai ishte bashkuar Partisë Radikale të Sllobodan Millosheviqit, Vojisllav Sheshelit e Tomisllav Nikoliçit.

Bashkë me ta kishte projektuar dhe kishte marrë pjesë aktivisht në kryerjen e krimeve të Serbisë mbi ish-republikat e Jugosllavisë përfshirë edhe Kosovën.

E meqenëse nuk mund të merrte ndonjë pozitë të lartë në parti, fillimisht juristit të diplomuar  i ishte dashur ta bënte edhe  profesionin e ‘konobarit’, duke furnizuar me birra shefat e tij.

Fotografia ku Vucic shihet teksa i furnizon me birra Sheshelin e Nikoliqin vazhdon të përqeshet edhe sot e kësaj dite.

Image

Duke qenë se qysh në fillet e karrierës së tij politike i ishte bashkuar një partie me mendësi radikale, edhe Vuçiq nuk kishte si të bëhej ndryshe.

Pas dy vitesh drekash me birra e meze me Sheshelin, Millosheviqin e Nikoliqin,  Vuçiqit i kishte ardhur mundësia që t’i shfaqte idetë dhe mësimet e tij të marra nga mësuesit e tij.

Gjatë gjenocidit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Vuçiq  kishte lëshuar një deklaratë e cila kujtohet edhe sot e kësaj dite.

“Për një serb të vrarë, duhet të vriten 100 mysliman”, ishte deklarata shokuese e Vucic.

Pas orvatjeve të shumta nëpër zyrat e partisë dhe rolit të ‘konobarit’, në marsin e  vitin 1998, gjatë kohës së luftës në Kosovës,  Vuçic ishte emëruar si ministër i Informacionit duke udhëhequr kështu me propagandën e Serbisë në Kosovë.

Ky moment mbase mund të jetë filli i fuqizimit të nxënësit të Millosheviqit e Sheshelit, në botën e politikës.

Menjëherë pas ngritjes në detyrë, Vuçiq kishte filluar që ta mbronte më gjithçka që kishte në dorë , Sllobodan Millosheviqin.

Si ministër i Informacioni, Vuçiq kishte propozuar që të dënoheshin rëndë  të gjithë gazetarët të cilët shkruanin keq për liderin famëkeq, Sllobodan Millosheviq.

Madje Vuçiq e kishte kërcënuar dhe një gazetar serb, Slavko Curuvija, i cili më vonë ishte gjetur i vrarë në vitin 1999. Gruaja e gazetarit e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Vucicin se kishte dorë në vrasje.

Pas nënshkrimit  të Marrëveshjes së Kumanovës, Vuçiq kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministrit, por kishe ushtruar detyrën e tij deri në shpërbërjen e plotë të regjimit të Millosheviqit.

Në vitin 2004, Vucic i ishte futur garës për të parin e Beogradit, duke e shijuar kështu disfatën e parë politike. Pas dy raundeve të votimit, Vucic humbi garën kundrejtë kandidatit të Partisë Demokratike, Nenad Bogdanoviq.

Gjatë disa viteve kishte ushtruar disa detyra administrative, ndërkohë pas përplasjes ndërmjet Vojsillav Sheshelit dhe Tomisllav Nikoliqit, Vuçiq kishte vendosur që t’i shkonte pas këtij të fundit, i cili e emëroi edhe nënkryetar të partisë së re të krijuar pas ndarjes me Sheshelin.

Image

Në fillim të vitit 2008, Nikoliq e kishte themeluar Partinë Progresive Serbe. Ky ishte një moment kthese në ideologjinë dhe mendësinë që Vucic ishte formësuar si politikan.

Nikoliq ndryshoi menjëhrë politikat e partisë, duke e anashkaluar idenë për ‘Serbinë e Mdhe’ dhe duke u kthyer nga Bashkimi Evropian.

Vucic fillet e kthesës së madhe nga një politikan radikal drejtë një pro-perëndimori i bëri në vitin 2013, duke u bashkuar me ekipin negociator  në bisedimet Serbi-Kosovë në Bruksel dhe duke e pranuar marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2014 kur Tomisllav Nikoliq u bë president i Serbisë, Vucicit ia kishte lënë në dorë kreun e partisë.

Në zgjedhjet parlamentare në mars 2014, partia e Vucic, SNS fitoi 48.35% të votave dhe formoi qeverinë me një koalicion të mbledhur me SPS. Vucic u zgjodh kryeminsitër.

Pas mandatit të kryeministrit, Vucic arriti që në vitin 2017 të zgjedhet president i Serbisë, duke prekur kështu kulmin e karrierës së tij politike.

Brenda një periudhe 23 vjeçare, Vucic arriti që të shndërrohet nga një ‘konobar’ i Sheshelit, Nikoliqit e Millosheviqit me mendësi radikale, në një president pro-perëndimor të Serbisë.

Ndërkohë gjatë gjithë kësaj kohe të tij në pushtet, ai ka punuar vazhdimisht që ta drejtojë Serbinë drejt Evropës, megjithatë është kujdesur mjaft shumë që të ruaj raportet me Rusinë si një ndër aleatët më të fortë të Serbisë.

Vucic pas kulminacionit të tij në politik, tani është duke u angazhuar për t’i dhënë një zgjidhje edhe konfliktit shumë vjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat