Gruaja e Oliver Ivanoviqit ankohet, por vetë nuk vjen të dëshmojë për vrasjen e burrit

Lajme

Gruaja e Oliver Ivanoviqit ankohet, por vetë nuk vjen të dëshmojë për vrasjen e burrit

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 15:37
Milena Ivanoviq, bashkëshortja e politikanit serb të vrarë në Kosovë, Oliver Ivanoviq

Milena Ivanoviq, bashkëshortja e politikanit serb të vrarë në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nuk ka ardhur ende për të dëshmuar në Prokurori Speciale të Kosovës rreth vrasjes së ish-liderit të SDP-së. Prokurori special tregon arsyet. 

Prokurori special që po heton vrasjen e 16 janarit të këtij viti, Sylë Hoxha, ka konfirmuar se deri më tash Milena Ivanoviq nuk ka ardhur të tregojë para hetuesve kosovarë se çka mund të dijë rreth vrasjes së ish-bashkëshortit tashmë të ndjerë. 

“Kjo nuk erdhi. Edhe pse pat paralajmëruar se do të vijë por nuk erdhi”, tha prokurori Hoxha në një bisedë, të enjten.

Gruaja e Ivanoviqit e cila pak ditë pas vrasjes së politikanit serb, pranë selisë së Partisë së tij në Mitrovicë të Veriut, ka braktisur Kosovën, tashmë është punësuar si zyrtare në Qeverinë e Serbisë. 

E pikërisht kjo, për prokurorin special Sylë Hoxha mund të jetë arsyeja pse ajo nuk ka ardhur për të dëshmuar në Prokurori të Shtetit te Kosoves.

“Mas pak ditësh është punësu në qeverinë e Serbisë”, thotë ai për Milena Ivanoviqin, duke shtuar se përkundër përpjekës së tij për të dëgjuar versionin e saj, nuk e vlerëson si shumë vendimtare dëshminë e saj. 

“Nuk është kushedi sa vendimtare. Mbetet në vullnetin e saj. Me dhunë nuk mund e sjellim”, tha Hoxha. 

Tutje, sipas tij, hetimet janë duke vazhduar, por potencon se ato po shkojnë më ngadalë, duke aluduar në pengesat që hasen për shkak të etnisë dhe mosbashkëpunimit të palës serbe në hetimin e këtij krimi ndaj ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës. 

“Jemi duke punuar. Hetimet po shkojnë më ngadalë se qashtu janë rrethanat. Se është një pjesë që na pengon aty, deshëm e s’deshëm”, tha Sylë Hoxha. 

Nga ana tjetër, megjithëse nuk bashkëpunon me autoritetet e Kosoves Milena Ivanoviq nga Beogradi po vazhdon të ankohet rreth hetimeve që po zhvillohen. 

Madje, zyrtarja e Qeverisë serbe e cila pretendon se ka zvarritje në trajtimin e rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit së fundi ka kërkuar që të mos ketë ndërhyrje politike në hetime.

“Unë e di informacionin se gjoja kamerat në ambientet e partisë në kohën e vrasjes nuk kanë funksionuar. Këtë nuk e besoj sepse e di se kamerat punonin vazhdimisht, Oliveri i kishte rregulluar disa javë para vrasjes. Ekzistojnë pamje edhe nga disa kamera tjera, shpresoj se ato do të shërbejnë në zbulimin e vrasjes”, citojnë mediat në Serbi të ketë thënë Ivanoviq, shtatë muaj pas vrasjes së burrit të saj. 

“Me keqardhje më duhet të them se në Serbi ka qarqe të cilat paturpësisht po e përdorin këtë vrasje për të zgjidhur konfliktet personale dhe promovuar veten e tyre. Ata që sinqerisht e kanë dashur dhe respektuar Oliverin duhet të presin rezultatet e hetimit dhe të mos marrin pjesë në lojëra të pista”, ka shtuar ajo.

Oliver Ivanoviq u vra me gjashtë plumba, mëngjesin e 16 janarit 2018, derisa po shkonte me këmbë në zyrën e partisë së tij SDP në veri të Mitrovicës. 

Ivanoviq, menjëherë pas lufte u bë politikani serb më i pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Me vite të tëra, serbi i lindur në Deçan, habiste shqiptarët dhe serbët në të njëjtën kohë, deri kur ndaj tij, EULEX ngriti aktakuzën për krime lufte dhe vrasjen e 49 shqiptarëve, përfshirë 20 viktimat e lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë.  Shtatë muaj pas këtij krimi. autoritetet vendore ende nuk kanë ndonjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit dhe ish-anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për disa legjislatura pas lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat