Përfundon takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel, Thaçi tregon detajet se çka bisedoi me Vuçiqin

Lajme

Përfundon takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel, Thaçi tregon detajet se çka bisedoi me Vuçiqin

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 06:47
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë racionale, dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Ai këto komente i bëri sot pas bisedimeve në Bruksel me homologun e tij  Hashim Thaçi dhe shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

Vuçiq tha se janë arritur disa gjëra dhe ato janë shumë të rëndësishme për serbët në Kosovë.

"U ra dakord që të gjitha problemet që kemi duhet të zgjidhen në paqe, duke respektuar njëri-tjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme për serbët në Kosovë, për të gjithë qytetarët e Serbisë. Biseduam për përqendrimin në dialog, për të treguar se ne mund të flasim dhe të punojmë në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Unë nuk jam optimist, por kemi hapur shumë çështje," tha Vuçiq.

Ai tha se në periudhën e ardhshme do t’i drejtohet popullit serb rreth zgjidhjes së “problemit të Kosovës”, por nuk saktësoi se kur do të bëjë një gjë të tillë. Vuçiq theksoi se dialogu me Kosovën dhe BE- do të intensifikohet.

Thaçi: Është momentumi më i mirë për arritjen e marrëveshjes së paqes, ndryshe humbim të dy palët

Presidenti Hashim Thaçi ka pranuar se bisedimet e sotme me palën serbe në Bruksel ishin të vështira, por tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interes të dyja palëve, në të kundërtën rrezikojnë të mbeten të izoluara, pasi BE-ja nuk do t’i pranojë Kosovën dhe Serbinë në radhët e saj me problemet ekzistuese.

Ai këto komente i bëri pas takimit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi tha se në takim është diskutuar për arritjen e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare që do të jenë të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.

Thaçi: Takim i vështirë

“Ishte një takim i vështirë, jo i lehtë, por me tone pozitive për të shikuar kah e ardhmja për interesin e të dyja vendeve. Jemi dakorduar që procesi të merr një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu kemi arritur në konkludim se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interes të dyja palëve dhe rajonit, pra arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët. Pra, kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve dhe kritereve evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha ai.

Thaçi ka pranuar se nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare të një problemi të theksuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shpreson se do të ketë një marrëveshje pasi nëse humbet kjo do të paguajnë çmim të dyja vendet.

Thaçi: Me marrëveshje mund të fitojnë shumë të dyja palët

“E di se me marrëveshje mund të fitojnë shumë të dyja palët, por edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje ne do të humbim shumë, sepse do të mbetemi vende të izoluara, pasi BE-ja as Kosovën dhe Serbinë nuk do ta pranojë me problemet që kanë, por vetëm me tejkalimin e këtyre problemeve”, është shprehur ai.

Thaçi u shpreh se pala kosovare do të mbetet e përgjegjshme në procesin e dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Thaçi: Nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara

“Gjithashtu nuk duhet të mbetemi peng i miteve të së kaluarës, por të jetojmë në realitetin aktual dhe vizionit për të ardhmen e dy vendeve. Sot edhe në Kosovë dhe Serbi nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara, por thjesht patriotizëm është arritja e marrëveshjes së paqes dhe pajtimit”, është shprehur presidenti Thaçi..

Image
Takimi Thaçi – Vuçiq

Takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel, Pacolli tregon detajet: Kanë përfunduar kompromiset

Shefi i diplomacisë, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij për media në Bruksel, ka paralajmëruar njohje të reja për Kosovën, në mesin e të cilëve edhe nga vende të BE-së, por nuk ka dashur të japë emra specifikë, ndërkohë që ka hedhur poshtë pretendimet e Beogradit zyrtar se ka pasur tërheqje të njohjeve.

Ai këto komente bëri në Bruksel, ku po mbahet rrethi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel presidentësh me pjesëmarrjen edhe të shefes së diplomacisë evropiane Frederica Mogherini.

Pacolli nuk ka dhënë shumë detaje nga takimi, duke thënë se sot palët dëgjojnë njëra-tjetrën dhe problemet do të artikulohen më vonë, por jo gjatë këtyre takimeve.

I pyetur rreth demarkacionit të kufirit me Serbinë dhe nëse kjo temë është temë e diskutimeve të sotme, numri një i diplomacisë kosovare tha se nuk është folur për këtë çështje, por do të jetë sigurisht njëra prej pikave.

Ndërkohë që shefi i diplomacisë serbe Ivica Daciq ka folur sot rreth kompromisit me palën kosovare në dialogun në Bruksel,  pa specifikuar diçka të veçantë, Pacolli ka folur rreth asaj se çfarë nënkuptohet me fjalën kompromis.  

Pacolli: Kosova ka bërë kompromis me pakon e Ahtisarit

“Sigurisht, kompromisi duhet të jetë, por sa e di unë aty ku ekziston materia të kërkohet kompromisi, pala kosovare ka bërë kompromisin e vet dhe çdo gjë e ka qit në tryezë me pakon e Ahtisarit. Nuk duhet të spekulojë, ia lënë problemit të dialogimit”, tha Pacolli.

Ai ndërkaq ka hedhur poshtë pohimet e Beogradit zyrtar për tërheqjen e katër njohjeve nga vendet kryesisht afrikane, si Burundi, Guinea Busau dhe Liberia, duke thënë se një gjë e tillë është e pavërtetë, ndërkohë që do të ketë njohje të reja për Kosovën, në mesin e tyre edhe prej vendeve të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Image
Behgjet Pacolli- Frederica Mohgerini

Pacolli: Ka me dhjetëra shtete të fuqishme që janë në proces për njohjen e Kosovës

“Nuk duhet të merrem me deklarata të të tjerëve. Ne jemi duke krijuar miqësi, marrëdhënie me botën dhe mund t’ju them tani, se kemi me dhjetëra shtete të fuqishme që janë në proces për njohjen e Kosovës dhe këto njohje vijnë nga të gjitha kontinentet. Është proces i pandalshëm, dhe njohjet do të arrijnë dhe mos ta befasojmë askënd. Sa i përket tërheqjes së njohjeve, nuk ka pasur tërheqje...  E di se dikush po gënjen, po shpif, nuk ka tërheqje të njohjeve as nga Guineja Bisau. Liberia ka deklaruar se askush nuk mund të flasë të saj, ata kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira me Kosovën...  Sigurisht po dhe nuk do të jetë befasi për asnjë, pasi procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i qartë sa nuk ka të ndalur... Nuk do të përmend emra tani”, ka thënë Pacolli..

Daçiq nga Brukseli: Prishtina duhet të dijë se çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur përfundimisht 

Ministri i Punëve të Jashme të Serbisë, Ivica Daçiq është deklaruar nga Brukseli ku edhe po zhvillohet takimi në mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të përfaqësueses se BE-së, Federica Mogherini.

“Qëndrimet janë të kundërta por me rëndësi është që palët të kuptojnë rëndësinë e vazhdimit të negociatave dhe të gjetjes se një zgjidhje afatgjate. Ne jemi për kompromis por ai është shumë i vështirë. Prishtina duhet të dijë që çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur përfundimisht”,ka thënë Daçiq.

Gjithashtu ai ka thënë se Serbisë i mbetet të shihet se çfarë mund të shpëtojë nga Kosova.

Fillon takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel

Siç raportojnë mediat serbe, Pas 40 minutash bisedimesh bilaterale midis Presidentit Thaçi dhe Vuçiç me Federica Mogherini, rreth orës 16.30, filloj një takim trepalësh ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe ndërmjetësuesve të BE-së në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pritet që ministri serb, Ivica Dacic i cili është në delegacionin e Beogradit, së shpejti pritet të lëshoj një deklaratë për media.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini u takua sot në Bruksel veq e veq me presidentët e Serbisë dhe Kosovës.

Fillon takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel

Në këto qaste ka filluar takimi i përbashkët ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Më herët, Mogherini kishte takuar ndaras presidentin Thaçi dhe atë serb, Vuçiq. 

Kështu, faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e quajtur si finalja e madhe filloi zyrtarisht sot në Bruksel.

Për herë të parë, në këtë takim do të diskutohet për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Mogherini takohet me Thaçin

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tashmë është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Mogherini takon Vuçiqin para takimit të përbashkët me Thaçin

Në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, njëherësh ndërmjetësja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini, pak minuta më parë ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi, Mogherini do të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa më pas do të t’i takojë të dy bashkë ku në fokus të bisedimeve pritet të jenë marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja. Federica MogHerini takon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel”, ka shkruar në Twitter Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Mogherinit.

Thaçi: Kosova është gati të punoj në mënyrën shumë të përgjegjshme

“Sot jemi këtu në Bruksel për të shënuar fillimin e fazës finale të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për rolin që e ka marrë në udhëheqjen të këtij procesi, por dhe mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E di që do jetë një proces i vështirë, i rëndë, por është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për arritjen e paqes dhe marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe pajtim. Kosova është gati të punoj në mënyrën shumë të përgjegjshme që të arrihet marrëveshja duke u bazuar në standardet dhe vlerat evropiane”, u shpreh ai.

Për më tepër, Thaçi ka thënë se nëse kjo fazë e dialogut dështon të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, atëherë si Kosova, po ashtu edhe Serbia do të jenë të humbura.

Image
Hashim Thaçi

Thaçi: Nëse nuk arrihet marrëveshje do jemi të dy vende të humbura

“Ne jemi duke kaluar si dy vende në një proces të një konflikt të ngrirë që mund të ketë pasoja të riparueshme për të ardhmen nëse nuk arrihet një marrëveshje e paqes dhe pajtimit. Andaj do punoj me vullnetin më të mirë për arritjen e marrëveshjes, një marrëveshje kjo që do të hapë perspektivë sigurt evropiane për të dy vendet. Nëse nuk arrihet marrëveshje do jemi të dy vende të humbura, por unë jam me shpresë”, u shpreh Thaçi.

Ky takim është i pari në kuadër të fazës finale të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Takimi mbahet me ftesë të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sot mbahet raundi i ri i bisedimeve Kosovë - Serbi, kjo është ora e takimit Thaçi-Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç do të takohen në Bruksel këtë të diel duke nisur dialogun në nivel presidentësh.

Bisedimet pritet të fillojnë rreth orës 15:00, ku fillimisht Vuçiç do të takohet me Mogherinin dhe pastaj do të takohet me delegacionin e Kosovës në krye me Thaçin.

Vuçiq dhe Taçi takohen në këtë format për herë të dytë këtë vit.

***

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbledh të dielën në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve.

Sipas zonjës Mogherini "ata do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, do të diskutojnë për marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme dhe të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh një periudhë intensive bisedimesh që priten në të ardhmen".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha gjatë javës se është i bindur që "ka ardhur koha që pas bisedimeve, që në një mënyrë apo tjetër po zgjasin tash e njëzet vite, të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike mbi një shekullore në raportet në mes dy shteteve dhe popujve tanë”.

Ai tha se bisedimet do të jenë të rënda dhe në to “do të diskutohet për çështjen e shënimit të kufirit me Serbinë... për herë të parë në histori".

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se "është shkurajuar nga deklaratat e zyrtarëve të Prishtinës", por bisedimet duhet të vazhdojnë.

Presidenti i Kosovës shkoi në Bruksel duke lënë prapa kritika të ashpra të opozitës e cila kërkon që bisedimet me Serbinë të mos bëhen pa një autorizim të parlamentit të Kosovës. Presidenti Thaçi tha se me kushtetutë dhe ligje e ka detyrim që të përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe t'u prijë bisedimeve deri në fund të këtij procesi.

Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje. Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një "kompromis", por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t'i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat