Beogradi kërkonte arrestimin e Llabanit, Lista Serbe më vonë e propozoi për gjyqtar në Kushtetuese

Lajme

Beogradi kërkonte arrestimin e Llabanit, Lista Serbe më vonë e propozoi për gjyqtar në Kushtetuese

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 18:51
Beogradi e propozoi për gjyqtar përmes Listës Serbe të cilët kanë kontakte të vazhdueshme me presidentin serb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar sot gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Në mesin e të dekretuarve është edhe Radomir Llaban, i cili po thuhet se ka një të kaluar kriminale në Serbi, nga ku edhe ka ikur nga dënimi prej gjashtë viteve burgim.

Mirëpo, nga vetë raportimet e mediave serbe po del se personin në fjalë, Beogradi kishte kërkuar që ta arrestonte.

Në nëntor të vitit të kaluar, Serbia i kërkoi EULEX-it që ta arrestojë Radomir Llabanin, si pjesëtar i grupit të ashtuquajtir “Mafia e Doganave”.

Në vitin 2011, i njëjti ishte dënuar me gjashtë vite burg, ku ishte përfshirë edhe koha e kaluar në paraburgim prej dy vitesh e katër muaj.

Siç raportonin mediat lokale, Llaban pas kësaj periudhe ndodhej në Kosovë, duke ikur nga autoritetet serbe.

E të njëjtin, Beogradi e propozoi për gjyqtar përmes Listës Serbe të cilët kanë kontakte të vazhdueshme me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

“Ne si grup parlamentar, duke përfshirë edhe përfaqësuesit tjerë serbë në Kuvend, duam ta propozojmë Radomir Llabanin si kandidat i cili ka një eksperiencë të madhe legale, me reputacion professional  dhe përvojë në ligjet kushtetuese. Një kandidat me kualifikime morale dhe integritet. Gjithashtu, Llaban është njëri nga kandidatët i cili mori më së shumti vota në konkursin e hapur. I ftojmë të gjithë që të përkrahin propozimin tonë”, thuhej ndër të tjera në arsyetimin e Listes Serbe për propozimin e dhënë.

Kujtojmë se dje në një konferencë për media, Thaçi tha se nuk do të paragjykojë askënd kur është puna tek emërimi i gjyqtarëve të Kushtetueses, dhe se ky proces do të jetë në përputhje të plotë me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat