Ambasadori i Francës në Beograd kërkon themelimin e Asociacionit

Lajme

Ambasadori i Francës në Beograd kërkon themelimin e Asociacionit

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 13:39
Frederic Mondoloni

Ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka thënë se është i brengosur për shkak të ndalimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë e veçanërisht pas “trajtimit të papranueshëm” që kishte në Mitrovicë shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Franca, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, dëshiron që dialogu të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke shtuar se “dialogu s’ka alternativë”, por ka shtuar se të dyja palët duhet të bëjnë kompromise.

Në pyetjen nëse Parisi është i kënaqur me rolin e BE-së në këtë dialog dhe se a pajtohet për angazhim më të shtuar të SHBA-së e Rusisë, Mondoloni ka thënë se Kosova dhe Serbia i takojnë Evropës dhe se është normale që BE-ja është në rend të parë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Franca padyshim se e përkrahë ndërmjetësimin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, e mbi të gjitha shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini”, ka thënë ambasadori, duke shtuar se kanë kaluar pesë vjet nga marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, marrëveshje e cila duhet të zbatohet në plotni.

Mondoloni ka thënë se edhe Asociacioni i komunave serbe në Kosovë duhet të formohet pasi është element i marrëveshjes së Brukselit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat