Gjykime publike, vendime anonime

Lajme

Gjykime publike, vendime anonime

Më: 22 maj 2018 Në ora: 12:17
Një komunikatë e lëshuar nga GJykata Themelore në Prishtinë. Screenshot

Në vitin 2016, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë një udhëzim administrativ për anonimizimin dhe publikimin e aktgjykimeve të plotfuqishme nga gjykatat e Kosovës.

Ky udhëzim ka përcaktuar rregulla të anonimizimit të aktgjykimeve të plotfuqishme, para se ato të publikohen në ueb-faqet e gjykatave.

Për shkak të këtij vendimi, emrat dhe mbiemrat e palëve të përfshira në procedura gjyqësore si ato penale, civile, administrative, dhe ekonomike anonimizohen duke u shënuar vetëm përmes inicialeve me arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë.

“Në rastet kur aktgjykimet e pranuara për anonimizim janë të skanuara, zyrtari për anonimizim, përmes programeve elektronike që mundëson redaktimin e dokumentit të skanuar në mënyrë elektronike, siguron që të gjitha të dhënat personale të fshihen ashtu siç kërkohet me udhëzim”, thuhet në njërën nga pikat e Procedurave Standarde për Publikimin e Aktgjykimeve.

Ky udhëzim përmban mospërputhshmëri, si dhe është i paarsyeshëm kur krahasohet me gjithë fazat e tjera të procedurës, në rastet kur këto seanca janë publike.

Marrim shembull rastet e korrupsionit, raste këto ku të akuzuarit kryesisht janë fytyra publike e janë në poste të profilit të lartë. Janë këto rastet kur i gjithë fokusi i medieve dhe publikut qëndrojnë tek ta, kjo ndodhë meqenëse vepra penale e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kryesisht në shumicën e rasteve nënkupton se është prekur buxheti i shtetit tonë, që burim kryesor ka taksat e qytetarëve.

Ndonëse raste të tilla zakonisht vëzhgohen nga pothuaje të gjitha mediet në Kosovë, ku rrjedhimisht publiku vetëm se është i njoftuar me gjithë procesin gjyqësor dhe me aktakuzën e prokurorisë që ngarkon personat me këtë vepër penale, madje edhe me vet aktgjykimin i cili mund të përcillet me rastin e shpalljes në sallë të gjykatës, por, me rastin e publikimit të këtij aktgjykimi në ueb faqe të Gjykatës, këta emra, ndonëse të njohur për publikun, do të publikohen vetëm me iniciale.

Është i pakuptimtë fakti se i tërë procesi gjyqësor, që nga shqyrtimi fillestar e deri te shpallja e aktgjykimit është seancë publike, e fatkeqësisht me rastin e publikimit të aktgjykimit i cili i jep një epilog gjithë çështjes, udhëzimi në fjalë ka vendosur që të mos jetë transparent, kështu duke mos u përmendur emrin e mbiemrin në aktgjykim, qoftë ai lirues, dënues apo refuzues.

Madje, ky udhëzim është aq i detajuar dhe i punuar mirë, sa po ta krahasosh me Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, të bën përshtypje se më shumë është punuar dhe shpenzuar energji në këtë udhëzim, i cili vetëm se ka ulur për disa shkallë më shumë transparencën e gjykatave të rregullta tek qytetarët.

Ky vendim bëhet edhe më i paqartë kur merret për bazë fakti se Gjykata Kushtetuese në Kosovë, për dallim nga gjykata të rregullta, vepron krejtësisht ndryshe.

Gjykata Kushtetuese në Kosovë i publikon aktvendimet dhe aktgjykimet e saja me emër e mbiemër të të akuzuarve, si dhe këto publikime të plota rregullohen me rregulloren e brendshme të kësaj gjykate.

Përveç Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, jashtë territorit të Kosovës, ndër vendet më të zhvilluara në Evropë përdorin të njëjtën metodë. Marrim shembull Britaninë e Madhe, si njërin ndër shtetet më të fuqishme për nga rendi dhe ligji në Evropë.

Një tjetër rast për tu lavdëruar është edhe publikimi i vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimet e shpallura nga këto gjykata nuk janë të anonimizuara, pra përmbajnë të gjitha të dhënat “personale” siç i quan udhëzimi në vendin tonë, përfshirë këtu emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, qytetin, regjionin, shtetin e paditësit, si dhe të dhëna të tjera.

Madje, shpeshherë në librat e drejtimit të fakultetit juridik, hasim në raste studimore kur me marrjen e një vendimi, gjykatat përdorin analogjinë me ndonjë rast të etiketuar të njohur botërisht me emrin e personit që ka fituar gjyqin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjithmonë kemi parasysh se këto emra mund të anonimizohen me kërkesën e palëve në procedurë, të cilët përmes argumenteve duhet të dëshmojnë se përse publikimi i të dhënave të tyre nuk duhet ndodhur.

Kujtojmë se prezumimi i pafajësisë ekziston deri në plotfuqishmërinë e vendimit, andaj me rastin e publikimit të aktakuzës, kur vetëm se përfundon faza hetimore dhe është vendosur lidhur me masën e sigurisë ndaj të akuzuarit, rrjedhimisht publikimi i emrit të të akuzuarit në parim, nuk mund ta dëmtojë apo prolongojë procedurën gjyqësore në asnjë mënyrë.

Të vetmit persona të cilët duhen të jenë të kënaqur me këtë udhëzim, deri më tani duhet të jenë vetëm të akuzuarit.

Në procedurat gjyqësore ku nuk ekziston fokusi i medieve, pra në rastet ku “të akuzuarit nuk janë në interes për publikun aq shumë”, shpesh herë monitoruesit e Kallxo hasin në vështirësi gjatë kryerjes së detyrës së tyre, kjo pasi që palët në procedurë nëse nuk janë figura publike, nuk janë të mësuar që emri apo mbiemri i tyre të iu publikohet në medie, si dhe janë të sigurt se nëse një medium nuk do të përcjellë seancën gjyqësore që zhvillohet ndaj tyre, atëherë edhe po të dënohen, qytetarët nuk do ta mësonin kurrë.

Si përfundim, publikimi i emrave dhe mbiemrave ne ueb- faqe të Gjykatave të rregullta, do të kishte impakt të madh pozitiv në shoqërinë tonë. Shoqëria kosovare ka të drejtë të dijë emrat dhe mbiemrat e personave të dënuar për një vepër penale. Madje, përveq që do të ndikonte pozitivisht në rritjen e transparencës së gjyqësorit, besojmë se do të ndikonte në një masë të konsiderueshme në uljen e kryerjes së veprave penale nga ana e qytetarëve duke shërbyer si vetdijësim për të gjithë ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat