Vazhdon gjendja emergjente në Suharekë, banorët kërkojnë ndihmë

Lajme

Vazhdon gjendja emergjente në Suharekë, banorët kërkojnë ndihmë

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 14:24
Pamje nga Suhareka

Gjashtë ditë pas vërshimeve, Suhareka me fshatra për rreth ende është në gjendje emergjente.

Rreth 50 përqind e fshatrave të kësaj komune pësuan dëme materiale. Gjatë kësaj situate u raportua për tetë persona të lënduar, të cilët kanë marrë tretman mjekësor. Aty ka ndërhyrë edhe FSK dhe Kryqi i Kuq. Ndërkohë, është vlerësuar se dëmet materiale nga kjo katastrofë natyrore kanë kaluar shifrën 6 milionë euro.

Ekipi i KosovaPress ka vizituar fshatin Sopi të kësaj komune, i cili cilësohet si një nga fshatrat me më së shumti dëme.

Disa nga banorët e këtij fshati kanë treguar se komuna u ka sjellë disa formularë për të regjistruar dëmet, si dhe thasë me gëlqere, por ata thanë se dezinfektimin e shtëpive po e bëjnë vet.

Ukë Ndrecaj rrëfehet dëmët që shkaktoi uji dhe rëra në shtëpinë e tij.

“Na ka vërshuar katin përdhes komplet, nja 60 centin ka hy lumi brena. Dëme na kanë ba një lavatriçe, friza, një zmadhues të rrymës dhe disa tesha, ka pas tepiha, syngjera, ato i ka mbushë me rërë nja 10 centin katin përdhes”, ka thënë Ndrecaj.

Ai ka treguar se vërshimet i kanë dëmtuar edhe serrën. Ndërsa, ka shtuar se po e presin komunën që t’i dalë në ndihmë më tutje. Sipas tij, këto vërshime kanë ardhur si pasojë e ngushtimit të shtratit të lumit.

“Me u pas hapë shtrati i lumit, nuk besoj që kish ardhë deri te kjo katastrofë. Na kërkojmë që me na pastru fshatin, këtë lumin e fshatit, edhe me marrë një iniciativë komuna”, ka thënë Ndrecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat