15 vjet gjykim mes vëllait e motrës për arin e nusërisë

Lajme

15 vjet gjykim mes vëllait e motrës për arin e nusërisë

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 07:49
Ilustrim

Pas vdekjes së prindërve, më 10 qershor të vitit 2003 Flora Imami- Alinak përmes përfaqësuesit të saj ka bërë propozimin për rregullimin e trashëgimisë. “Babai i propozueses, Ahmet Imami, ka vdekur më 6 qershor të vitit 1988, ku pas tij ka lënë trashëgimtare bashkëshorten, të ndjerën Akile Imami, si dhe fëmijët e tij, Flora Imami-Alenak, Feriha Iseni, Nedreta Aliu- Imami dhe Eroll Imami”, thuhet në propozim.

Përmes këtij propozimi është propozuar që pranë Gjykatës Komunale në Gjilan në procedurë jashtëkontestimore të caktohet seanca gjyqësore në të cilën të ftohen trashëgimtarët e sipërpërmendur si pasardhës të të ndjerëve Ahmet dhe Akile Imami për dhënien e deklaratës së trashëgimisë dhe pas kësaj të merret aktvendimi mbi rregullimin e trashëgimisë.

Me këtë propozim nuk është pajtuar vëllai i saj, Eroll Imami.

Për shkak të kësaj, më 2003 Flora ka paditur vëllain e saj. Përmes padisë ka kërkuar zgjidhjen e trashëgimisë dhe anulimin e kontratës për dhurim të banesës që ka lënë pas nëna e tyre.

Që nga viti 2003, kjo procedurë ende nuk ka marrë epilog për Florën, e cila po kërkon të drejtën e saj trashëgimore.
“Motra ime Flora nuk ka kurrfarë të drejte në këtë pasuri. Ajo pjesën e vet të pasurisë e ka marrë me rastin e martesës pasi që babai im pos gjërave të nevojshme për martesë asaj i ka ble mobilje, teknikë të bardhë, ari, si dhe i ka dhënë të holla të gatshme”, janë fjalët e cituara të Eroll Imamit në njërën nga shkresat e lëndës që i posedon Kallxo.

Në ndërkohë, në vitin 2013, vetë Eroll Imami padit motrën e tij Florën, ku në këtë padi përfshin edhe dy djemtë e tij, Renan e Ahmet Imamin. Përmes kësaj padie ka kërkuar që Gjykata të vërtetojë se prona e caktuar e paluajtshme nuk paraqet pasuri trashëguese.

Në një intervistë për KALLXO.com, përfaqësuesi i Florës, avokati Ramë Dreshaj, ka thënë se Eroll Imami ka parashtruar padi ndaj Florës dhe djemve të tij me qëllim të prolongimit të zgjidhjes së çështjes, meqenëse e ka parë se gjykatat po veprojnë në favor të Florës, si dhe objektin e trashëgimisë e ka shndërruar në lokal afarist.

“Kjo çështje trashëgimore Flora Imami- Alinak që tani jeton në Turqi, e shkreta që nga viti 2003 sorollatet nga një avokat në avokat, nga një gjykatë në një gjykatë e edhe sot e kësaj dite që është viti 2018 nuk e ka realizuar të drejtën e saj ligjore, njerëzore, humane të trashëgimisë në masën trashëgimore që kanë lënë pas vetes prindërit e saj të ndjerë”, tha Dreshaj.

“Kot flitet, kot ndërmarrin iniciativa që të plotësohet e ndryshohet Ligji mbi trashëgiminë, ku pretendohet se femra fillimisht ta pranojë e ta regjistrojë atë që i takon me ligj nga masa trashëgimtare kur në praktikë që nga viti 2003 e deri më sot nuk veprohet e as që respektohet Ligji mbi trashëgiminë. Tash procedura është në Kamenicë”, shtoi avokati.

Përmes kësaj padie, Eroll Imami i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjilan që pas administrimit të provave dhe pas përfundimit të seancës kryesore të nxjerrë aktgjykim përmes së cilit vërtetohet se tri lokalet e ndërtuara nga Eroll Imami, nga Gjilani, në sipërfaqe të përgjithshme prej 180 m2 nuk hyjnë në pasurinë trashëguese të të ndjerit Ahmet Imami, ku në bazë të së cilës të paditurit janë të obliguar të pranojnë që pasuria e cekur më lartë, nuk hynë në masën trashëguese.

Përgjigje në këtë padi ka bërë përfaqësuesi i Flora Alinak, Ramë Dreshaj, i cili i ka quajtur të pabaza të dhënat e paraqitura në padi nga ana e paditësit, me arsyetimin se gjoja motra e tij gjegjësisht tani e paditura Flora me rastin e martesës ka marrë teknikë të bardhë, flori të nusërisë e të cilat sipas paditësit janë ekuivalente, pra, i përgjigjen pasurisë që do t’i takonte asaj në bazë të trashëgimisë.

Sa i përket kësaj, avokati në përgjigjen në padi ka theksuar se e paditura kategorikisht mohon se me rastin e martesës nuk ka marrë kurrfarë pasurie nga babai i saj, Ahmeti dhe nëna Akile Imami.

“Nga arsyetimi i mëtejmë i aktvendimit del se paditësi Eroll ka pasur autorizim nga nëna e tij për të vërtetuar pranë kësaj Gjykate që banesën e cila gjendet në Gjilan në sipërfaqe prej 69 m2 që ta shesë dhe nga ato mjete të blejë një banesë në Turqi për të shpëtuar nga lufta familjen, ndërsa pjesën e mbetur të parave të ju ndajë motrave të tij, mirëpo këtë s’e ka bërë sa ka qenë nëna gjallë”, thuhej më tej në përgjigjen e avokatit.

“Pra, tani del se paditësi dy vite pas vdekjes së nënës, me vdekjen e autorizimdhënësit do të thotë se është shuar autorizimi, se nuk ka fuqi juridike e që nuk ka pasur as kur i është dhënë nga ana e nënës sa ishte gjallë kur është në pyetje falja- dhurimi, pra për t’ia falur apo dhuruar fëmijëve të vet që i cekë edhe në padi Ahmet dhe Renan Imami si trashëgimtarë. Paditësi ndërmerr një veprim të paautorizuar kur lidhë kontratë mbi dhuratën e banesës së trashëgimlënëses Akile Imami në sipërfaqe prej 69 m2 fëmijëve të vet Renan dhe Ahmet Imami të mitur që i ka përfaqësuar në këtë transaksion të kundërligjshëm përfaqësuesi ligjor Sebahate Imami”, ka shtuar Dreshaj.

Avokati Dreshaj më tej ka theksuar se paditësi nuk ka ofruar kurrfarë prove, fakti apo argumenti relevant që do t’ia mohonte të drejtën të paditurës në trashëgimi.

Nga kjo përgjigje në padi, pala e paditur ka kërkuar që të nxirret aktgjykim përmes të cilit do të refuzohet padia dhe kërkesëpadia e Eroll Imamit si e pabazuar.
“Të anulohet transaksioni i kundërligjshëm i bërë nga paditësi Eroll Imami dhe atë Kontrata mbi dhuratën e banesës së trashëgimlënëses Akile Imami të datës 17 shtator 2001, lidhur në mes tij dhe fëmijëve të tij Renan dhe Eroll Imami me përfaqësuesen ligjore Sebahate Imami, si dhe banesa e cekur të kalojë në masën trashëgimore”, ka përmbyllur avokati përgjigjen në padi.

Pas mbajtjes së gjykimit, më 23 dhjetor të vitit 2014, Gjykata Themelore në Gjilan e ka hedhur poshtë padinë e Eroll Imamit si të palejuar me arsyetimin se i padituri nuk ka përfshirë në kërkesëpadi edhe trashëgimtarët e tjerë dhe e vetmja mundësi që gjykata e ka pasur duke u nisur nga padia e paditësit dhe nga palët e përfshira në padi, ka qenë që ta hedhë poshtë padinë si të palejueshme vetëm ndaj një trashëgimtare, siç është e paditura e parë, ngase dy të paditurit (djemtë e Erollit) e tjerë nuk janë trashëgimtarë të rendit të parë ligjor të trashëgimlënësit.

Por, kundër këtij vendimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar Eroll Imami, ankesë kjo e cila më pas ishte aprovuar si e bazuar me arsyetimin se Gjykata e shkallës së parë do të kishte mundësi që të ndërmerrte hapa tjerë proceduralë të paraparë me ligj, si për shembull paditësi ta ndreqte padinë për një afat të caktuar kohor e më pas të procedohej, mirëpo assesi ta hedhë padinë si të pabazuar.
Kështu, lënda u kthye në rigjykim.

Por, për këto lëndë në procedurë, avokati Ramë Dreshaj thotë se ekziston mundësia e ndikimit nëse lënda qëndron në regjionin e Gjilanit.
“Kjo, gjithnjë ndodhë për shkak se vëllai i saj që është edhe ai trashëgimtar që nga para lufta e edhe sot e kësaj dite është punëtor- zyrtar i Gjykatës tani Themelore në Gjilan dhe çka është më interesant, mu aty ku zihen pështjellimet tek menaxhimi i lëndëve, ku përpara janë vërtetuar kontratat e deklaratat e tjera. Këtë situatë gjithmonë e kanë pasur në dijeni të gjithë udhëheqësit e Gjykatës dhe përkundër që mbrojtja ka kërkuar që kjo çështje të dërgohet në një gjykatë kompetente jashtë regjionit të Gjilanit, gjithmonë është vendosur që të procedohet në Viti e tani në Kamenicë, që do të thotë se përsëri edhe me rastin e caktimit të Vitisë e Kamenicës prapë se prapë i është dhënë mundësia po të njëjtit që të ndikojë në cilën do gjykatë të këtij regjioni”, tha avokati Dreshaj.
Dreshaj dhe avokati Halil Palaj më 3 maj 2018 kanë parashtruar kërkesë për transferimin e lëndës nga Gjykata Themelore në Gjilan- Dega në Kamenicë në ndonjë gjykatë tjetër të Kosovës.

Përmes kësaj parashtrese, avokatët edhe kanë sqaruar arsyen se përse duhet bërë një gjë e tillë.

Sipas avokatit, pala ndërgjyqëse, Eroll Imami, është punëtor i kësaj Gjykate e i cili tani në cilësinë e paditësit kundër Flora Imami- Alinak me të cilën padi ia konteston masën trashëgimore motrës së vet, kjo çështje edhe pse janë bërë më tepër se gjashtë muaj që Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, ende nuk është caktuar seanca, andaj, konsiderojmë se nga gjykatësit e Degës së Kamenicës nuk kanë vullnet që ta përfundojnë këtë çështje pra që t’i njihet e drejta në trashëgimi që i takon në bazë të ligjit.

Më tej, në këtë parashtresë, avokatët kanë theksuar se me aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, pas dhjetë vitesh lënda i dërgohet në kompetencë nga Gjykata Komunale e Gjilanit- Gjykatës Komunale në Kamenicë me arsyetimin se njëri nga propozuesit për shqyrtimin e trashëgimisë është punëtor i Gjykatës në Gjilan.

Rrjedhimisht, sipas avokatëve, duke marrë parasysh këtë fakt edhe ekziston konflikti i interesit dhe me qëllim që kjo çështje juridiko- trashëgimore të përfundojë më shpejtë meqë është që 15 vjet edhe të transferohet lënda./Kallxo.com/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat