Sonja Licht: Vështirë të imagjinohet se Kosova do të jetë pjesë e Serbisë

Lajme

Sonja Licht: Vështirë të imagjinohet se Kosova do të jetë pjesë e Serbisë

Më: 31 maj 2018 Në ora: 21:32
Sonja Licht

Presidentja e Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike, Sonja Licht ka thënë se ata që po e ‘ngrisin’ problemin e Kosovës nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë me Serbinë.

Në një intervistë për të përjavshmen beogradase ‘Novi Magazin’, Licht ka vlerësuar se me kalimin e kohës është forcuar ‘obsesioni kokëfortë se është mirë që konflikti të ngrihet’.

“Shtyrja do të sillte deri tek ajo që tash po luftojmë me mendime jo reale. E dimë de-facto marrëveshjen e Kumanovës dhe pastaj de-jure kur në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë dhe u bë shtet i pavarur, dhe është e vështirë të imagjinohet që Kosova të jetë pjesë e Serbisë. Të gjithë e dimë këtë, është e vështirë të thuhet, ka shumë emocione”, ka thënë ajo.

Licht ka shtuar se shumë politikanë dhe media qëllimisht po luajnë me emocionet e qytetarëve dhe po inkurajojnë dëshira që nuk mund të plotësohen.

“Nëse kjo shtrirje vazhdon pandërprerë, çështja është nëse do të mbetet ndonjë serb në Kosovë. Tashmë edhe shumë shqiptarë janë larguar nga Kosova”.

Sipas saj, është në interes të Serbisë që në Kosovë të ketë një shoqëri normale në mënyrë që të dyja të zhvillohen dhe të ketë mundësi jetese.

“Jam shumë e shqetësuar dhe shpresoj se Kisha Ortodokse është e vetëdijshme për përgjegjësitë e saja të mëdha. Jo vetëm se ka përgjegjësi ndaj atyre serbëve që jetojnë në Kosovë por edhe ndaj tyre që e besojnë atë”, është shprehur Licht.

Licat ka thënë se e vlerëson iniciativën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për dialog të brendshëm për Kosovën, mirëpo nuk është zhvilluar ashtu siç ajo shpresonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat