Policia e Kosovës jep detaje të reja për arrestimin e të kërkuarve nga INTERPOL-i

Lajme

Policia e Kosovës jep detaje të reja për arrestimin e të kërkuarve nga INTERPOL-i

Nga: A.M. Më: 19 korrik 2018 Në ora: 13:30
Aksioni i Njësive Speciale të Policisë dje në lagjen Kalabria të Prishtinës ka rezultuar me arrestimin e katër personave

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimet që janë bërë të mërkurë në mbrëmje ku u vunë nën pranga  katër shtetas të huaj dhe një shtetas e Kosovës në Prishtinë .

Në komunikatën për media thuhet se arrestimi është bërë në bashkëpunim ndërkombëtar dhe se dy nga të kërkuarit dyshohen se janë të përfshirë edhe në ‘vrasje’.

“Policia në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet malazeze, me datën 18.07.2018, në Prishtinë ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar që dyshohet se janë të përfshirë edhe në ‘vrasje’.

Operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

Policia gjatë këtij operacioni ka arrestuar katër persona të dyshuar, dy nga të cilët dyshohet se përveç urdhërarrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohet të jenë përfshirë edhe në veprat penale: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës’.

Të arrestuarit lidhur me këtë rast janë:

 

·         M. M.              lindur me 1981         mashkull/shtetas i Malit të Zi

 

·         J. P.                 lindur me 1988         mashkull/shtetas i Malit të Zi

 

·         S. D.                lindur me 1996         mashkull/shtetas i Serbisë

 

·         L. Z.                lindur me 1995         femër/shtetase e Kosovës

 

Me vendim të prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në komunikatën për media./BS

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat