Vetëvendosja paralajmëron kallëzim penal ndaj qeverisë për rritjen e pagave

Lajme

Vetëvendosja paralajmëron kallëzim penal ndaj qeverisë për rritjen e pagave

Më: 17 qershor 2018 Në ora: 00:36
Lëvizja Vetëvendosje

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz po aq sa ishte vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave. Këto janë deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci thotë se me votimin pro kanë shkelur nenin 424 të kodit penal, i cili paraqet konflikt interesi.

E për këtë, Nagavci thotë se do të bëjnë kallëzim penal ndaj Qeverisë në tërësi, duke përfshirë edhe ministrat që e kanë votuar një ligj të tillë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz sa vetë vendimi i Qeverisë Haradinaj. Përveç shkeljeve kushtetuese duke qenë se me marrjen e këtij mendimi Kryeministri Haradinaj dhe të gjithë ministrat që kanë votuar pro kanë shkelur nenin 424 të Kodit Penal duke votuar për një çështje që paraqet konflikt interesi atëherë ne do ta procedojmë këtë duke bërë një kallëzim penal për Kryeministrin Haradinaj dhe të gjithë ministrat që kanë votuar pro”, tha Nagavci.

Deputeti i pavarur, Korab Sejdiu thotë se mendimi mospajtues i dy gjyqtarëve në Kushtetuese, është më i arsyeshëm dhe më i qartë se sa aktgjykimi i shumicës.

Por Sejdiu thotë se mendimi ndryshe i Agjencisë Anti Korrupsion potencialisht mund të bëjë edhe kallëzim penal.

“Në aspekt kushtetues është dhënë ky vlerësim mirëpo qëndron edhe aspekti ligjor ku e kemi një mendim të AKK’së i cili e ka cilësu këtë vendim si konflikt interesi dhe zbatimi i këtij vendimi nga ana e Qeverisë natyrisht do të implikonte veprime të mëtutjeshme nga ana e Agjencisë, potencialisht me bo edhe kallëzim penal ndaj atyre që edhe kanë votu edhe e zbatojnë”, thotë Sejdiu.

Në anën tjetër këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, thotë se është e drejtë e opozitës që të bëjnë kallëzim penal në lidhje me vendimin për rritje të pagave.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk ka shkelje me vendimin e Qeverisë për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, ku paga e Kryeministrit do të jetë 2950 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat