I akuzuari për vrasje: Kam shtënë nga frika prej grupit

Lajme

I akuzuari për vrasje: Kam shtënë nga frika prej grupit

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 08:57
Gjykimi për vrasje

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi kundër të pandehurve Gjorgje Spahiq, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Petar Peshiqit, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe Millosh Millovanoviqit, i akuzuar për armëmbajtje të pa leje.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se në qershor të vitit 2016 në Zveçan i akuzuari Petar Peshiq pas një fjalosjeje me të ndjerin Nikolla Angjelkoviq kishte nxjerrë nga brezi revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë në sy dhe në stomak. I plagosuri ishte dërguar në qendrën klinike në Kragujevc të Serbisë dhe si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur pesë ditë më vonë.

Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Aktakuza e ngarkon edhe Gjorgje Spahiqin se pas një përplasjeje verbale me Gjorgje Angjelkoviqin me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta, duke shtënë shtatë herë në të me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në gjoks, bark dhe këmbë, duke rrezikuar kështu edhe jetën e personave të tjerë.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale -vrasje e rëndë në tentativë.

Kurse i pandehuri Millosh Millovanoviq akuzohet për mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Në seancën e mbajtur mbrojtjen e tij e ka dhënë i akuzuari Gjorgje Spahiq.

Spahiq ka deklaruar se më 11 qershor kishte shtënë me armë, por se nuk kishte pasur për cak që të qëllojë të dëmtuarin Gjorgje Angjelkoviq.

Në rrahjen që kishte ndodhur në Zveçan, kishte mbetur i vrarë Nikolla Angjelkoviq, kurse i plagosur Gjorgje Angjelkoviq.

Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari Spahiq para trupit gjykues ka deklaruar se nga frika ka shtënë në personin që i është afruar nga grumbulli i njerëzve, që sipas tij, ishte krijuar para kafenesë “Trebiesa”, në Zveçan.

Kurse pas pyetjes nga mbrojtësi i tij, avokati Faruk Korenica, i akuzuari Spahiq ka treguar në detaje ngjarjen e 11 qershorit të vitit 2016.

“Atë natë kam dalë me shokët e mi, Petar Peshiq, Nikolla Sovrliq dhe Lazar Janiçijeviq. Pas orës 00:00 kemi shkuar në “Trebiesa” në Zvecan, jemi ulur në tarracë dhe kemi pirë. Aty para kafenesë kam parë një grumbull njerëzish. Kur u kthye Nikolla Sovrliq nga tualeti tha se ka dëgjuar se po rrihen grupi nga Zveçani dhe grupi nga Mitrovica. Pas kësaj babai më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë të shkoj në shtëpi. Unë së bashku me shokët vendosëm të largoheshim. Kur Petar Peshiq ka shkuar për të paguar faturën, unë i kam dëgjuar dy të shtëna. Jemi nisur nga “Trebiesa” drejt automjetit të Petar Peshiqit, por Petari është ndalur dhe ka thënë se pritni të shoh nëse është në grumbullin e njerëzve vëllai i tij Andrea. Aty pastaj kam parë të ndjerin Nikolla duke shkuar në drejtim të Petarit dhe aq sa kam mundur të dëgjoj, mendoj se Nikolla e ka sharë Petar Peshiqin dhe i ka thënë se çfarë po kërkon këtu”, ka thënë i pandehuri, shkruan kallxo.

Kurse pas këtij rasti, ka deklaruar se kishin filluar që të dytë të shtyhen ndërmjet vete.

“Ata janë shtyrë në mes vete dhe kanë kaluar te pjesa e barit në oborrin e Shtëpisë së Kulturës. Unë i kam përcjell ata kur kam dëgjuar se prapa meje dikush po më thotë ‘Spahiq  do të të thyej dhe do të të shpoj’. Nuk  e kam ditur kush saktësisht i ka thënë këto fjalë ngase ka pasur shumë njerëz por mendoj se ka qenë Danillo Drobnjakoviq, por nuk jam i sigurt. Pastaj në drejtim të Nikollës dhe Petarit kam dëgjuar dy të shtëna. Kur kam kthyer kokën kam parë shumë njerëz por nuk e kam parë as Petarin e as Nikollën, kam filluar të qajë duke thënë: Ndaluni!”, ka vazhduar të tregojë i akuzuari versionin e tij të ngjarjes.

Sipas tij, pastaj ka parë një person nga grupi që ishte nisur në drejtim të tij, duke shtuar se nga frika e ka nxjerrë armën dhe ka shtënë.

I akuzuari Gjorgje Spahiq më pas tha se nuk e di se si ka rrjedhur ngjarja deri këtu, por sipas tij e gjitha ka qenë si pasojë e frikës së madhe që e ka ndjerë në ato momente.

Ndërsa lidhur me armën me të cilën kishte shtënë Spahiq para trupit gjykues deklaroi se e kishte blerë tre muaj para se të ndodhte ngjarja, nga një student në Mitrovicë, kur kishte qenë vetëm 18 vjeç.

Gjatë marrjes në pyetje nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti, i akuzuar Spahiq tha se armën e ka blerë për mbrojtje ngase sipas tij, në zonat dhe në kafenetë si “Trebiesa” dhe “Crna Dama”, edhe më parë ka pasur të shtëna.

Ai tha se atë armë e ka bartur 10 deri në 11 herë para natës kritike, por sipas tij, asnjëherë nuk e ka përdorur.

I akuzuari Spahiq në fund u shpreh se ndien keqardhje për krejt këtë që ka ndodhur, duke i kërkuar falje të dëmtuarit Gjorgje Angjelkoviq dhe familjes së tij.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të të akuzuarit Gjorgje Spahiq, seanca është shtyrë për shkak se anëtari i trupit gjykues Sabit Rama, sipas kryetarit të trupit gjykues, Burim Ademi, ka rast vdekje në familjen e  tij, ndërkaq seanca e radhës u caktua më 9 korrik.

Kryetari i trupit gjykues gjyqtari Burim Ademi i njoftoi palët se në seancën e radhës të përgatitin fjalën përfundimtare, pasi që ky gjykim është afër përfundimit.

Ndryshe i akuzuari tjetër Petar Peshiq, në seancën e mbajtur më 18 maj të këtij viti, kishte pranuar se ka shtënë me armë në natën kritike më 11 qershor 2016, ndaj Nikolla Angjelkoviq, por ka mohuar se synim e ka pasur vrasjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat